Jeremia 37:1-21

  • Kaldeasit tërhiqen vetëm përkohësisht (1-10)

  • Jereminë e burgosin (11-16)

  • Zedekia takohet me Jereminë (17-21)

    • Jeremisë i sigurojnë bukë (21)

37  Mbreti Zedekia,+ biri i Josisë, filloi të mbretëronte në vend të Koniahut,*+ birit të Jehojakimit, sepse Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, e vuri atë mbret në vendin e Judës.+  Por ai bashkë me shërbëtorët e tij dhe popullin e vendit nuk i dëgjuan fjalët që tha Jehovai me anë të profetit Jeremia.  Mbreti Zedekia dërgoi te profeti Jeremia Jehukalin,+ birin e Shelemiahut, dhe Sofoninë,+ birin e priftit Masejah, që t’i thoshin: «Të lutemi, lutju për ne Jehovait, Perëndisë tonë.»  Jeremia lëvizte lirisht mes popullit, sepse nuk e kishin futur ende në burg.+  Tani, ushtria e faraonit ishte nisur nga Egjipti,+ dhe kaldeasit që kishin rrethuar Jerusalemin e dëgjuan këtë lajm, prandaj u tërhoqën nga Jerusalemi.+  Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua profetit Jeremia:  «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Mbretit të Judës që ju dërgoi të kërkoni drejtimin tim, thuajini këtë: ‘Ja, ushtria e faraonit që po vjen për t’ju ndihmuar, ka për t’u kthyer në vendin e vet, në Egjipt.+  E kaldeasit do të kthehen e do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë dhe do t’i vënë zjarrin.’+  Kështu thotë Jehovai: ‘Mos e gënjeni veten duke thënë: “Kaldeasit do të ikin nga ne”, sepse ata nuk do të ikin. 10  Edhe sikur të shpartalloni gjithë ushtrinë e kaldeasve që po lufton kundër jush, dhe të mbeten mes tyre vetëm të plagosurit, përsëri ata do të ngrihen nga tendat e tyre dhe do t’i vënë zjarrin këtij qyteti.’”»+ 11  Kur ushtria e kaldeasve ishte tërhequr nga Jerusalemi, për shkak të ushtrisë së faraonit,+ 12  Jeremia doli nga Jerusalemi dhe shkoi në vendin e Beniaminit,+ që të merrte atje pronën e vet në mes të popullit të tij. 13  Por, kur mbërriti te Porta e Beniaminit, zyrtari që mbikëqyrte rojat, i cili quhej Irijah, biri i Shelemiahut, birit të Hananiahut, e kapi profetin Jeremia e i tha: «Ti po kalon nga ana e kaldeasve!» 14  Por Jeremia ia ktheu: «S’është e vërtetë! S’po kaloj nga ana e kaldeasve.» Megjithatë ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jereminë dhe e çoi te princat. 15  Princat u tërbuan me Jereminë,+ e rrahën dhe e burgosën*+ te shtëpia e sekretarit Jehonatan, që e kishin kthyer në burg. 16  Jereminë e futën në qelitë e burgut të nëndheshëm* dhe mbeti atje shumë ditë. 17  Më pas mbreti Zedekia dërgoi njerëz që ta sillnin në shtëpinë e vet* dhe e pyeti fshehurazi:+ «A ka ndonjë fjalë nga Jehovai?» Jeremia ia ktheu: «Po, ka!» E i tha më tej: «Do të biesh në duart e mbretit të Babilonisë!»+ 18  Jeremia i tha gjithashtu mbretit Zedekia: «Ç’mëkat kam bërë kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu dhe kundër popullit tënd, që më futët në burg? 19  Ku janë, pra, profetët tuaj që ju profetizonin: ‘Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush dhe kundër këtij vendi.’+ 20  Tani, të lutem, më dëgjo o mbret, zotëria im. Të lutem, pranoje kërkesën time: mos më kthe përsëri te shtëpia e sekretarit Jehonatan,+ përndryshe do të vdes atje.»+ 21  Kështu mbreti Zedekia dha urdhër që Jereminë ta mbanin nën arrest tek Oborri i Rojës.+ Çdo ditë i sillnin një bukë të rrumbullakët nga rruga e bukëpjekësve,+ derisa mbaroi buka në qytet.+ E Jeremia vazhdoi të qëndronte në Oborrin e Rojës.

Shënime në fund të faqes

Quhet edhe Jehojakin dhe Jekonia.
Fjalë për fjalë «Nabukodrezari», një variant tjetër i këtij emri.
Fjalë për fjalë «e futën në shtëpinë e vargonjve».
Fjalë për fjalë «e shtëpisë së sternës».
Ose «në pallatin e vet mbretëror».