Jeremia 27:1-22
27 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit,* birit të Josisë, mbretit të Judës, Jehovai i drejtoi këto fjalë Jeremisë:
2 «Kështu më tha Jehovai: “Bëj litarë dhe zgjedha, e vër një në qafë.
3 Pastaj, nëpërmjet lajmëtarëve që kanë ardhur në Jerusalem te Zedekia, mbreti i Judës, dërgoja mbretit të Edomit,+ mbretit të Moabit,+ mbretit të amonitëve,+ mbretit të Tirit+ dhe mbretit të Sidonit.+
4 Jepu këtë urdhër për zotërinjtë e tyre:
‘Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit; zotërinjve tuaj duhet t’u thoni kështu:
5 “Isha unë që me forcën time të madhe dhe me krahun tim të fuqishëm* bëra tokën, njerëzit dhe kafshët që janë në sipërfaqen e tokës, dhe ia kam dhënë atij që më pëlqen.*+
6 E tani i dhashë gjithë këto vende në duart e shërbëtorit tim Nabukodonosor,+ mbretit të Babilonisë, madje edhe egërsirat e fushës ia dhashë atij, që t’i shërbejnë.
7 Tërë kombet do t’i shërbejnë atij, të birit dhe të nipit, derisa t’i vijë koha edhe vendit të tij,+ kur shumë kombe e mbretër të mëdhenj do ta bëjnë skllavin e tyre.+
8 Nëse ndonjë komb a mbretëri refuzon t’i shërbejë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe nuk pranon ta vërë në qafë zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta ndëshkoj me shpatë,+ zi buke dhe murtajë,*—thotë Jehovai,—derisa ta shfaros nëpërmjet dorës së tij.
9 Prandaj mos i dëgjoni profetët, fallxhorët, ëndërrimtarët, ata që merren me magji dhe shtriganët që ju thonë: ‘Ju nuk do t’i shërbeni mbretit të Babilonisë’,
10 sepse ata po profetizojnë gënjeshtra, që unë t’ju largoj nga vendi juaj dhe t’ju shpërndaj, e kështu të merrni fund.
11 Por atë komb që do ta vërë në qafë zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t’i shërbejë, unë do ta lë të mbetet* në tokën e vet,—thotë Jehovai,—që ta kultivojë e të banojë në të.”’”»
12 Edhe Zedekisë,+ mbretit të Judës, i fola në të njëjtën mënyrë dhe i thashë: «Vëreni në qafë zgjedhën e mbretit të Babilonisë e shërbejini atij dhe popullit të tij, e kështu do të jetoni.+
13 Pse të vdesësh ti dhe populli yt, nga shpata,+ zia e bukës+ dhe murtaja,+ siç ka thënë Jehovai për atë komb që nuk do t’i shërbejë mbretit të Babilonisë?
14 Mos i dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: ‘Ju nuk do t’i shërbeni aspak mbretit të Babilonisë’,+ sepse po profetizojnë gënjeshtra.+
15 Nuk i kam dërguar unë,—thotë Jehovai,—por ata po profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, që unë t’ju shpërndaj e të merrni fund, ju bashkë me profetët që profetizojnë.»+
16 Priftërinjve dhe tërë këtij populli i thashë: «Kështu thotë Jehovai: “Mos i dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që profetizojnë: ‘Ja, pajisjet e shtëpisë së Jehovait do t’i kthejnë shumë shpejt nga Babilonia!’+ Ata profetizojnë gënjeshtra.+
17 Mos i dëgjoni! Shërbejini mbretit të Babilonisë dhe do të jetoni.+ Pse të rrënohet ky qytet?!
18 Por nëse ata janë profetë dhe në qoftë se kanë fjalën e Jehovait, le t’i përgjërohen Jehovait të ushtrive, që të mos çohen në Babiloni pajisjet që kanë mbetur në shtëpinë e Jehovait, në shtëpinë e mbretit* të Judës dhe në Jerusalem.
19 Në fakt kështu thotë Jehovai i ushtrive për shtyllat,+ Detin,*+ karrocat+ dhe pajisjet e tjera që kanë mbetur në këtë qytet,
20 të cilat Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, nuk i mori kur çoi në mërgim nga Jerusalemi në Babiloni Jekoninë, birin e Jehojakimit, mbretin e Judës, bashkë me gjithë fisnikët e Judës e të Jerusalemit;+
21 kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për pajisjet që kanë mbetur në shtëpinë e Jehovait, në shtëpinë e mbretit të Judës e në Jerusalem:
22 ‘Ato do t’i çojnë në Babiloni,+ dhe atje do të mbeten deri ditën që unë do t’i kujtoj,—thotë Jehovai.—Atëherë do t’i sjell dhe do t’i vendos prapë në këtë vend.’”»+
Shënimet
^ Ose «të Zedekisë», sipas disa dorëshkrimeve të lashta.
^ Fjalë për fjalë «të shtrirë».
^ Fjalë për fjalë «atij që më duket i drejtë në sytë e mi».
^ Ose «sëmundje».
^ Fjalë për fjalë «do ta lë të qetë».
^ Ose «pallatin mbretëror».
^ Domethënë, Detin prej bakri të tempullit.