Sipas Lukës 21:1-38

  • Dy monedhat e vejushës së varfër (1-4)

  • SHENJA E ASAJ QË DUHET TË VIJË (5-36)

    • Luftëra, tërmete të mëdha, murtaja, mungesa ushqimi (10, 11)

    • Jerusalemi i rrethuar nga ushtritë (20)

    • Kohët e caktuara të kombeve (24)

    • Ardhja e Birit të njeriut (27)

    • Ilustrimi për pemën e fikut (29-33)

    • Rrini zgjuar (34-36)

  • Jezui mëson në tempull (37, 38)

21  Tani, Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit që po hidhnin dhuratat e tyre në arkat* e thesarit.+  Atje pa edhe një vejushë të varfër, që hodhi dy monedha me vlerë shumë të vogël*+  dhe tha: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët,+  sepse ata të gjithë hodhën dhurata nga tepricat, kurse ajo, në skamjen* e saj, hodhi gjithçka kishte për të jetuar.»+  Më vonë, kur disa po flisnin për tempullin, se si ishte stolisur me gurë madhështorë dhe me dhurata kushtuar Perëndisë,+  ai tha: «Sa për këto gjëra që po shihni tani, do të vijnë ditët kur këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+  Atëherë ata e pyetën: «Mësues, kur do të ndodhin vërtet këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur këto gjëra do të jenë afër?»+  Ai u përgjigj: «Kujdes se mos mashtroheni,+ sepse shumë veta do të vijnë, dhe duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam ai’ dhe ‘Koha e caktuar është afruar’, por ju mos shkoni pas tyre.+  Për më tepër, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe trazira,* mos u tmerroni sepse më parë duhet të ndodhin këto gjëra, por fundi nuk do të vijë menjëherë.»+ 10  Pastaj tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi+ dhe mbretëri kundër mbretërie,+ 11  do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja+ nga njëri vend në tjetrin; do të ketë fenomene të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli. 12  Por, para se të ndodhin gjithë këto gjëra, njerëzit do t’ju kapin, do t’ju përndjekin+ dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e burgje. Për shkak të emrit tim do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve,+ 13  që të jepni dëshmi para tyre. 14  Jini, pra, të vendosur* të mos përgatitni që më parë çfarë do të thoni në mbrojtjen tuaj,+ 15  sepse unë do t’ju jap mençuri dhe fjalët e duhura, që gjithë kundërshtarët tuaj së bashku të mos jenë në gjendje t’ju kundërvihen ose t’ju kundërpërgjigjen.+ 16  Veç kësaj do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë, dhe ata do të jenë shkaktarët e vdekjes suaj.+ 17  Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë.+ 18  E megjithatë, asnjë fije floku nuk do t’ju humbasë.+ 19  Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.*+ 20  Megjithatë, kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë që kanë ngritur kampin përreth,+ dijeni se shkretimi i tij është afruar.+ 21  Atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male,+ ata që janë brenda qytetit, të largohen dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet, 22  sepse në ato ditë do të vihet në vend drejtësia,* që të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara. 23  Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë,+ sepse do të ketë vështirësi* të mëdha në vend dhe një zemërim i furishëm do të bjerë kundër këtij populli! 24  Ata do të bien nga tehu i shpatës e do t’i çojnë robër nëpër të gjitha kombet,+ kurse Jerusalemin do ta shkelin kombet* me këmbë, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve.*+ 25  Gjithashtu do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje,+ kurse në tokë, kombet do t’i zërë ankthi, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë nga gjëmimi dhe trazimi i detit. 26  Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e ankthshme se ç’do të ndodhë në tokën e banuar, sepse qiejt* do të shkunden. 27  Atëherë do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe.+ 28  Megjithatë, kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» 29  Pastaj u tregoi një ilustrim: «Vëreni fikun dhe gjithë pemët e tjera.+ 30  Kur shihni se kanë lëshuar sythe, ju e dini se vera është afër. 31  Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër. 32  Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha gjërat.+ 33  Qielli dhe toka do të marrin fund,* por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+ 34  Prandaj kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen kurrë zemrat nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt,+ e nga ankthet e jetës,+ që ajo ditë të mos ju zërë befas si një lak,+ 35  sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut. 36  Rrini zgjuar,+ duke u përgjëruar pareshtur,+ që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»+ 37  Kështu, ditën mësonte në tempull, kurse natën dilte dhe e kalonte në malin e quajtur Mali i Ullinjve. 38  Herët në mëngjes, gjithë njerëzit shkonin tek ai në tempull që ta dëgjonin.

Shënime në fund të faqes

Ose «mbajtëset».
Fjalë për fjalë «2 lepta». Shih Shtojcën B14.
Ose «në varfërinë».
Ose «rrëmuja; kryengritje».
Fjalë për fjalë «Vendosni në zemër».
Ose «do të fitoni shpirtin».
Ose «do të merret hak».
Ose «vuajtje».
Ose «jojudenjtë».
Ose «të jojudenjve».
Ose «fuqitë e qiejve».
Fjalë për fjalë «do të kalojnë».
Fjalë për fjalë «nuk do të kalojnë kurrsesi».