Jeremia 38:1-28
38 Tani Shefatiahu, biri i Matanit, Gedaliahu, biri i Pashkurit, Jukali,+ biri i Shelemiahut, dhe Pashkuri,+ biri i Malkijahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i thoshte popullit:
2 «Kështu thotë Jehovai: ‘Ai që do të rrijë në këtë qytet, do të vdesë nga shpata, nga zia e bukës dhe nga murtaja.*+ Kurse ai që do t’u dorëzohet* kaldeasve, do të vazhdojë të jetojë, do të ketë si shpërblim* jetën e vet dhe do ta ruajë gjallë atë.’+
3 Kështu thotë Jehovai: ‘Ky qytet do të bjerë patjetër në duart e ushtrisë së mbretit të Babilonisë, dhe ai do ta pushtojë.’»+
4 Princat i thanë mbretit: «Të lutemi, të vritet ky njeri,+ pasi me këto fjalë po shkurajon* luftëtarët që kanë mbetur në këtë qytet dhe popullin. Ky njeri nuk kërkon të mirën* e këtij populli, por të keqen.»
5 Atëherë mbreti Zedekia tha: «Ja, ai është në dorën tuaj; mbreti s’mund të bëjë asgjë për t’ju ndaluar.»
6 Kështu e morën Jereminë dhe e hodhën në sternën* e Malkijahut, birit të mbretit, e cila ndodhej tek Oborri i Rojës.+ Jereminë e lëshuan poshtë me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, prandaj Jeremia filloi të zhytej në baltë.
7 Etiopasi Ebed-Melek,+ një eunuk* në shtëpinë e mbretit,* mori vesh se Jereminë e kishin futur në sternë. Ndërkohë mbreti ishte ulur te Porta e Beniaminit.+
8 Kështu Ebed-Meleku doli nga shtëpia e mbretit, dhe shkoi e i tha:
9 «O mbret, zotëria im, ajo që i kanë bërë këta burra profetit Jeremia është e ligë. E kanë hedhur në sternë, dhe ai do të vdesë atje nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet.»+
10 Atëherë mbreti e urdhëroi etiopasin Ebed-Melek: «Merr me vete 30 burra nga ky vend dhe nxirre nga sterna profetin Jeremia para se të vdesë.»
11 Kështu Ebed-Meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit në një vend poshtë dhomës së thesarit,+ dhe mori që atje lecka e copa të vjetra e ia zbriti me litarë Jeremisë në sternë.
12 Pastaj etiopasi Ebed-Melek i tha Jeremisë: «Të lutem, vëri leckat dhe copat nën sqetull për t’u mbrojtur nga litarët.» Jeremia bëri ashtu,
13 dhe ata e tërhoqën me litarë dhe e nxorën nga sterna, pastaj Jeremia mbeti tek Oborri i Rojës.+
14 Mbreti Zedekia dërgoi njerëz të merrnin profetin Jeremia e ta çonin tek ai, te hyrja e tretë e shtëpisë së Jehovait. Ai i tha Jeremisë: «Do të të pyes për diçka, por mos më fshih asgjë.»
15 Jeremia iu përgjigj Zedekisë: «Po të të tregoj, me siguri do të më vrasësh. Edhe po të të këshilloja, ti nuk do të më dëgjoje.»
16 Por mbreti Zedekia iu betua Jeremisë fshehurazi: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron e që na ka dhënë jetën, nuk do të të vras dhe nuk do të të dorëzoj në duart e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde.»*
17 Atëherë Jeremia i tha Zedekisë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Nëse do t’u dorëzohesh* princave të Babilonisë, do të të kursehet jeta dhe këtij qyteti nuk do t’i vënë zjarrin, e ti bashkë me ata të shtëpisë sate do të jetoni.+
18 Por në rast se nuk u dorëzohesh* princave të Babilonisë, ky qytet do të bjerë në duart e kaldeasve, dhe ata do t’i vënë zjarrin,+ kurse ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre.’»+
19 Atëherë mbreti Zedekia i tha Jeremisë: «Kam frikë se mos më dorëzojnë në duart e judenjve që kanë kaluar nga ana e kaldeasve, dhe ata më trajtojnë mizorisht.»
20 Por Jeremia ia ktheu: «Nuk do të të dorëzojnë tek ata. Prandaj, të lutem, bindju fjalëve që Jehovai po të thotë nëpërmjet meje. Atëherë do të të shkojë mbarë, e ti do të jetosh.
21 Mirëpo, nëse nuk pranon të dorëzohesh,* Jehovai më ka treguar
22 se të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës, do t’i nxjerrin jashtë për te princat e mbretit të Babilonisë,+ dhe ato do të thonë:
‘Burrat të cilëve u besoje,* të kanë mashtruar dhe të kanë mposhtur,+e kanë bërë këmbën tënde të zhytet në baltë,e tani të kanë kthyer kurrizin.’
23 Tërë gratë dhe djemtë e tu po i nxjerrin jashtë te kaldeasit, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të kapë mbreti i Babilonisë.+ E për shkakun tënd, këtij qyteti do t’i vihet zjarri.»+
24 Atëherë Zedekia i tha Jeremisë: «Të mos i marrë vesh askush këto gjëra, që të mos vdesësh.
25 Nëse princat dëgjojnë se kam folur me ty dhe vijnë e të pyesin: ‘Të lutem, na thuaj për çfarë fole me mbretin. Mos na fshih asgjë, që të mos të vrasim.+ Ç’të tha mbreti?’,
26 thuaju: ‘Po i kërkoja mbretit që të mos më kthente në shtëpinë e Jehonatanit e të vdisja atje.’»+
27 Pas njëfarë kohe, princat shkuan te Jeremia dhe e pyetën. Ai iu përgjigj tamam siç e kishte urdhëruar mbreti. Kështu ata e lanë të qetë, sepse asnjë nuk e kishte dëgjuar bisedën.
28 Deri ditën kur Jerusalemi u pushtua, Jeremia qëndroi në Oborrin e Rojës;+ ishte ende atje kur Jerusalemi u pushtua.+
Shënimet
^ Ose «sëmundja».
^ Fjalë për fjalë «që u del para».
^ Fjalë për fjalë «plaçkë».
^ Fjalë për fjalë «po u dobëson duart».
^ Fjalë për fjalë «paqen».
^ Domethënë, depon e nëndheshme për të mbledhur ujë.
^ Ose «zyrtar oborri».
^ Ose «pallatin mbretëror».
^ Fjalë për fjalë «kërkojnë shpirtin tënd».
^ Fjalë për fjalë «u del para».
^ Fjalë për fjalë «nuk u del para».
^ Fjalë për fjalë «të dalësh para».
^ Fjalë për fjalë «Burrat që ishin në paqe me ty».