Libri i dytë i Kronikave 9:1-31

  • Mbretëresha e Shebës viziton Solomonin (1-12)

  • Pasuria e Solomonit (13-28)

  • Vdekja e Solomonit (29-31)

9  Tani, mbretëresha e Shebës+ dëgjoi për famën e Solomonit, prandaj erdhi në Jerusalem ta vinte në provë me pyetje të ndërlikuara.* Bashkë me të ishte një grup mbresëlënës me shërbëtorë,* me deve të ngarkuara me vaj balsami dhe me sasi të mëdha ari+ e gurë të çmuar. Ajo shkoi te Solomoni dhe e pyeti për gjithçka që kishte në zemër.+  Atëherë Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj; nuk kishte asgjë tepër të vështirë* për Solomonin që të mos dinte t’ia shpjegonte.  Kur mbretëresha e Shebës pa mençurinë e Solomonit,+ shtëpinë që kishte ndërtuar,+  ushqimin në tryezën e tij,+ vendet ku uleshin shërbëtorët në tryezën e tij, shërbimin që bënin kamerierët dhe veshjet e tyre, kupëmbajtësit dhe veshjet e tyre, si dhe flijimet e djegura që bënte rregullisht në shtëpinë e Jehovait,+ ajo ngeli pa mend.*  Atëherë i tha mbretit: «Gjithçka që dëgjova në vendin tim për arritjet* e tua dhe për mençurinë tënde, dolën të vërteta.  Nuk i besova ato që dëgjova, derisa erdha vetë e i pashë me sytë e mi.+ Dhe ja, nuk më kishin treguar as për gjysmën e mençurisë sate të madhe.+ Ti ia tejkalon gjithçkaje që kam dëgjuar.+  Lum njerëzit dhe shërbëtorët e tu që qëndrojnë vazhdimisht para teje e dëgjojnë mençurinë tënde!  Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia yt, që ka gjetur kënaqësi te ti dhe të ka vënë në fronin e tij si mbret për Jehovain, Perëndinë tënd! Meqë Perëndia yt e do Izraelin+ dhe do që ai të vazhdojë përgjithmonë, të caktoi ty mbi të si mbret që të japësh gjykim të drejtë dhe të mbretërosh me drejtësi.»  Pastaj ajo i dha mbretit 120 talenta* ari,+ një sasi të madhe vaji balsami e gurësh të çmuar. Askush nuk solli më aq shumë vaj balsami në vend, sa i solli mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.+ 10  Përveç kësaj, shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Solomonit që sillnin ar nga Ofiri,+ sillnin edhe dru algumi* dhe gurë të çmuar.+ 11  Me drurin e algumit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Jehovait+ dhe për shtëpinë e vet,*+ si dhe harpa e instrumente me tela për këngëtarët.+ Si ai dru nuk ishte parë kurrë më parë në vendin e Judës. 12  Mbreti Solomon gjithashtu i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo deshi dhe kërkoi, shumë më tepër* nga ç’i kishte sjellë ajo mbretit. Pastaj ajo, bashkë me shërbëtorët e saj, iku dhe u kthye në vendin e vet.+ 13  Çdo vit Solomoni merrte 666 talenta ari,+ 14  përveç asaj që sillnin tregtarët shëtitës dhe tregtarët e tjerë, dhe përveç arit e argjendit që i sillnin Solomonit gjithë mbretërit e arabëve e guvernatorët e vendit.+ 15  Mbreti Solomon bëri 200 mburoja të mëdha prej ari të përzier+ (secilën e veshi me 600 sikla* ari të përzier)+ 16  dhe 300 shqyte* prej ari të përzier (secilin e veshi me tri mina* ar). Pastaj mbreti i vuri ato në Shtëpinë e Pyllit të Libanit.+ 17  Ai bëri edhe një fron të madh të fildishtë dhe e veshi me ar të kulluar.+ 18  Deri te froni kishte gjashtë shkallë dhe ngjitur me të ishte një stol këmbësh prej ari. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe anash tyre qëndronin dy luanë.+ 19  Gjithashtu, në secilën nga 6 shkallët, në të dyja anët, qëndronte nga një luan, gjithsej 12 luanë.+ Asnjë mbretëri tjetër nuk kishte një fron si ky. 20  Të gjitha enët me të cilat pinte mbreti Solomon ishin prej ari, dhe të gjitha pajisjet e Shtëpisë së Pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. S’kishte asgjë prej argjendi, sepse në ditët e Solomonit argjendi konsiderohej pa vlerë.+ 21  Anijet e mbretit shkonin në Tarshish+ me shërbëtorët e Hiramit,+ dhe një herë në tre vjet anijet e Tarshishit sillnin ar, argjend, fildish,+ majmunë dhe pallonj. 22  Kështu mbreti Solomon ishte më i pasur dhe më i mençur se gjithë mbretërit e tjerë të tokës.+ 23  Tërë mbretërit e tokës kërkonin ta takonin Solomonin* për të dëgjuar mençurinë që i kishte dhënë* Perëndia i vërtetë.+ 24  Të gjithë sillnin dhurata: sende argjendi, sende ari, rroba,+ armë, vaj balsami, kuaj dhe mushka. Kjo vazhdoi vit pas viti. 25  Solomoni kishte 4.000 stalla për kuajt dhe për karrocat e tij, si edhe 12.000 kuaj,*+ që i mbante në qytetet e karrocave dhe pranë mbretit në Jerusalem.+ 26  Ai sundoi mbi gjithë mbretërit, që nga Lumi* deri në vendin e filistinëve dhe deri në kufirin e Egjiptit.+ 27  Mbreti bëri që në Jerusalem argjendi të ishte i shumtë si gurët, kurse drurët e cedrit të ishin me bollëk si fiqtë e Egjiptit në Shefelah.+ 28  Solomonit i sillnin kuaj nga Egjipti+ dhe nga gjithë vendet e tjera. 29  Pjesa tjetër e historisë së Solomonit,+ nga fillimi deri në fund, a nuk është shkruar në fjalët e profetit Natan,+ në profecinë e shilonitit Akijah+ dhe në përmbledhjen e vegimeve* të vegimtarit Ido+ për Jeroboamin,+ birin e Nebatit? 30  Solomoni mbretëroi 40 vjet në Jerusalem, mbi gjithë Izraelin. 31  Në fund Solomoni u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit, atit të vet;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Rehoboami.+

Shënime në fund të faqes

Ose «gjëegjëza».
Ose «një shpurë mbresëlënëse».
Fjalë për fjalë «asgjë të fshehur».
Fjalë për fjalë «s’i mbeti më frymë».
Ose «fjalët».
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Një dru i çmuar që përdoret për të bërë produkte të cilësisë së lartë.
Ose «pallatin mbretëror».
Një mundësi tjetër «përveç dhuratave me të njëjtën vlerë».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Mburojë e vogël që shpesh e mbanin harkëtarët.
Një minë në Shkrimet Hebraike ishte 570 g. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «kërkonin fytyrën e Solomonit».
Ose «mençurinë që i kishte vënë në zemër».
Ose «kalorës».
Domethënë, Eufrati.