Sipas Lukës 15:1-32

  • Ilustrimi për delen e humbur (1-7)

  • Ilustrimi i monedhës së humbur (8-10)

  • Ilustrimi për djalin plëngprishës (11-32)

15  Tani, të gjithë taksambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.+  Kështu farisenjtë dhe skribët murmuritnin: «Ky njeri i pret krahëhapur mëkatarët e madje ha me ta.»  Atëherë ai u tregoi këtë ilustrim:  «Cili nga ju po të ketë 100 dele dhe t’i humbasë njëra, nuk do t’i lërë 99 mbrapa në kullotë,* që të shkojë pas së humburës derisa ta gjejë?+  Dhe, kur e gjen, e vë mbi supe, tejet i gëzuar.  Sapo mbërrin në shtëpi, mbledh miqtë dhe fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur!’+  Unë ju them: po njësoj do të ketë më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet,+ sesa për 99 të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.  Ose, kush është ajo grua që, edhe pse ka 10 drahma,* po të humbasë sikur një drahmë,* nuk ndez një llambë, nuk fshin shtëpinë e nuk lë vend pa kërkuar derisa ta gjejë?  Dhe, kur e gjen, mbledh shoqet e fqinjat e saj dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta drahmën* që kisha humbur!’ 10  Unë ju them: po njësoj gëzohen engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet.»+ 11  Pastaj vazhdoi: «Një njeri kishte dy djem. 12  Më i vogli i tha të atit: ‘Baba, më jep pjesën e pronës që më takon si trashëgimi.’ Atëherë ai e ndau pasurinë e vet mes tyre. 13  Pak ditë më vonë, djali më i vogël mblodhi gjërat e veta dhe u nis për në një vend të largët. Atje e harxhoi kot pasurinë e vet duke bërë jetë të shfrenuar.* 14  Pasi shpenzoi çdo gjë, mbarë vendin e mbërtheu një zi buke e rëndë, dhe ai u gjend ngushtë. 15  Madje, arriti deri në atë pikë, sa i kërkoi punë një vendaliu, i cili e dërgoi të kulloste derrat në kullotat e veta.+ 16  Djali ishte aq i uritur, sa i shkonte goja lëng për bishtajat* që hanin derrat, por askush nuk i jepte gjë për të ngrënë. 17  Kur i erdhën mendtë, tha: “Punëtorët e babait tim kanë bukë sa të ngopen, kurse unë këtu po vdes nga uria! 18  Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: ‘Baba, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. 19  Nuk jam më i denjë të quhem yt bir. Më trajto si një nga punëtorët e tu.’” 20  Kështu u ngrit e shkoi tek i ati. Kur ishte ende goxha larg, i ati e vuri re dhe iu dhimbs aq shumë, sa vrapoi, iu hodh në qafë* dhe e puthi me përzemërsi. 21  Atëherë i biri i tha: ‘Baba, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje.+ Nuk jam më i denjë të quhem yt bir.’ 22  Por i ati u tha skllevërve të vet: ‘Shpejt, sillni një mantel, më të mirin, dhe vishjani, vërini një unazë në dorë dhe vishini sandale në këmbë. 23  Sillni edhe viçin e majmë, thereni dhe le të hamë e të festojmë, 24  sepse djali im ishte i vdekur dhe u kthye përsëri në jetë,+ ishte i humbur dhe u gjet.’ Kështu ata nisën të kënaqeshin e të festonin. 25  Ndërkohë, djali më i madh ishte në arë. Kur po kthehej dhe po i afrohej shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26  Prandaj thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeti ç’po ndodhte. 27  Ai iu përgjigj: ‘Është kthyer vëllai yt, dhe babai yt theri viçin e majmë ngaqë ai erdhi shëndoshë e mirë.’ 28  Por ky u zemërua nga kjo dhe nuk pranonte të shkonte brenda. Atëherë i ati doli dhe nisi t’i përgjërohej që të hynte në shtëpi. 29  Djali i tha të atit: ‘Dëgjo, kam kaq vjet që punoj si skllav për ty dhe të jam bindur në çdo gjë, e megjithatë asnjëherë nuk më dhe qoftë edhe një kec që të kënaqesha me shokët e mi. 30  Por, me t’u kthyer ky yt bir, që e harxhoi kot* pasurinë tënde me prostitutat, ti there për të viçin e majmë.’ 31  I ati iu përgjigj: ‘Biri im, ti ke qenë gjithnjë me mua dhe gjithçka imja është jotja. 32  Por ne s’kemi si të mos festojmë e të mos gëzojmë, sepse vëllai yt ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet.’»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «në vende të shkreta».
Ose «të shthurur; të shkujdesur».
Fjalë për fjalë «bishtajat e çiçibanozit».
Ose «e përqafoi».
Fjalë për fjalë «e hëngri».