Sipas Lukës 7:1-50

  • Besimi i një centurioni (1-10)

  • Jezui ringjall djalin e një vejushe në Nain (11-17)

  • Lëvdohet Gjon Pagëzori (18-30)

  • Dënohet një brez i pandjeshëm (31-35)

  • Falet një mëkatare (36-50)

    • Ilustrimi me borxhlinjtë (41-43)

7  Pasi i tha popullit çfarë kishte për të thënë, ai hyri në Kapernaum. 2  Tani, skllavi i një centurioni* ishte sëmurë për vdekje.+ Centurioni e donte aq shumë atë skllav, saqë, 3  kur dëgjoi për Jezuin, dërgoi tek ai disa pleq të judenjve që t’i kërkonin të vinte e t’i shëronte skllavin. 4  Ata vajtën te Jezui dhe nisën t’i përgjëroheshin me gjithë shpirt: «Ai e meriton ta ndihmosh, 5  sepse e do kombin tonë dhe na ndërtoi sinagogën.» 6  Prandaj Jezui shkoi me ta. Ai po i afrohej shtëpisë, por centurioni kishte dërguar tashmë disa miq të tij për t’i thënë: «Imzot, mos u mundo, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time+ 7  e për këtë arsye nuk erdha te ti. Por ti thuaj veç një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet, 8  sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.» 9  Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mahnit me të, u kthye nga turma që e ndiqte dhe u tha: «Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.»+ 10  E kur u kthyen në shtëpi, njerëzit që kishte dërguar centurioni, e gjetën skllavin shëndoshë e mirë.+ 11  Pak pas kësaj, Jezui udhëtoi për në një qytet që quhej Nain. Bashkë me të po udhëtonin dishepujt e tij dhe një turmë e madhe. 12  Kur iu afrua portës së qytetit, pa që po nxirrnin një të vdekur, djalin e vetëm* të një vejushe.+ Bashkë me nënën e tij ishte edhe një turmë mjaft e madhe nga ai qytet. 13  Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të+ dhe i tha: «Mos qaj më!»+ 14  Pastaj u afrua dhe preku vigun* e varrimit, ndërsa ata që e mbanin, u ndalën. Më pas vazhdoi: «Djalosh, ty po të them: ngrihu!»+ 15  I vdekuri u kthye në jetë, u ngrit e ndenji ulur, dhe nisi të fliste. Jezui ia dha së ëmës.+ 16  Atëherë të gjithë mbetën gojëhapur dhe filluan t’i jepnin lavdi Perëndisë e të thoshin: «Na është dhënë një profet i madh mes nesh»,+ dhe «Perëndisë i erdhi keq për popullin e vet».+ 17  Fjala për të u përhap në tërë Judenë dhe në gjithë vendin përreth. 18  Tani, dishepujt e Gjonit ia treguan atij të gjitha këto gjëra.+ 19  Prandaj Gjoni thirri dy nga dishepujt e vet dhe i dërgoi te Zotëria që ta pyetnin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’,+ apo duhet të presim një tjetër?» 20  Kur vajtën te Jezui, ata i thanë: «Gjon Pagëzori na dërgoi te ti që të të pyesim: “A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?”» 21  Në atë kohë, Jezui shëroi shumë veta nga sëmundjet,+ lëngatat e rënda dhe nga frymërat e liga,* si dhe u fali dritën e syve shumë të verbërve. 22  Ai iu përgjigj: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit tani po shohin,+ të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë,+ të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.+ 23  Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»*+ 24  Kur lajmëtarët e Gjonit ikën, Jezui nisi ta pyeste turmën për Gjonin: «Çfarë donit të shihnit kur dolët në shkretëtirë? Një kallam që tundet nga era?+ 25  Çfarë donit të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba cilësore?*+ Ata që vishen me rroba madhështore dhe që jetojnë në luks, banojnë në pallate mbretërore. 26  Vërtet, çfarë donit të shihnit? Një profet? E pra, unë po ju them se ai është shumë më tepër se një profet.+ 27  Është ai për të cilin është shkruar: ‘Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!’+ 28  Unë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, nuk ka asnjë më të madh se Gjoni, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e Perëndisë, është më i madh se ai.»+ 29  (Kur e dëgjuan këtë, gjithë populli dhe taksambledhësit pranuan hapur se Perëndia është i drejtë, sepse ata ishin pagëzuar me pagëzimin e Gjonit.+ 30  Por farisenjtë dhe ata që e njihnin mirë Ligjin, e shpërfillën drejtimin* e Perëndisë,+ sepse nuk ishin pagëzuar nga Gjoni.) 31  «Me kë t’i krahasoj njerëzit e këtij brezi dhe me kë ngjajnë?+ 32  Ata ngjajnë me fëmijët që rrinë ulur në një shesh pazari dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk qatë.’ 33  Po kështu erdhi Gjon Pagëzori që nuk ha bukë e nuk pi verë,+ e megjithatë ju thoni: ‘Ai ka një demon.’ 34  Erdhi Biri i njeriut që ha e pi, dhe prapëseprapë ju thoni: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’+ 35  Gjithsesi, mençuria del e drejtë* nga gjithë fëmijët e saj.»*+ 36  Tani, një farise i lutej të hante me të. Prandaj Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u shtrua në tryezë. 37  Kur ja, erdhi një grua e njohur në qytet si mëkatare. Ajo kishte marrë vesh se ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut, prandaj solli një enë alabastri me vaj aromatik.+ 38  Kështu, ajo qëndroi prapa, te këmbët e tij, qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët dhe ia leu me vajin aromatik. 39  Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi, tha me vete: «Po të ishte vërtet profet, ky do ta dinte kush është ajo që po e prek dhe ç’grua është, se është një mëkatare.»+ 40  Por Jezui i tha: «Simon, kam diçka për të të thënë.» Ai ia ktheu: «Po, Mësues, më thuaj.» 41  «Dy njerëz i kishin borxh një huadhënësi: njëri 500 denarë* dhe tjetri 50. 42  Meqë nuk kishin t’ia kthenin, ai i fali bujarisht që të dy. Cili nga të dy do ta dojë më shumë?» 43  Simoni iu përgjigj: «Ma ha mendja, ai të cilit i fali më shumë.» Jezui i tha: «Gjykove drejt.» 44  Pastaj u kthye nga gruaja dhe i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde, mirëpo ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët. Kurse kjo grua m’i lau këmbët me lotët e saj dhe m’i fshiu me flokët e vet. 45  Ti nuk më puthe, kurse kjo grua, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. 46  Ti nuk më derdhe vaj mbi kokë, kurse kjo grua m’i lau këmbët me vaj aromatik. 47  Për këtë arsye, unë po të them se mëkatet e saj, edhe pse të shumta,* i janë falur,+ sepse tregoi shumë dashuri. Por, kujt i falet pak, tregon pak dashuri.» 48  Pastaj i tha gruas: «Mëkatet e tua janë falur.»+ 49  Ata që ishin shtruar me të në tryezë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?»+ 50  Kurse ai i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi.+ Shko në paqe.»

Shënimet

^ Komandant i 100 ushtarëve.
^ Fjalë për fjalë «e vetëmlindur».
^ Ose «shtratin portativ».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Fjalë për fjalë «që nuk gjen shkak për t’u penguar nga unë!»
^ Fjalë për fjalë «të buta?»
^ Ose «këshillat».
^ Ose «shfajësohet».
^ Ose «nga gjithë rezultatet».
^ Ose «të mëdha».