Libri i dytë i Kronikave 5:1-14

  • Përgatitjet për inaugurimin e tempullit (1-14)

    • Arkën e ngjitin në tempull (2-10)

5  Kështu Solomoni përfundoi gjithë punën që iu desh të bënte për shtëpinë e Jehovait.+ Pastaj Solomoni futi brenda gjërat që kishte shenjtëruar Davidi,+ ati i tij, dhe argjendin, arin e sendet i vuri në thesarin e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë.+  Atëherë Solomoni mblodhi pleqtë e Izraelit, pra gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e shtëpive atërore të Izraelit. Ata erdhën në Jerusalem për të ngjitur arkën e besëlidhjes së Jehovait nga Qyteti i Davidit,+ domethënë nga Sioni.+  Tërë burrat e Izraelit u mblodhën para mbretit për festën* që mbahet në muajin e shtatë.+  Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe levitët ngritën Arkën.+  Ata ngjitën Arkën, tendën e takimit+ dhe gjithë pajisjet e shenjta që ishin në tendë; këto i ngjitën priftërinjtë dhe levitët.*  Mbreti Solomon dhe tërë asambleja e Izraelit që ishte thirrur për t’u takuar me të, ishin para Arkës. Ata flijuan+ kaq shumë dhen e gjedhë, sa nuk mund të llogariteshin a të numëroheshin.  Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Jehovait në vendin e vet, brenda dhomës më të brendshme të tempullit, te Më e Shenjta, nën krahët e kerubinëve.+  Kështu kerubinët i kishin krahët të shtrirë mbi vendin e Arkës, prandaj e mbulonin Arkën dhe shufrat e saj.+  Shufrat ishin aq të gjata, sa majat e tyre dukeshin nga e Shenjta që ndodhej para dhomës më të brendshme, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë atje deri sot e kësaj dite. 10  Në Arkë nuk kishte gjë tjetër përveç dy pllakave që kishte futur Moisiu në Horeb+ kur Jehovai bëri një besëlidhje+ me popullin e Izraelit ndërsa dilte nga Egjipti.+ 11  Kur priftërinjtë dolën nga vendi i shenjtë (sepse të gjithë priftërinjtë e pranishëm ishin shenjtëruar,+ pavarësisht ndarjes që i përkitnin),+ 12  të gjithë levitët këngëtarë+ që i përkitnin Asafit,+ Hemanit,+ Jeduthunit+ dhe bijve e vëllezërve të tyre ishin veshur me pëlhurë cilësore dhe mbanin cimbale, instrumente me tela e harpa. Ata qëndronin në këmbë në lindje të altarit dhe bashkë me ta 120 priftërinj që u binin trumbetave.+ 13  Sapo trumbetarët dhe këngëtarët nisën të lëvdonin dhe të falënderonin Jehovain njëzëri, të lëshonin tinguj me trumbeta, me cimbale e me instrumente të tjera muzikore dhe t’i jepnin lavdi Jehovait duke thënë: «Se ai është i mirë; dashuria e tij besnike zgjat përjetë»,+ atëherë shtëpia, shtëpia e Jehovait, u mbush me një re.+ 14  Priftërinjtë nuk qëndronin dot për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Jehovait mbushi shtëpinë e Perëndisë së vërtetë.+

Shënime në fund të faqes

Domethënë, për Festën e Kasolleve.
Ose «priftërinjtë levitë».