Libri i dytë i Kronikave 13:1-22

  • Abijahu, mbret i Judës (1-22)

    • Abijahu mund Jeroboamin (3-20)

13  Në vitin e 18-të të mbretërimit të Jeroboamit, në Judë u bë mbret Abijahu.+ 2  Ai mbretëroi tre vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Mikajaha+ dhe ishte vajza e Urielit nga Gibeahu.+ Mes Abijahut dhe Jeroboamit kishte luftë.+ 3  Abijahu doli në luftë me një ushtri prej 400.000 luftëtarësh të fuqishëm e të stërvitur;*+ edhe Jeroboami u rreshtua në formacion luftimi kundër tij me 800.000 burra të stërvitur,* luftëtarë të fuqishëm. 4  Ndërsa qëndronte në malin e Zemaraimit, i cili gjendet në rajonin malor të Efraimit, Abijahu i tha: «Dëgjomë, o Jeroboam dhe mbarë ti, o Izrael! 5  A nuk e dini se vetë Jehovai, Perëndia i Izraelit, ia dha përgjithmonë+ mbretërinë në Izrael Davidit dhe bijve të tij,+ me anë të një besëlidhjeje kripe?*+ 6  Por Jeroboami,+ biri i Nebatit, shërbëtori i Solomonit, birit të Davidit, u ngrit e u rebelua kundër zotërisë së tij.+ 7  Me të u bashkuan edhe burra që sorollateshin kot, njerëz të pavlerë. Ata dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, që ishte i ri e u frikësua, ndaj nuk u bëri dot ballë. 8  Ju mendoni se mund t’i bëni ballë mbretërisë së Jehovait, që është në dorë të bijve të Davidit, ngaqë jeni një turmë e madhe dhe keni me vete viçat prej ari që Jeroboami bëri për ju si perëndi.+ 9  A nuk i keni dëbuar priftërinjtë e Jehovait,+ pasardhësit e Aronit dhe levitët, dhe a nuk i keni emëruar vetë priftërinjtë tuaj si bëjnë popujt e vendeve të tjera?+ Kushdo që vjen me* një dem të ri dhe shtatë desh bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi. 10  Sa për ne, Jehovai është Perëndia ynë,+ të cilin nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë tanë, pasardhësit e Aronit, po i shërbejnë Jehovait, dhe levitët po i ndihmojnë. 11  Ata i paraqitin Jehovait tymin e blatimeve të djegura dhe temjanin aromatik+ çdo mëngjes e çdo mbrëmje,+ bukët e vëna stivë*+ janë mbi tryezën prej ari të kulluar dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin prej ari+ me llambat e tij,+ sepse ne i përmbushim përgjegjësitë që kemi ndaj Jehovait, Perëndisë tonë, kurse ju e keni braktisur. 12  Ja, ne kemi në krye Perëndinë e vërtetë dhe priftërinjtë e tij me trumbetat që japin sinjalin për betejë kundër jush. O burra të Izraelit, mos luftoni kundër Jehovait, Perëndisë së paraardhësve tuaj, sepse nuk do t’ia dilni mbanë!»+ 13  Jeroboami dërgoi trupa që t’u ngrinte një pritë nga pas burrave të Judës. Kështu, ai me njerëzit e tij ishin përballë Judës, kurse ata të pritës ishin pas. 14  Kur burrat e Judës u kthyen dhe panë se po i sulmonin njëkohësisht para e pas, filluan t’i thërritnin për ndihmë Jehovait,+ ndërsa priftërinjtë u binin fort trumbetave. 15  Burrat e Judës lëshuan një britmë lufte dhe, kur e bënë këtë, Perëndia i vërtetë e mundi Jeroboamin dhe gjithë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës. 16  Izraelitët ia mbathën para Judës, e Perëndia i dha në duart e tyre. 17  Abijahu dhe populli bënë një masakër të madhe. Nga Izraeli ranë të vrarë 500.000 burra të stërvitur.* 18  Kështu, në atë kohë, burrat e Izraelit u poshtëruan, kurse burrat e Judës dolën më të fortë, sepse u mbështetën te Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tyre.+ 19  Abijahu vazhdoi ta ndiqte Jeroboamin dhe pushtoi disa qytete të tij: Bethelin+ me fshatrat e tij, Jeshanahun me fshatrat e tij dhe Efrainin+ me fshatrat e tij. 20  Në ditët e Abijahut, Jeroboami nuk e pati më kurrë të njëjtën forcë si më parë. Jehovai e ndëshkoi, e kështu ai vdiq.+ 21  Kurse Abijahu bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. Me kalimin e kohës, ai mori 14 gra+ dhe u bë baba i 22 djemve e 16 vajzave. 22  Pjesa tjetër e historisë së Abijahut, veprat dhe fjalët e tij, janë shkruar në dokumentet* e profetit Ido.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
^ Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
^ Domethënë, të një besëlidhjeje të përhershme dhe të pandryshueshme.
^ Fjalë për fjalë «vjen që të mbushë duart me».
^ Domethënë, bukët e paraqitjes. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
^ Ose «shtjellimin; komentarin».