Zbulesa e Gjonit 21:1-27

  • Një qiell i ri dhe një tokë e re (1-8)

    • Nuk do të ketë më vdekje (4)

    • «Po bëj çdo gjë të re» (5)

  • Përshkruhet Jerusalemi i Ri (9-27)

21  Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re,+ sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar+ dhe deti+ nuk ishte më.  Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia,+ i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj.+  Atëherë dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta.+  Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre+ dhe nuk do të ketë më vdekje.+ Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.+ Gjërat e mëparshme shkuan.»  Ai që rri ulur në fron+ tha: «Ja, po bëj çdo gjë të re.»+ E shtoi: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme* dhe të vërteta.»  Pastaj më tha: «U plotësuan! Unë jam Alfa dhe Omega,* fillimi dhe mbarimi.+ Kujtdo që ka etje, do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës.+  Ai që del fitimtar, do t’i trashëgojë këto gjëra. Unë do të jem Perëndia i tij, dhe ai do të jetë biri im.  Kurse frikacakët, ata pa besim,+ ata që janë të pështirë me ndyrësinë e tyre, vrasësit,+ imoralët,*+ ata që merren me spiritizëm, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët,+ do të përfundojnë në liqenin me zjarr dhe squfur,+ që paraqet vdekjen e dytë.»+  Një nga shtatë engjëjt që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit,+ erdhi e më tha: «Eja, se do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.»+ 10  Kështu, me anë të fuqisë së frymës, më çoi në një mal madhështor e të lartë ku më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,+ 11  dhe kishte lavdinë e Perëndisë.+ Ai rrëzëllente si një gur shumë i çmuar, si një gur diaspri që shndrit porsi kristal.+ 12  Kishte një mur madhështor e të lartë dhe 12 porta. Te portat kishte 12 engjëj dhe sipër portave ishin skalitur emrat e 12 fiseve të bijve të Izraelit. 13  Në lindje kishte tri porta, në veri tri porta, në jug tri porta dhe në perëndim tri porta.+ 14  Muri i qytetit kishte edhe 12 gurë themeli, dhe mbi ta ishin 12 emrat e 12 apostujve+ të Qengjit. 15  Ai që po fliste me mua mbante një mjet matës, një kallam të artë, për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.+ 16  Qyteti kishte formë katrore dhe gjatësia e tij ishte po aq sa gjerësia. Ai e mati qytetin me kallam, dhe ishte 12.000 stadë;* gjatësia, gjerësia dhe lartësia e tij ishin të barabarta. 17  Mati edhe murin e tij dhe ishte 144 kute* sipas matjes që bën një njeri, por edhe sipas matjes që bën një engjëll. 18  Muri i tij ishte prej diaspri,+ dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, si qelq i pastër. 19  Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj guri të çmuar: themeli i parë ishte diaspër, i dyti safir, i treti kalcedon, i katërti smerald, 20  i pesti sardoniks, i gjashti sard, i shtati krizolit, i teti beril, i nënti topaz, i dhjeti krizopraz, i njëmbëdhjeti hiacint, i dymbëdhjeti ametist. 21  Edhe 12 portat ishin 12 margaritarë; secila nga portat ishte bërë prej një margaritari të vetëm. Ndërsa rruga kryesore e qytetit ishte prej ari të kulluar, si qelq i tejdukshëm. 22  Në të nuk pashë asnjë tempull, sepse Perëndia Jehova,* i Plotfuqishmi,+ është tempulli i tij, e po kështu edhe Qengji. 23  Qyteti nuk ka nevojë as për diellin, as për hënën që të ndriçojnë mbi të, sepse e ndriçon lavdia e Perëndisë,+ dhe llamba e tij është Qengji.+ 24  Kombet do të ecin me anë të dritës së qytetit,+ dhe mbretërit e tokës do të sjellin lavdinë e tyre. 25  Portat e tij nuk do të mbyllen gjatë ditës dhe atje s’do të ketë fare natë.+ 26  Ata do të sjellin në të lavdinë dhe nderimin e kombeve,+ 27  por nuk do të hyjë kurrsesi asgjë e ndotur, askush që merret me ndonjë gjë të pështirë dhe që mashtron;+ do të hyjnë vetëm ata që i kanë emrat të shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit.+

Shënime në fund të faqes

Ose «besnike».
Ose «A-ja dhe Zh-ja». Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse Omega është shkronja e fundit.
Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
Rreth 2.220 km. Një stad ishte 185 metra. Shih Shtojcën B14.
Rreth 64 metra. Shih Shtojcën B14.