Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 A4

Emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike

Emri i Perëndisë me shkronjat e lashta hebraike që përdoreshin para mërgimit në Babiloni

Emri i Perëndisë me shkronjat hebraike që përdoreshin pas mërgimit në Babiloni

Emri i Perëndisë, i cili paraqitet me anë të katër bashkëtingëlloreve hebraike יהוה, shfaqet afërsisht 7.000 herë në Shkrimet Hebraike. Në Përkthimin Bota e Re, këto katër shkronja, që njihen si Tetragrami, janë përkthyer «Jehova». Pa diskutim që ky është emri që shfaqet më shpesh në Bibël. Edhe pse shkrimtarët e frymëzuar i referohen Perëndisë me shumë tituj dhe terma përshkrues të tillë, si «i Plotfuqishmi», «Më i Larti» dhe «Zotëria», Tetragrami është i vetmi emër personal që përdorin për ta identifikuar.

Vetë Perëndia Jehova i urdhëroi shkrimtarët e Biblës të përdornin emrin e tij. Për shembull, ai frymëzoi profetin Joel të shkruante: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32) Po ashtu, Perëndia e shtyu një psalmist të shkruante: «Le ta dinë të gjithë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.» (Psalmi 83:18) Në fakt, emri i Perëndisë shfaqet rreth 700 herë vetëm në librin e Psalmeve​—një libër me poezi që populli i Perëndisë duhej t’i këndonte dhe t’i recitonte. Pse atëherë, emri i Perëndisë mungon në shumë përkthime të Biblës? Pse në Përkthimin Bota e Re përdoret forma «Jehova»? Ç’kuptim ka emri hyjnor, Jehova?

Fragmente nga Psalmet në një rrotull të Detit të Vdekur, e cila daton në gjysmën e parë të shekullit të parë të e.s. Teksti është me stilin e shkronjave hebraike, që përdoreshin gjerësisht pas mërgimit në Babiloni, por Tetragrami shfaqet vazhdimisht me shkronja të dallueshme të hebraishtes së lashtë

Pse mungon emri në shumë përkthime të Biblës? Arsyet janë të ndryshme. Disa mendojnë se Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një emër unik që ta identifikojë. Të tjerë duket se janë ndikuar nga tradita judaike, e cila shmangte përdorimin e emrit, mbase nga frika se mos përdhosej. Kurse disa të tjerë besojnë se, meqë askush nuk mund të jetë i sigurt për shqiptimin e saktë të emrit të Perëndisë, është më mirë të përdoret thjesht një titull, si «Zotëri» ose «Perëndi». Mirëpo, pse themi se këto arsye nuk janë të vlefshme?

  •   Ata që pohojnë se Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një emër unik, shpërfillin dëshmitë se emri personal i Perëndisë gjendet në kopje të hershme të Fjalës së tij, ku përfshihen edhe ato që janë ruajtur që para Krishtit. Siç u përmend më sipër, Perëndia urdhëroi që emri i tij të përfshihej në Fjalën e tij rreth 7.000 herë. Është e qartë se ai do që ta njohim dhe ta përdorim emrin e tij.

  • Përkthyesit që heqin emrin për hir të traditës judaike, nuk pranojnë një fakt kyç. Ndonëse disa skribë judenj nuk pranonin të shqiptonin emrin, nuk e hoqën nga kopjet e tyre të Biblës. Në rrotullat e lashta të gjetura në Kumran, pranë Detit të Vdekur, emri gjendej në shumë vende. Disa përkthyes të Biblës lënë të kuptohet se në tekstin origjinal ekzistonte emri hyjnor, sepse titullin «ZOTËRI» me të cilin e zëvendësojnë, e shkruajnë me shkronja të mëdha. Por mbetet ende pyetja: pse këta përkthyes guxojnë ta zëvendësojnë ose ta heqin emrin e Perëndisë nga Bibla, ndërkohë që pranojnë se në tekst është me mijëra herë? Nga e morën autoritetin të bëjnë këtë ndryshim? Vetëm ata mund ta thonë.

  • Ata që thonë se emri hyjnor nuk duhet përdorur ngaqë nuk dihet saktësisht si shqiptohet, prapëseprapë e përdorin pa problem emrin Jezu. Por, dishepujt e Jezuit në shekullin e parë nuk ia shqiptonin emrin siç e shqiptojnë shumica e të krishterëve sot. Ka mundësi që të krishterët judenj ta shqiptonin emrin Jezu, Jeshúa‛, kurse titullin «Krisht», Mashíah ose «Mesia». Të krishterët greqishtfolës e quanin Iesoús Hristós, ndërsa të krishterët që flitnin latinisht Iésus Krístus. Nën frymëzim, në Bibël u la përkthimi grek i emrit të tij dhe kjo tregon se të krishterët në shekullin e parë ishin të arsyeshëm që përdorën emrin që njihej më shumë në atë kohë. Në mënyrë të ngjashme, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re mendon se është e arsyeshme të përdoret forma «Jehova», edhe pse mbase nuk është shqiptuar tamam kështu në hebraishten e lashtë.

Pse Përkthimi Bota e Re përdor formën «Jehova»? Në shqip, katër shkronjat e Tetragramit (יהוה) paraqiten nëpërmjet bashkëtingëlloreve JHVH. Ashtu si të gjitha fjalët e shkruara në hebraishten e lashtë, edhe Tetragrami nuk kishte zanore. Kur hebraishtja e lashtë përdorej në jetën e përditshme, lexuesit vinin pa problem zanoret e duhura.

Rreth një mijë vjet pasi përfunduan Shkrimet Hebraike, studiuesit judenj zhvilluan një sistem shenjash shqiptimi, me anë të të cilit tregonin se cilat zanore duhej të përdoreshin kur lexohej në  hebraisht. Megjithatë, në atë kohë tashmë shumë judenj kishin idenë bestyte se ishte e gabuar të thoshe me zë emrin personal të Perëndisë, prandaj përdornin terma zëvendësues. Kështu, duket se, kur kopjuan Tetragramin, kombinuan zanoret e termave zëvendësues me katër bashkëtingëlloret që përfaqësonin emrin hyjnor. Ja pse dorëshkrimet me ato shenja shqiptimi nuk ndihmojnë për të përcaktuar se si shqiptohej në fillim emri në hebraisht. Disa mendojnë se emri shqiptohej «Jahveh», kurse të tjerë sugjerojnë mundësi të ndryshme. Në një rrotull të Detit të Vdekur, e cila ka një pjesë nga Levitiku në greqisht, emri hyjnor është transliteruar Iao. Përveç kësaj forme, shkrimtarë të hershëm grekë sugjerojnë edhe shqiptimet Iae, Iabé dhe Iaoué. Gjithsesi, nuk ka pse të jemi dogmatikë. Thjesht nuk e dimë se si e shqiptonin këtë emër në hebraisht shërbëtorët e lashtë të Perëndisë. (Zanafilla 13:4; Eksodi 3:15) Ajo që dimë, është se Perëndia e përdorte emrin e vet vazhdimisht kur komunikonte me popullin e tij, se ata i drejtoheshin me këtë emër dhe se e përdornin lirshëm kur flitnin me të tjerët.​—Eksodi 6:2; 1 Mbretërve 8:23; Psalmi 99:9.

Pse, atëherë, në Përkthimin Bota e Re përdoret forma «Jehova»? Sepse kjo formë e emrit hyjnor ka një histori të gjatë.

Emri i Perëndisë te Zanafilla 15:2 në përkthimin e Pentateukut nga Uilliam Tindali, viti 1530

Për shembull, në gjuhën angleze, emri personal i Perëndisë doli për herë të parë në një Bibël që u shtyp më 1530, në përkthimin e Pentateukut nga Uilliam Tindali. Ai përdori formën «Iehouah». Me kalimin e kohës, gjuha angleze ndryshoi dhe germëzimi i emrit hyjnor u modernizua. Për shembull, më 1612, Henri Ejnzuorthi përdori formën «Iehovah» në gjithë përkthimin e librit të Psalmeve. Më vonë, më 1639, kur kjo vepër u rishikua dhe u shtyp bashkë me Pentateukun, u përdor forma «Jehovah». Më 1901, përkthyesit  që nxorën Biblën American Standard Version përdorën formën «Jehovah» atje ku emri hyjnor shfaqej në tekstin hebraik.

Studiuesi i respektuar i Biblës, Xhozef Brajant Rotherhami, shpjegoi pse përdori fjalën «Jehovah» në vend të «Yahweh» në veprën e tij Studime të Psalmeve (anglisht) më 1911. Ai tha se donte të përdorte «një formë të emrit që ishte më e njohur (por edhe plotësisht e pranueshme) për publikun e gjerë që lexon Biblën». Më 1930, studiuesi A. F. Kërkpetrik theksoi diçka të ngjashme në lidhje me përdorimin e formës «Jehovah». Ai tha: «Gramatikanët e sotëm debatojnë nëse duhet lexuar Yahveh apo Yahaveh; por fjala JEHOVAH duket patundshmërisht e rrënjosur në gjuhën angleze dhe pika që ka vërtet rëndësi nuk është shqiptimi i saktë, por pranimi i faktit se është Emër i Përveçëm e jo thjesht një titull përshkrues si ‘Zotëri’.»

Tetragrami, JHVH: «Ai shkakton të bëhet»

Folja HVH: «të bëhet»

Cili është kuptimi i emrit Jehova? Në hebraisht, emri Jehova vjen nga një folje që do të thotë «të bëhet» dhe mjaft studiues mendojnë se ai pasqyron formën shkakore të kësaj foljeje hebraike. Prandaj, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re arriti në përfundimin se emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Studiuesit kanë pikëpamje të ndryshme, ndaj nuk mund të jemi dogmatikë për këtë kuptim. Megjithatë, ky përkufizim përshtatet mirë me rolin e Jehovait si Krijuesi i gjithçkaje dhe Plotësuesi i qëllimit të tij. Ai jo vetëm shkaktoi ardhjen në ekzistencë të universit fizik dhe të krijesave inteligjente, por, ndërsa ngjarjet shpalosen, vazhdon të shkaktojë plotësimin e vullnetit dhe të qëllimit të tij.

Prandaj, domethënia e emrit Jehova nuk kufizohet vetëm me foljen përkatëse që gjendet tek Eksodi 3:​14, ku thuhet «Unë Do Të Bëhem Çdo Gjë Që Zgjedh Të Bëhem», ose «Unë Do Të Bëhem Çdo Gjë Që Dua Të Bëhem». Në kuptimin më të ngushtë, këto fjalë nuk përkufizojnë plotësisht emrin e Perëndisë. Përkundrazi, zbulojnë një aspekt të personalitetit të tij, duke treguar se ai bëhet çfarë nevojitet në çfarëdo rrethane, për të plotësuar qëllimin e tij. Kështu, ndonëse emri Jehova mund të përfshijë këtë ide, nuk kufizohet vetëm me atë që ai vetë zgjedh të bëhet. Emri përfshin edhe atë që Ai shkakton të ndodhë në lidhje me krijimin e tij dhe me plotësimin e qëllimit të tij.