Isaia 36:1-22

  • Senakeribi pushton Judën (1-3)

  • Rabshakehu sfidon Jehovain (4-22)

36  Në vitin e 14-të të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi, mbreti i Asirisë,+ sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.+ 2  Atëherë, nga Lakishi,+ mbreti i Asirisë dërgoi te mbreti Hezekia në Jerusalem rabshakehun*+ bashkë me një ushtri tepër të madhe. Ata zunë pozicion pranë kanalit të rezervuarit të sipërm,+ që është në rrugën për tek ara e rrobalarësit.+ 3  Atëherë dolën për ta takuar Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti* Joah, biri i Asafit. 4  Rabshakehu u tha: «I thoni Hezekisë: “Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ‘Ku e bazon këtë siguri?+ 5  Ti thua: “Kam strategjinë dhe fuqinë e nevojshme për luftë.” Por këto janë fjalë boshe. Te kush, pra, paske besim, që guxon të rebelohesh kundër meje?+ 6  Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer, Egjiptit, tek i cili po të mbështetej njeri, do t’ia çante dorën tejpërtej. Kështu është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që besojnë tek ai.+ 7  Apo më thua: “Kemi besim te Jehovai, Perëndia ynë.” Por, a nuk ia ka hequr Hezekia atij vendet e larta e altarët+ dhe i thotë Judës e Jerusalemit: “Duhet të përkuleni para këtij altari.”’”+ 8  Tani pra, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë:+ unë të jap 2.000 kuaj, nëse gjen dot mjaft kalorës për ta. 9  Si mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator, një ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim, kur mbështetesh tek Egjipti për karroca e kalorës? 10  Mos kam dalë kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa lejen e Jehovait? Vetë Jehovai më tha: ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’» 11  Me të dëgjuar këtë, Eliakimi, Shebna+ dhe Joahu, i thanë rabshakehut:+ «Të lutemi, fol me shërbëtorët e tu në gjuhën aramaike,*+ sepse mund ta kuptojmë, por mos fol me ne në gjuhën e judenjve, se të dëgjojnë njerëzit që janë mbi mur.»+ 12  Megjithatë rabshakehu ua ktheu: «Mos vallë zotëria im më ka dërguar t’ia them këto fjalë vetëm zotërisë tuaj dhe juve? A nuk më ka dërguar t’ua them edhe burrave që rrinë ulur mbi mur, të cilët do të hanë jashtëqitjet e veta dhe do të pinë urinën e vet bashkë me ju?» 13  Pastaj rabshakehu u ngrit në këmbë e bërtiti në gjuhën e judenjve:+ «Dëgjoni fjalën e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!+ 14  Kështu thotë mbreti: “Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë, sepse ai nuk ju shpëton dot.+ 15  Mos e lini Hezekinë t’jua mbushë mendjen që të keni besim te Jehovai,+ duke ju thënë: ‘Jehovai do të na shpëtojë patjetër, dhe ky qytet nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.’ 16  Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni!* Secili do të hajë nga hardhia e vet dhe nga fiku i vet e do të pijë nga uji i sternës* së vet, 17  derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj,+ plot drithë e verë të re, ku ka bukë dhe vreshta. 18  Mos e lejoni Hezekinë t’ju mashtrojë duke ju thënë: “Jehovai do të na shpëtojë.” Mos i kanë shpëtuar perënditë e kombeve vendet e tyre nga duart e mbretit të Asirisë?+ 19  Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit?+ Ku janë perënditë e Sefarvaimit?+ A e kanë shpëtuar këto perëndi Samarinë nga duart e mia?+ 20  Cila nga të gjitha perënditë e këtyre vendeve e ka shpëtuar vendin e vet nga duart e mia, që Jehovai të shpëtojë Jerusalemin nga duart e mia?’”»+ 21  Por ata heshtën e nuk i kthyen asnjë fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: «Mos iu përgjigjni!»+ 22  Atëherë Eliakimi, biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti Joah, biri i Asafit, vajtën me rroba të shqyera te Hezekia dhe i treguan fjalët e rabshakehut.

Shënimet

^ Ose «kryekupëmbajtësin».
^ Ose «për pallatin mbretëror».
^ Ose «regjistruesi».
^ Ose «siriane».
^ Fjalë për fjalë «Bëni një bekim me mua dhe dilni drejt meje!»
^ Domethënë, depos së nëndheshme për të mbledhur ujë.
^ Ose «për pallatin mbretëror».