Zbulesa e Gjonit 9:1-21

  • Trumbeta e pestë (1-11)

  • Një mjerim kaloi, dy të tjerë po vijnë (12)

  • Trumbeta e gjashtë (13-21)

9  Engjëlli i pestë i ra trumbetës.+ Pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë, të cilit iu dha çelësi i humnerës.+ 2  Ai hapi humnerën dhe prej saj doli tym si nga një furrnaltë që errësoi diellin+ dhe ajrin. 3  Nga tymi dolën karkaleca që u vërsulën drejt tokës;+ atyre iu dha fuqi,* e njëjta fuqi si ajo e akrepave të tokës, 4  dhe iu tha të mos dëmtonin bimësinë e tokës, asgjë të gjelbër apo ndonjë pemë, por vetëm njerëzit që nuk kanë vulën e Perëndisë në ballë.+ 5  Karkalecave nuk iu lejua t’i vritnin ata, por t’i mundonin për pesë muaj, siç e mundon njeriun pickimi i akrepit.+ 6  Ato ditë, njerëzit do ta kërkojnë vdekjen, por s’do ta gjejnë kurrsesi. Do të duan të vdesin, por vdekja do t’ia mbathë prej tyre. 7  Karkalecat ngjanin me kuaj gati për betejë;+ në kokë mbanin kurora si prej ari, fytyrën e kishin si të njeriut, 8  flokët si të grave, dhëmbët si të luanëve+ 9  dhe parzmoret i kishin si prej hekuri. Zhurma e krahëve të tyre i ngjante zhurmës së karrocave me kuaj që rendin drejt betejës.+ 10  Gjithashtu kishin bishta e thumba si të akrepave; në bishtat e tyre gjendej fuqia* për t’i munduar njerëzit për pesë muaj.+ 11  Në krye kishin një mbret, engjëllin e humnerës,+ që në hebraisht quhet Abadon,* kurse në greqisht Apolion.* 12  Mjerimi i parë kaloi. Ja, po vijnë edhe dy mjerime+ pas këtyre gjërave. 13  Engjëlli i gjashtë+ i ra trumbetës.+ Nga brirët e altarit prej ari+ që është para Perëndisë, u dëgjua një zë, 14  i cili i tha engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: «Zgjidhi katër engjëjt që janë lidhur pranë lumit të madh Eufrat.»+ 15  Atëherë katër engjëjt që ishin gati për këtë orë, ditë, muaj dhe vit, ai i zgjidhi që të vritnin një të tretën e njerëzve. 16  E dëgjova numrin e ushtrisë së kalorësve: ishte 20.000 herë 10.000.* 17  Ja si m’u shfaqën në vegim* kuajt dhe kalorësit e tyre: me parzmore të kuqe flakë, blu si hiacinti dhe të verdhë si squfuri, me koka si të luanëve,+ dhe nga goja u dilte zjarr, tym e squfur. 18  Nga këto tri plagë, nga zjarri, nga tymi dhe nga squfuri që u dilte nga goja, u vranë një e treta e njerëzve. 19  Në fakt fuqia e kuajve gjendej te goja dhe te bishti, sepse bishtat i kishin si gjarpërinj me koka, me të cilat godisnin njerëzit. 20  Megjithatë njerëzit e tjerë që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan për veprat e duarve të tyre; nuk hoqën dorë nga adhurimi i demonëve dhe i idhujve prej ari, argjendi, bakri, guri dhe druri, të cilët as mund të shohin, as mund të dëgjojnë e as mund të ecin.+ 21  Nuk u penduan e nuk hoqën dorë nga vrasjet, nga zakonet spiritiste, nga imoraliteti seksual* dhe as nga vjedhjet.

Shënimet

Ose «autoritet».
Ose «autoriteti».
Do të thotë «shkatërrues».
Do të thotë «shkatërrim».
Domethënë, 200.000.000.
Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.