Jeremia 7:1-34

  • Më kot mbështeten te tempulli i Jehovait (1-11)

  • Tempulli do të bëhet si Shilohu (12-15)

  • Dënohet adhurimi i rremë (16-34)

    • Adhurojnë Mbretëreshën e Qiejve (18)

    • Flijojnë fëmijët në Hinom (31)

7  Kjo është fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë: 2  «Rri te porta e shtëpisë së Jehovait dhe shpall atje këtë mesazh: “Dëgjoni fjalën e Jehovait, të gjithë ju, o popull i Judës, që hyni nëpër këto porta për t’u përkulur para Jehovait! 3  Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Ndreqini udhët e veprimet tuaja, dhe unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend.+ 4  Mos kini besim te fjalët mashtruese dhe mos thoni: “Ky është* tempulli i Jehovait, tempulli i Jehovait, tempulli i Jehovait!”+ 5  Por, nëse i ndreqni vërtet udhët e veprimet tuaja, nëse vërtet e mbroni drejtësinë në çështjet mes një njeriu dhe fqinjit të tij,+ 6  nëse nuk shtypni asnjë të ardhur, asnjë jetim* dhe asnjë vejushë,+ nëse nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nëse nuk shkoni pas perëndive të tjera në dëmin tuaj,+ 7  atëherë unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend, në tokën që u dhashë përgjithmonë* paraardhësve tuaj. 8  Por ju keni besim te fjalët mashtruese,+ dhe kjo nuk do t’ju sjellë aspak dobi. 9  Vallë mund të vidhni,+ të vritni, të kryeni kurorëshkelje, të bëni betime të rreme,+ t’i paraqitni flijime* Baalit,+ të shkoni pas perëndive të tjera që nuk i keni njohur, 10  dhe pastaj të vini e të rrini para meje në këtë shtëpi që mban emrin tim dhe të thoni “do të shpëtojmë”, pavarësisht nga gjithë gjërat e neveritshme që keni bërë? 11  Mos vallë kjo shtëpi që mban emrin tim është bërë shpellë kusarësh në sytë tuaj?!+ Ja, unë e kam parë këtë gjë,​—thotë Jehovai. 12  Megjithatë shkoni tani në shenjtëroren time në Shiloh,+ në vendin që kisha zgjedhur më përpara për emrin tim,+ dhe shihni se çfarë i bëra atij për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit.+ 13  Por ju keni vazhduar të bëni gjithë këto gjëra,​—thotë Jehovai,—dhe megjithëse unë ju kam folur herë pas here,* ju s’keni dëgjuar.+ Unë vazhdova t’ju thërritja, por ju s’jeni përgjigjur.+ 14  Prandaj, siç bëra me Shilohun,+ do të bëj edhe me shtëpinë që mban emrin tim,+ tek e cila keni besim,+ dhe me vendin që ju dhashë juve e paraardhësve tuaj. 15  Do t’ju flak larg meje, siç i flaka gjithë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.’”+ 16  Por ti mos u lut për këtë popull. Mos bëj as përgjërim, as lutje, as kërkesë për ta,+ sepse nuk do të të dëgjoj.+ 17  A nuk e sheh se ç’po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit? 18  Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë zënë brumin që të bëjnë kuleç flijimi për Mbretëreshën e Qiejve.*+ Ata derdhin blatime në pije për perënditë e tjera, që të më fyejnë.+ 19  ‘Pse mua po më lëndojnë vallë?!*​—thotë Jehovai.—​A nuk po lëndojnë veten, për turpin e tyre?’+ 20  Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, zemërimi dhe tërbimi im do të derdhen mbi këtë vend,+ mbi njerëzit e mbi kafshët, mbi pemët e fushës e mbi frytin e tokës; ai do të ndizet e nuk do të shuhet.’+ 21  Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shkoni, shtojuni flijimeve tuaja blatime të plota të djegura dhe hani mishin e tyre,+ 22  sepse ditën kur i nxora paraardhësit tuaj nga vendi i Egjiptit, nuk i urdhërova dhe as fola për blatime të plota të djegura dhe për flijime.+ 23  Vetëm i urdhërova: ‘Bindjuni zërit tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, e ju do të bëheni populli im.+ Duhet të ecni në të gjitha udhët që do t’ju urdhëroj, me qëllim që t’ju vejë mbarë.’+ 24  Megjithatë nuk dëgjuan dhe as e kthyen veshin nga unë,+ përkundrazi ecën sipas planeve* të tyre. Me kokëfortësi ndoqën zemrën e tyre të ligë+ dhe ecën prapa, e jo përpara, 25  që ditën kur paraardhësit tuaj dolën nga Egjipti e deri më sot.+ Prandaj i dërgova vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët, i dërgova ata çdo ditë, herë pas here.*+ 26  Por ky popull nuk pranoi të më dëgjonte dhe as e ktheu veshin nga unë.+ Përkundrazi, me kokëfortësi,* vepruan më keq se paraardhësit e tyre! 27  Ti do t’u thuash atyre të gjitha këto fjalë,+ por nuk do të të dëgjojnë, ti do t’i thërrasësh, por nuk do të të përgjigjen. 28  Do t’u thuash atyre: ‘Ky është kombi që nuk iu bind zërit të Jehovait, Perëndisë së tij, dhe që nuk e pranoi disiplinën. Besnikëria ka marrë fund dhe as nuk përmendet mes tyre.’*+ 29  Priti flokët e paprerë* dhe hidhi poshtë, e nisja një kënge të përvajshme* në kodrat e zhveshura, sepse Jehovai e ka hedhur poshtë dhe do ta braktisë këtë brez që e ka zemëruar kaq shumë. 30  ‘Populli i Judës ka bërë atë që është e keqe në sytë e mi,​—thotë Jehovai.—​Kanë vënë idhujt e tyre të pështirë në shtëpinë që mban emrin tim, që ta ndotin.+ 31  Kanë ngritur vendet e larta* të Tofetit, që ndodhet në Luginën e Birit të Hinomit,*+ për të djegur djemtë dhe vajzat e tyre në zjarr,+ diçka që nuk e kam urdhëruar dhe as më ka shkuar kurrë ndër mend.*+ 32  Prandaj po vijnë ditët,​—thotë Jehovai,—​kur nuk do të quhet më Tofet ose Lugina e Birit të Hinomit,* por Lugina e Vrasjes. Ata do t’i varrosin në Tofet, derisa të mos ketë më vend.+ 33  Kufomat e këtij populli do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës, e askush nuk do t’i përzërë.+ 34  Unë do t’i jap fund zërit të ngazëllimit e të gëzimit, zërit të dhëndrit e të nuses,+ në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, sepse vendi do të katandiset në një shkreti.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «Këto janë», duke iu referuar të gjitha godinave të zonës së tempullit.
^ Ose «fëmijë pa baba».
^ Ose «nga përjetësia në përjetësi».
^ Ose «tym blatimi».
^ Fjalë për fjalë «ju flitja duke u çuar herët».
^ Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
^ Ose «fyejnë; provokojnë».
^ Ose «këshillave».
^ Fjalë për fjalë «u çova herët e i dërgova ata çdo ditë».
^ Fjalë për fjalë «e ngurtësuan qafën».
^ Fjalë për fjalë «dhe është zhdukur nga goja e tyre».
^ Ose «flokët që simbolizojnë kushtimin tënd».
^ Ose «kënge vajtimi».
^ Shih Fjalorthin, «Gehena».
^ Ose «zemra ime nuk e ka dashur kurrë».
^ Shih Fjalorthin, «Gehena».