Sipas Lukës 5:1-39

  • Kapen peshq me anë të një mrekullie; dishepujt e parë (1-11)

  • Shërohet një i lebrosur (12-16)

  • Jezui shëron një të paralizuar (17-26)

  • Jezui thërret Levin (27-32)

  • E pyesin për agjërimin (33-39)

5  Një herë, një turmë po dëgjonte Jezuin tek mësonte fjalën e Perëndisë buzë liqenit të Genesaretit,*+ dhe njerëzit po shtyheshin pas tij.  Ai pa dy varka të lidhura në breg të liqenit, ndërsa peshkatarët kishin zbritur dhe po lanin rrjetat.+  Jezui hipi në një nga varkat, në varkën e Simonit, dhe i kërkoi të largohej pak nga toka. Pastaj u ul dhe nisi ta mësonte turmën nga varka.  Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shkoni thellë dhe hidhini atje rrjetat që të zini peshk.»  Mirëpo Simoni iu përgjigj: «Mësues, ne u robtuam gjithë natën dhe nuk zumë gjë,+ por, meqë po thua ti, do t’i hedh rrjetat.»  Kur bënë kështu, zunë aq shumë peshq, sa rrjetat filluan të shqyheshin.+  Prandaj u bënë shenjë ortakëve në varkën tjetër që të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dyja varkat, aq sa gati po fundoseshin.  Me të parë këtë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit dhe i tha: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!»  Vërtet, zunë aq shumë peshq, sa u shtangën nga habia, ai dhe të gjithë ata që ishin me të, 10  ku përfshiheshin edhe ortakët e Simonit, Jakovi me Gjonin, bijtë e Zebedeut.+ Por Jezui i tha Simonit: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.»+ 11  Atëherë ata u kthyen, i nxorën varkat në breg, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.+ 12  Një herë tjetër, kur ishte në një qytet, ai pa një burrë plot lebër. Kur vuri re Jezuin, ai u përkul me fytyrë përtokë dhe iu përgjërua: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»+ 13  Ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.» Menjëherë lebra iu zhduk.+ 14  Pastaj e urdhëroi të mos i tregonte askujt dhe i tha: «Por shko, paraqitu te prifti dhe jep blatimin për pastrimin tënd, ashtu siç udhëzoi Moisiu,+ si dëshmi që je shëruar.»*+ 15  Mirëpo fjala për të po përhapej edhe më shumë, dhe turma të mëdha mblidheshin që të dëgjonin e të shëroheshin nga sëmundjet.+ 16  Gjithsesi Jezui shkonte shpesh në vende të veçuara që të lutej. 17  Një ditë, kur Jezui po mësonte, ishin të pranishëm edhe farisenj e mësues të Ligjit, të cilët kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, i Judesë dhe nga Jerusalemi e po rrinin ulur. Ai kishte fuqinë e Jehovait* për të shëruar sëmundjet.+ 18  Kur ja, disa burra po sillnin me vig* një të paralizuar dhe po përpiqeshin ta çonin brenda e ta vinin para Jezuit.+ 19  Por, ngaqë nuk po e futnin dot brenda për shkak të turmës, u ngjitën në çati, hoqën një pjesë të tjegullave dhe e zbritën me gjithë vig tamam mes njerëzve që ishin para Jezuit. 20  Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Mëkatet e tua janë falur.»+ 21  Menjëherë skribët dhe farisenjtë nisën të mendonin me vete: «Kush është ky që blasfemon?* Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?!»+ 22  Duke dalluar ç’po mendonin, Jezui iu përgjigj: «Pse keni këto mendime në zemër? 23  Çfarë është më e lehtë të thuash: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu dhe ec.’ 24  Megjithatë, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet . . .», ai i tha të paralizuarit: «Unë të them, ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.»+ 25  Ai u ngrit menjëherë në sy të të gjithëve, mori vigun dhe iku në shtëpi duke i dhënë lavdi Perëndisë. 26  Atëherë të gjithë mbetën gojëhapur dhe nisën t’i jepnin lavdi Perëndisë. Ata thoshin të mahnitur: «Sot kemi parë gjëra të mrekullueshme!» 27  Pas këtyre gjërave, Jezui doli dhe pa një taksambledhës që quhej Levi, të ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: «Bëhu dishepulli im.»*+ 28  Ai la pas çdo gjë, u çua dhe filloi ta ndiqte. 29  Më vonë, Levi shtroi për Jezuin një gosti të madhe në shtëpinë e vet. Atje ishin edhe shumë taksambledhës e të tjerë që po hanin* bashkë me ta.+ 30  Kur panë këtë, farisenjtë dhe skribët e tyre nisën të murmuritnin kundër tij e t’u thoshin dishepujve: «Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?»+ 31  Jezui u tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.+ 32  Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët, që të pendohen.»+ 33  Disa i thanë: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh dhe bëjnë përgjërime. Po njësoj bëjnë edhe ata të farisenjve, kurse dishepujt e tu hanë e pinë.»+ 34  Jezui u tha: «Ju s’mund t’i detyroni miqtë e dhëndrit të agjërojnë ndërsa dhëndri është me ta, apo jo? 35  Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin,+ dhe atëherë, ato ditë do të agjërojnë.»+ 36  Më tej u bëri një ilustrim: «Askush nuk pret një copë nga një rrobë e re që të arnojë një të vjetër, sepse copa e re shqyhet dhe nuk përshtatet me të vjetrën.+ 37  Po ashtu, askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, sepse vera e re i çan kacekët, e kështu vera derdhet dhe kacekët prishen. 38  Por vera e re hidhet në kacekë të rinj. 39  Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do verë të re, sepse thotë: ‘E vjetra është e mirë.’»

Shënime në fund të faqes

Domethënë, Detit të Galilesë.
Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.
Ose «shtrat portativ».
Ose «ithtari im».
Ose «ishin shtruar në tryezë».