Sipas Lukës 8:1-56

  • Gratë që shoqërojnë Jezuin (1-3)

  • Ilustrimi me mbjellësin (4-8)

  • Pse i përdorte Jezui ilustrimet (9, 10)

  • Shpjegimi i ilustrimit me mbjellësin (11-15)

  • Një llambë nuk mbulohet (16-18)

  • Nëna dhe vëllezërit e Jezuit (19-21)

  • Jezui qetëson stuhinë (22-25)

  • Jezui dërgon demonët te derrat (26-39)

  • Vajza e Jairit; një grua prek rrobën e Jezuit (40-56)

8  Pak pas kësaj Jezui udhëtoi nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.+ Bashkë me të ishin edhe të Dymbëdhjetët,  si edhe disa gra që i kishte shëruar nga frymërat e liga* dhe sëmundjet: Maria, që e quanin Magdalena, nga e cila kishte nxjerrë shtatë demonë,  Joana,+ gruaja e Kuzait, kujdestarit të shtëpisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera, që po i shërbenin atij dhe apostujve duke përdorur pasuritë e tyre.+  Tani, një turmë e madhe që kishte ardhur nga qytete të ndryshme, iu mblodh pranë dhe ai u tregoi një ilustrim:+  «Një mbjellës doli për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, ku njerëzit i shkelën me këmbë dhe zogjtë e qiellit i hëngrën.+  Të tjera ranë në shkëmb dhe, pasi mbinë, u thanë ngaqë s’kishte lagështi.+  Një pjesë tjetër ra mes gjembave, të cilët u rritën bashkë me to dhe i mbytën.+  Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, pasi mbinë, prodhuan fryt 100-fish.»+ Pasi tregoi këto gjëra, tha me zë të lartë: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+  Mirëpo dishepujt e pyetën ç’domethënie kishte ky ilustrim.+ 10  Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të Mbretërisë së Perëndisë, kurse për të tjerët mbeten thjesht ilustrime,+ që, edhe pse shohin, të shohin kot, edhe pse dëgjojnë, të mos e kapin kuptimin.+ 11  Kjo është domethënia e ilustrimit: fara është fjala e Perëndisë.+ 12  Farat përgjatë rrugës janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, por pastaj vjen Djalli dhe ua rrëmben atë nga zemra, që të mos besojnë e të mos shpëtojnë.+ 13  Farat në shkëmb janë njerëzit që e pranojnë me gëzim fjalën kur e dëgjojnë, megjithatë nuk kanë rrënjë. Ata besojnë për njëfarë kohe, por heqin dorë në kohë sprovash.+ 14  Farat që ranë mes gjembave, janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, por, ngaqë rrëmbehen nga ankthet, pasuritë+ dhe kënaqësitë e kësaj jete,+ mbyten dhe nuk arrijnë kurrë të piqen.+ 15  Farat në tokë të mirë janë njerëzit me zemër të mirë e të sinqertë,+ që e ruajnë fjalën pasi e dëgjojnë dhe japin fryt ndërsa qëndrojnë.+ 16  Askush nuk e ndez llambën që ta mbulojë me ndonjë enë a ta vërë nën shtrat, por e vendos në mbajtësen e vet, në mënyrë që ata që hyjnë në dhomë, ta shohin dritën,+ 17  sepse nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të duket qartë dhe asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të merret vesh kurrë e nuk do të dalë sheshit.+ 18  Prandaj kushtoni vëmendje si dëgjoni, sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë,+ por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që kujton se ka.»+ 19  Tani, e ëma dhe vëllezërit e tij+ vajtën tek ai, por s’po i afroheshin dot për shkak të turmës.+ 20  Prandaj e njoftuan: «Nëna jote me vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të të takojnë.» 21  Jezui u përgjigj: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.»+ 22  Një ditë, ai dhe dishepujt hipën në një varkë dhe u tha: «Le të kalojmë në anën tjetër të liqenit.» Kështu u nisën+ 23  dhe, ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Por në liqen u ngrit një stuhi aq e egër dhe e fortë, sa varka nisi të mbushej me ujë dhe gati-gati po fundosej.+ 24  Prandaj iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, Mësues, morëm fund!» Atëherë ai u ngrit, qortoi erën dhe ujërat e tërbuara, dhe ato u fashitën e u bë qetësi.+ 25  Pastaj u tha: «Ku është besimi juaj?» Por ata i kishte pushtuar frika, e të shtangur i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky, që urdhëron erërat dhe ujin, e ato i binden?!»+ 26  Më pas u ndalën në bregun e rajonit të gerazenëve,+ përballë Galilesë. 27  Sapo Jezui zbriti në tokë, nga qyteti aty pranë, i doli para një njeri i pushtuar nga demonët. Për shumë kohë ai nuk kishte veshur rroba dhe nuk rrinte në shtëpi, por jetonte në varreza.*+ 28  Sa e pa Jezuin, bërtiti fort, u përkul me fytyrë përtokë para tij dhe tha me zë të lartë: «Ç’punë ke me mua, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Aman, mos më mundo!»+ 29  (Jezui e kishte urdhëruar frymën e ndyrë* të dilte nga ai, sepse ajo e kishte mbërthyer shumë herë,*+ dhe atë njeri e ruanin me roja herë pas here, e lidhnin me zinxhirë e vargonj, por ai i këpuste, dhe demoni e çonte në vende të veçuara.) 30  Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?» Ai iu përgjigj: «Legjion», sepse tek ai kishin hyrë shumë demonë. 31  Kështu këta i përgjëroheshin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.+ 32  Meqë një tufë e madhe derrash+ po kulloste në mal, ata iu përgjëruan t’i lejonte të futeshin te derrat. Dhe ai i lejoi.+ 33  Atëherë demonët dolën nga njeriu, u futën te derrat, dhe tufa u turr drejt greminës,* ra në liqen e u mbyt. 34  Kur panë ç’kishte ndodhur, çobanët ia mbathën dhe e çuan lajmin në qytet e në fshat. 35  Kështu njerëzit dolën të shihnin ç’kishte ndodhur. Erdhën te Jezui dhe panë që njeriu nga i cili dolën demonët, ishte ulur te këmbët e Jezuit, i veshur e me mendje në rregull, dhe i zuri frika. 36  Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan si ishte shëruar i pushtuari nga demonët. 37  Atëherë shumë veta nga rajoni i gerazenëve i kërkuan Jezuit të largohej, sepse i kishte mbërthyer një frikë e madhe. Prandaj ai hipi në varkë dhe u largua. 38  Mirëpo, njeriu nga i cili dolën demonët, i lutej të rrinte me të. Por Jezui e përcolli me këto fjalë:+ 39  «Kthehu në shtëpi dhe tregoju të gjithëve gjërat që bëri Perëndia për ty.» Kështu, ai u largua dhe tregoi anembanë qytetit gjërat që bëri Jezui për të. 40  Jezui u kthye në Galile dhe turma e mirëpriti ngrohtësisht, sepse të gjithë po e prisnin me padurim.+ 41  Kur ja, erdhi një burrë që quhej Jair, një nga të parët e sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e nisi t’i përgjërohej që të shkonte në shtëpinë e tij,+ 42  sepse vajza e tij e vetme,* që ishte rreth 12 vjeçe, ishte buzë vdekjes. Ndërsa Jezui po shkonte atje, turmat ngjisheshin pas tij. 43  Atje ishte edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet dhe askush nuk e kishte shëruar dot.+ 44  Ajo iu afrua nga prapa dhe i preku thekët e rrobës,+ e rrjedhja e gjakut iu ndal në çast. 45  Atëherë Jezui pyeti: «Kush më preku?» Ngaqë të gjithë thoshin se nuk e kishin prekur, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po ngjishen e po shtyhen pas teje.»+ 46  Por Jezui vazhdoi: «Dikush më preku, sepse e ndjeva që nga unë doli fuqi.»+ 47  Kur pa se nuk shpëtoi pa u vënë re, duke u dridhur nga frika, gruaja vajti e ra në gjunjë para tij dhe u tregoi të gjithëve pse e preku dhe si u shërua në çast. 48  Por ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe.»+ 49  Ai ishte ende duke folur, kur një përfaqësues i të parit të sinagogës erdhi dhe tha: «Vajza jote vdiq! Mos e shqetëso më Mësuesin.»+ 50  Me të dëgjuar këtë, Jezui tha: «Mos ki frikë, vetëm ki besim, dhe ajo do të shpëtojë.»+ 51  Kur arriti në shtëpi, ai nuk la asnjeri të hynte brenda me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakovit dhe babait e nënës së vajzës. 52  Të gjithë qanin dhe goditnin gjoksin nga hidhërimi. Mirëpo ai tha: «Mos qani më,+ sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle.»+ 53  Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin, sepse e dinin që ajo kishte vdekur. 54  Por ai e kapi për dore vajzën dhe i tha: «Vogëlushe, ngrihu!»+ 55  Ajo u kthye në jetë*+ dhe menjëherë u ngrit në këmbë.+ Pastaj ai urdhëroi t’i jepnin diçka për të ngrënë. 56  Prindërit s’i mbante vendi nga gëzimi, por ai u tha të mos i tregonin askujt ç’kishte ndodhur.+

Shënime në fund të faqes

Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «mes varreve përkujtimore».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Një mundësi tjetër «për një kohë të gjatë».
Ose «drejt rrëpirës».
Fjalë për fjalë «e vetëmlindur».
Ose «Asaj iu kthye forca e jetës». Fjalë për fjalë «iu kthye fryma». Shih Fjalorthin.