Libri i dytë i Kronikave 29:1-36

  • Hezekia, mbret i Judës (1, 2)

  • Reformat e Hezekisë (3-11)

  • Pastrohet tempulli (12-19)

  • Rifillojnë shërbimet në tempull (20-36)

29  Hezekia+ u bë mbret kur ishte 25 vjeç dhe mbretëroi 29 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Abijaha dhe ishte vajza e Zakarisë.+  Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait,+ ashtu si kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij.+  Vitin e parë të mbretërimit, muajin e parë, ai hapi dyert e shtëpisë së Jehovait dhe i riparoi.+  Pastaj solli priftërinjtë dhe levitët, i mblodhi në shesh, në lindje,  dhe u tha: «Më dëgjoni, o levitë! Shenjtërohuni+ tani, shenjtëroni shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së paraardhësve tuaj dhe hiqni çdo gjë të papastër nga vendi i shenjtë,+  sepse etërit tanë nuk qëndruan besnikë dhe bënë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, Perëndisë tonë.+ Ata e braktisën atë, nuk treguan respekt* për tabernakullin e Jehovait dhe i kthyen shpinën.+  Mbyllën edhe dyert e portikut,*+ i shuan llambat,+ nuk dogjën më temjan+ dhe nuk bënë flijime të djegura+ në vendin e shenjtë për Perëndinë e Izraelit.  Prandaj Jehovai derdhi indinjatën e tij mbi Judën dhe Jerusalemin,+ kështu ato u bënë objekt llahtarie, habie dhe talljesh,* siç po e shihni me sytë tuaj.+  Ja pse paraardhësit tanë ranë të vdekur nga shpata,+ dhe djemtë, vajzat e gratë tona i morën robër.+ 10  E tani unë dua me gjithë zemër të bëj një besëlidhje me Jehovain, Perëndinë e Izraelit,+ që zemërimi i tij i zjarrtë të largohet prej nesh. 11  Bijtë e mi, tani nuk është koha të jeni të shkujdesur,* sepse Jehovai ju ka zgjedhur të qëndroni para tij për t’i shërbyer+ dhe për t’i paraqitur tym blatimesh.»+ 12  Atëherë levitët u bënë gati për punë: nga kehathitët+ ishin Mahati, biri i Amasait, dhe Joeli, biri i Azariahut; nga meraritët+ ishin Kishi, biri i Abdiut, dhe Azariahu, biri i Jehalelelit; nga gershonitët+ ishin Joahu, biri i Zimahut, dhe Edeni, biri i Joahut; 13  nga bijtë e Elizafanit ishin Shimri dhe Jeueli; nga bijtë e Asafit+ ishin Zakaria dhe Mataniahu; 14  nga bijtë e Hemanit+ ishin Jehieli dhe Shimei; nga bijtë e Jeduthunit+ ishin Shemajahu dhe Uzieli. 15  Kështu ata mblodhën vëllezërit e tyre, u shenjtëruan dhe erdhën për të pastruar shtëpinë e Jehovait, sipas urdhërimit të mbretit në përputhje me fjalët e Jehovait.+ 16  Priftërinjtë u futën në shtëpinë e Jehovait për ta pastruar dhe gjithë papastërtitë që gjetën në tempullin e Jehovait i nxorën në oborrin+ e shtëpisë së Jehovait. Pastaj levitët i morën dhe i çuan jashtë në luginën e Kidronit.+ 17  Kështu, ata e filluan shenjtërimin ditën e 1-rë të muajit të 1-rë dhe në ditën e 8-të të muajit arritën në portikun e Jehovait.+ Pastaj e shenjtëruan shtëpinë e Jehovait për 8 ditë dhe mbaruan ditën e 16-të të muajit të 1-rë. 18  Pas kësaj shkuan te mbreti Hezekia dhe i thanë: «Kemi pastruar gjithë shtëpinë e Jehovait, altarin për blatimet e djegura+ me gjithë pajisjet e tij,+ si dhe tryezën për bukët e vëna stivë*+ me gjithë pajisjet e saj. 19  Të gjitha pajisjet që mbreti Akaz hoqi nga përdorimi gjatë mbretërimit të tij kur nuk u tregua besnik,+ ne i kemi bërë gati, i kemi shenjtëruar,+ dhe ato janë para altarit të Jehovait.» 20  Mbreti Hezekia u çua herët, mblodhi princat e qytetit dhe u ngjit në shtëpinë e Jehovait. 21  Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja meshkuj dhe shtatë cjep si blatim për mëkatin për shtëpinë e mbretit, për shenjtëroren dhe për Judën.+ Atëherë mbreti u tha priftërinjve, pasardhësve të Aronit, që t’i flijonin mbi altarin e Jehovait. 22  Kështu therën gjedhët,+ priftërinjtë morën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin.+ Pastaj therën deshtë e me gjakun e tyre spërkatën altarin. Po kështu bënë edhe me qengjat meshkuj: i therën dhe me gjakun e tyre spërkatën altarin. 23  Pastaj i çuan cjeptë e blatimit për mëkatin para mbretit dhe para kongregacionit, e vunë duart mbi ta. 24  Priftërinjtë i therën dhe me gjakun e tyre bënë një blatim për mëkatin mbi altar, si shlyerje për gjithë Izraelin, sepse mbreti tha se blatimi i djegur dhe blatimi për mëkatin duhej të bëheshin për gjithë Izraelin. 25  Ndërkohë, Mbreti i vendosi levitët në shtëpinë e Jehovait, me cimbale, me instrumente me tela dhe me harpa,+ sipas urdhrit të Davidit,+ të Gadit,+ vegimtarit* të mbretit, dhe të profetit Natan,+ sepse urdhri vinte nga Jehovai me anë të profetëve të tij. 26  Kështu levitët qëndronin në këmbë me instrumentet e Davidit, ndërsa priftërinjtë me trumbetat.+ 27  Atëherë Hezekia urdhëroi të bëhej flijimi i djegur mbi altar.+ Kur filloi blatimi i djegur, filloi edhe kënga për Jehovain që shoqërohej nga instrumentet e Davidit, mbretit të Izraelit, dhe nga trumbetat. 28  Ndërkohë që jehonte kënga dhe buçitnin trumbetat, tërë kongregacioni u përkul. Gjithë kjo vazhdoi derisa mbaroi blatimi i djegur. 29  Me të mbaruar flijimin, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të u përkulën thellë me fytyrë përtokë. 30  Mbreti Hezekia dhe princat u thanë levitëve që të lëvdonin Jehovain me psalmet e Davidit+ dhe të vegimtarit Asaf.+ Kështu ata thurën lavde me gëzim të madh dhe u përkulën me fytyrë përtokë. 31  Pastaj Hezekia tha: «Tani që jeni ndarë veç* për Jehovain, afrohuni dhe sillni flijime e blatime falënderimi në shtëpinë e Jehovait.» Kështu kongregacioni nisi të sillte flijime e blatime falënderimi, dhe të gjithë ata që ua donte zemra, sollën blatime të djegura.+ 32  Numri i blatimeve të djegura që solli kongregacioni ishte 70 gjedhë, 100 desh dhe 200 qengja meshkuj—të gjitha këto u sollën si blatim i djegur për Jehovain+—​ 33  kurse blatimet e shenjta ishin 600 gjedhë dhe 3.000 dele. 34  Vetëm se nuk kishte mjaft priftërinj për të rrjepur të gjitha kafshët për blatimet e djegura. Kështu, vëllezërit e tyre, levitët, i ndihmuan+ derisa mbaroi puna dhe derisa u shenjtëruan priftërinjtë,+ sepse levitët kishin më shumë merak* se priftërinjtë për t’u shenjtëruar. 35  Pati edhe shumë blatime të djegura,+ pjesë të dhjamura të flijimeve në bashkësi+ dhe blatime në pije për blatimet e djegura.+ Kështu u bënë përgatitjet që shërbimi në shtëpinë e Jehovait të rifillonte.* 36  Si rrjedhim, Hezekia dhe gjithë populli u gëzuan për atë që Perëndia i vërtetë kishte bërë për popullin,+ sepse gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «e kthyen fytyrën në anën tjetër».
Domethënë, të hyrjes së tempullit.
Fjalë për fjalë «diçka për t’u fishkëllyer».
Ose «të pushoni».
Domethënë, bukët e paraqitjes. Shih Fjalorthin
Fjalë për fjalë «Tani ju është mbushur dora».
Fjalë për fjalë «ishin me zemër më të drejtë».
Ose «të rivendosej».