Libri i dytë i Kronikave 16:1-14

  • Marrëveshja e Asës me Sirinë (1-6)

  • Hanani qorton Asën (7-10)

  • Vdekja e Asës (11-14)

16  Vitin e 36-të të mbretërimit të Asës, Basha,+ mbreti i Izraelit, doli kundër Judës dhe nisi të fortifikonte* Ramahun,+ që të mos lejonte asnjë të dilte ose të hynte në territorin e* Asës, mbretit të Judës.+ 2  Atëherë Asa nxori nga thesari i shtëpisë së Jehovait+ dhe i shtëpisë së mbretit* argjend e ar, ia çoi Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë,+ i cili banonte në Damask, dhe i tha: 3  «Mes meje e teje dhe mes atit tim e atit tënd ka një marrëveshje.* Po të dërgoj argjend dhe ar. Prishe, pra, marrëveshjen me Bashën, mbretin e Izraelit, që ai të tërhiqet nga unë.» 4  Ben-Hadadi e dëgjoi mbretin Asa dhe dërgoi kundër qyteteve të Izraelit krerët e ushtrive të tij. Ata pushtuan Ijonin,+ Danin,+ Abel-Maimin, si dhe tërë depot e qyteteve të Neftalit.+ 5  Kur e mori vesh, Basha e ndërpreu menjëherë fortifikimin* e Ramahut dhe i la punimet. 6  Atëherë mbreti Asa mblodhi gjithë Judën për të marrë gurët e drutë e Ramahut+ që Basha i kishte përdorur për ndërtim,+ dhe me ta fortifikoi* Gebën+ e Mizpahun.+ 7  Në atë kohë, parashikuesi Hanan+ erdhi tek Asa, mbreti i Judës, dhe i tha: «Meqë u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete te Jehovai, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të iku nga duart.+ 8  A nuk erdhën etiopasit dhe libianët me një ushtri shumë të madhe, me karroca e kalorës të shumtë? E megjithatë Jehovai i dha në duart e tua, ngaqë ti u mbështete tek ai.+ 9  Vërtet, sytë e Jehovait vështrojnë me kujdes gjithë tokën,+ që të tregojë forcën* e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.+ Në këtë rast ti ke vepruar pa mend dhe, tani e tutje, kundër teje do të ketë luftëra.»+ 10  Por Asa u fye nga parashikuesi dhe e futi atë në burg,* sepse u tërbua për shkak të fjalëve që i tha. Në të njëjtën kohë, Asa nisi të keqtrajtonte edhe disa të tjerë nga populli. 11  Historia e Asës, nga fillimi deri në fund, është shkruar në Librin e Mbretërve të Judës dhe të Izraelit.+ 12  Vitin e 39-të të mbretërimit, Asa u sëmur nga këmbët dhe u rëndua shumë. Mirëpo, edhe pse i sëmurë, ai nuk i kërkoi ndihmë Jehovait, por shëruesve. 13  Në fund Asa u preh me paraardhësit e vet;+ vdiq në vitin e 41-të mbretërimit të tij. 14  Kështu, e varrosën në varrezën madhështore që kishte hapur në Qytetin e Davidit.+ E vunë në një vig* ku kishin derdhur vaj balsami dhe një pomadë të veçantë të përgatitur me përbërës të ndryshëm.+ Veç kësaj, i bënë një funeral madhështor, ku dogjën për të një sasi të madhe bimësh aromatike.

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «të dilte ose të hynte tek».
^ Ose «të rindërtonte».
^ Ose «i pallatit mbretëror».
^ Ose «besëlidhje».
^ Ose «rindërtimin».
^ Ose «rindërtoi».
^ Ose «mbështetjen».
^ Fjalë për fjalë «në shtëpinë e fallakasë».
^ Ose «shtrat portativ».