Libri i dytë i Kronikave 20:1-37

  • Kombet fqinje kërcënojnë Judën (1-4)

  • Jehozafati lutet për ndihmë (5-13)

  • Përgjigjja e Jehovait (14-19)

  • Juda shpëton në mënyrë të mrekullueshme (20-30)

  • Fundi i sundimit të Jehozafatit (31-37)

20  Më pas moabitët,+ amonitët+ dhe disa prej amonimëve* erdhën të luftonin kundër Jehozafatit. 2  Kështu Jehozafatit i treguan: «Kundër teje ka ardhur një ushtri e madhe nga rajoni i detit,* nga Edomi,+ dhe ja, janë në Hazazon-Tamar, domethënë në En-Gedi.»+ 3  Atëherë Jehozafati u frikësua dhe vendosi* që të kërkonte Jehovain.+ Prandaj shpalli një agjërim për gjithë Judën. 4  Atëherë populli i Judës u mblodh për t’i kërkuar ndihmë Jehovait.+ Erdhën nga të gjitha qytetet e Judës që të konsultoheshin me* Jehovain. 5  Kështu Jehozafati u çua në këmbë përpara kongregacionit të Judës dhe të Jerusalemit, në shtëpinë e Jehovait, para oborrit të ri, 6  dhe tha: «O Jehova, Perëndia i paraardhësve tanë, ti je i vetmi Perëndi në qiej.+ A nuk ke ti pushtet mbi gjithë mbretëritë e kombeve?+ Në dorën tënde janë fuqia dhe madhështia, dhe askush nuk të bën dot ballë.+ 7  A nuk i përzure ti, o Perëndia ynë, banorët e këtij vendi para popullit tënd, Izraelit, dhe pastaj ua dhe si zotërim të përhershëm pasardhësve* të Abrahamit, mikut tënd?+ 8  Ata u vendosën këtu e ndërtuan një shenjtërore për emrin tënd,+ dhe thanë: 9  ‘Nëse mbi ne bie ndonjë e keqe—shpata, gjykimi i pafavorshëm, murtaja ose zia e bukës—ne do të qëndrojmë para teje dhe para kësaj shtëpie (sepse emri yt është në këtë shtëpi),+ do të të thërrasim për ndihmë kur të jemi në hall dhe, të lutemi, na dëgjo e na shpëto.’+ 10  Ja ku janë burrat e Amonit, të Moabit dhe të rajonit malor të Seirit,+ vende që ti nuk e lejove Izraelin t’i pushtonte kur po dilte nga vendi i Egjiptit, e Izraeli u largua dhe nuk i shfarosi.+ 11  Mirëpo këta po na e shpërblejnë duke ardhur për të na dëbuar nga prona që ti na dhe si trashëgimi.+ 12  O Perëndia ynë, a nuk do të ekzekutosh gjykimin mbi ta?+ Ne jemi të pafuqishëm para kësaj ushtrie të madhe që po vjen kundër nesh dhe nuk dimë se ç’duhet të bëjmë,+ por sytë i kemi drejtuar nga ti.»+ 13  Ndërkohë tërë njerëzit e Judës po qëndronin në këmbë para Jehovait, bashkë me gratë e fëmijët* e tyre, ku përfshiheshin edhe më të vegjlit. 14  Atëherë, në mes të kongregacionit, fryma e Jehovait erdhi mbi Jahazielin, birin e Zakarisë, bir i Benajahut, bir i Jejelit, bir i Mataniahut, levit nga bijtë e Asafit. 15  Ai tha: «Më kushtoni vëmendje, tërë ti Judë, ju banorë të Jerusalemit, dhe ti, o mbret Jehozafat! Ja çfarë ju thotë Jehovai: ‘Mos kini frikë, as mos u tmerroni për shkak të kësaj ushtrie të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë!+ 16  Nesër dilni kundër tyre. Ata do të vijnë nga shtegu i Zizit, dhe do t’i gjeni në fund të luginës,* përpara shkretëtirës së Jeruelit. 17  Në këtë betejë nuk keni nevojë të luftoni. Zini vend, rrini pa lëvizur+ dhe shihni se si do t’ju shpëtojë Jehovai!+ O Judë dhe Jerusalem, mos kini frikë, as mos u tmerroni!+ Nesër dilni kundër tyre, dhe Jehovai do të jetë me ju!’»+ 18  Menjëherë Jehozafati u përkul me fytyrë përtokë dhe tërë Juda e banorët e Jerusalemit u përkulën para Jehovait për të adhuruar Jehovain. 19  Pastaj levitët që ishin pasardhës të kehathitëve+ dhe të korahitëve u ngritën të lëvdonin Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me një zë shumë të lartë.+ 20  Ata u çuan herët në mëngjes dhe dolën në shkretëtirën e Tekoas.+ Ndërsa dilnin, Jehozafati u ngrit dhe tha: «Më dëgjoni, o Judë dhe ju, o banorë të Jerusalemit! Tregoni besim te Jehovai, Perëndia juaj, që të qëndroni të patundur!* Kini besim te profetët e tij,+ që të keni sukses!» 21  Pasi u konsultua* me popullin, caktoi burra që të këndonin+ për Jehovain dhe t’i thurnin lavde, të stolisur me veshje të shenjta. Këta shkonin përpara burrave të armatosur dhe thoshin: «Falënderoni Jehovain, sepse dashuria e tij besnike zgjat përjetë!»+ 22  Kur filluan të këndonin lavde me gëzim, Jehovai u ngriti pritë burrave të Amonit, të Moabit dhe të rajonit malor të Seirit, të cilët po vinin të pushtonin Judën, dhe ata vranë njëri-tjetrin.+ 23  Amonitët dhe moabitët u çuan kundër banorëve të rajonit malor të Seirit+ për t’i shkatërruar dhe për t’i shfarosur. Me të mbaruar me banorët e Seirit, ata shkatërruan njëri-tjetrin.+ 24  Por kur Juda arriti te kulla e rojës në shkretëtirë+ për të parë ushtrinë, vunë re se gjithandej përtokë dergjeshin kufomat e tyre;+ nuk kishte mbijetuar asnjë. 25  Kështu Jehozafati dhe populli i tij erdhën për t’i plaçkitur dhe gjetën mes tyre plot gjëra materiale, rroba e sende me vlerë, nga të cilat morën për vete aq sa nuk mund të mbanin më.+ Iu deshën tri ditë për t’i plaçkitur, pasi kishte shumë plaçkë. 26  Ditën e katërt u mblodhën në Luginën* e Berakahut për të lëvduar* Jehovain. Ja pse atij vendi ia vunë emrin Lugina e Berakahut,*+ dhe kështu quhet deri më sot. 27  Pastaj të gjithë burrat e Judës dhe të Jerusalemit, me Jehozafatin në krye, u kthyen tërë gëzim në Jerusalem, sepse Jehovai u kishte dhënë fitoren mbi armiqtë.+ 28  Ata erdhën në Jerusalem me instrumente me tela, me harpa+ e me trumbeta+ dhe shkuan në shtëpinë e Jehovait.+ 29  Kur dëgjuan që Jehovai kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit, të gjitha mbretëritë i zuri tmerri nga Perëndia.+ 30  Kështu mbretëria e Jehozafatit nuk pati trazira, dhe Perëndia i tij vazhdoi t’i jepte paqe në çdo anë.+ 31  Jehozafati vazhdoi të mbretëronte në Judë. Ai ishte 35 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 25 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Azubaja dhe ishte vajza e Shilhit.+ 32  Ai eci në udhën e të atit, Asës,+ dhe nuk u largua prej saj, por bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait.+ 33  Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën+ dhe populli nuk e kishte përgatitur ende zemrën për Perëndinë e paraardhësve të tij.+ 34  Pjesa tjetër e historisë së Jehozafatit, nga fillimi në fund, është shkruar në fjalët e Jehut,+ birit të Hananit,+ që janë përfshirë në Librin e Mbretërve të Izraelit. 35  Pas kësaj Jehozafati, mbreti i Judës, lidhi një aleancë me Ahaziahun, mbretin e Izraelit, i cili veproi me ligësi.+ 36  Ai u bë ortak me të për të ndërtuar anije që të shkonin në Tarshish.+ Ata i ndërtuan anijet në Ezion-Geber.+ 37  Por Eliezeri, biri i Dodavahut nga Maresha, profetizoi kundër Jehozafatit: «Meqenëse lidhe aleancë me Ahaziahun, Jehovai do ta shkatërrojë punën tënde.»+ Prandaj anijet u shkatërruan+ dhe nuk mund të shkonin në Tarshish.

Shënimet

^ Një mundësi tjetër «meunitëve».
^ Ka të ngjarë, Deti i Vdekur.
^ Fjalë për fjalë «ktheu fytyrën».
^ Ose «që të kërkonin drejtimin e».
^ Fjalë për fjalë «farës».
^ Fjalë për fjalë «bijtë».
^ Ose «të vadit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «që të duroni».
^ Ose «u këshillua».
^ Ose «Ultësirën».
^ Fjalë për fjalë «për të bekuar».
^ Do të thotë «e bekimit».