Romakëve 3:1-31

  • «Le të dalë i vërtetë Perëndia» (1-8)

  • Qoftë judenjtë, qoftë grekët, janë të gjithë nën mëkat (9-20)

  • Njeriu shpallet i drejtë me anë të besimit (21-31)

    • Nuk e pasqyrojmë dot lavdinë e Perëndisë (23)

3  Ç’të themi, pra, a ka ndonjë përparësi të jesh jude? A ka dobi rrethprerja?  Po, në shumë aspekte. Para së gjithash, sepse atyre iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë.+  Ç’të themi, atëherë, nëse disa judenjve u mungonte besimi? Vallë, ngaqë atyre u mungonte besimi, Perëndia nuk është i besueshëm?  Sigurisht që jo! Përkundrazi, le të dalë i vërtetë Perëndia+ edhe sikur çdo njeri të dalë gënjeshtar,+ ashtu siç është shkruar: «Që ti të dalësh i drejtë në fjalët e tua dhe fitimtar kur të gjykohesh.»+  E nëse nga padrejtësia jonë del në pah drejtësia e Perëndisë, ç’të themi, pra? Mos vallë është i padrejtë Perëndia kur shfryn zemërimin e tij të furishëm kundër të padrejtëve? (Po flas sipas logjikës njerëzore.)  Kurrsesi! Përndryshe si do ta gjykonte botën Perëndia?+  E ta zëmë se nga gënjeshtra ime, e vërteta e Perëndisë del edhe më shumë në pah për lavdi të tij, pse të gjykohem si mëkatar, atëherë?  E pse të mos themi, sikurse shpifin disa njerëz se themi: «Të bëjmë të këqija, që të vijnë të mirat.» Gjykimi kundër këtyre njerëzve është në përputhje me drejtësinë.+  Çfarë, pra? Mos kemi ndonjë epërsi? Aspak! Se më sipër e thamë se, qoftë judenjtë, qoftë grekët, janë të gjithë nën mëkat,+ 10  ashtu siç është shkruar: «S’ka asnjë njeri të drejtë, as edhe një.+ 11  S’ka asnjë që të ketë gjykim të thellë, asnjë që të kërkojë Perëndinë. 12  Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë janë bërë njerëz të pavlerë. S’ka asnjë që të bëjë të mirën, jo, as edhe një.»+ 13  «Gryka e tyre është si varr i hapur; me gjuhën e tyre mbjellin mashtrime.»+ «Helm nepërkash kanë nën buzë.»+ 14  «Goja e tyre është plot mallkime dhe vrer.»+ 15  «Këmbët e tyre shpejtojnë të derdhin gjak.»+ 16  «Në rrugët e tyre ka rrënim dhe shkatërrim, 17  dhe ata nuk e kanë njohur udhën e paqes.»+ 18  «Në sytë e tyre nuk ka kurrfarë frike* nga Perëndia.»+ 19  Tani, ne e dimë se gjithçka që thotë Ligji, e ka për ata që janë nën Ligj, që çdo gojë të mbyllet dhe gjithë bota të dalë fajtore përpara Perëndisë.+ 20  Prandaj, falë veprave të ligjit, asnjeri* nuk do të shpallet i drejtë përpara tij,+ sepse me anë të ligjit thjesht bëhemi të vetëdijshëm për mëkatin.+ 21  Por tani, pavarësisht ligjit, drejtësia e Perëndisë është treguar qartë+​—sikurse dëshmojnë për të Ligji dhe Profetët+—​ 22  po, drejtësia e Perëndisë është treguar qartë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, për të gjithë ata që kanë besim. Në të vërtetë, Perëndia nuk bën dallime,+ 23  sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e pasqyrojnë dot lavdinë e Perëndisë.+ 24  Por fakti që ai i shpall të drejtë falë mirësisë së tij të pamerituar,+ duke i çliruar nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu,+ është veçse dhuratë.*+ 25  Perëndia e paraqiti Krishtin si një blatim pajtues*+ për ata që tregojnë besim në gjakun e tij.+ Këtë e bëri për të treguar drejtësinë e vet, sepse duke u vetëpërmbajtur,* fali mëkatet e së shkuarës. 26  E po njësoj po e tregon drejtësinë e vet+ në kohën e tanishme, sepse i shpall të drejtë ata që kanë besim te Jezui, në përputhje me drejtësinë e vet.+ 27  A ka atëherë vend për mburrje? Jo, aspak. Nga e dimë këtë? Nga ligji i veprave?+ Kurrsesi! Përkundrazi, nga ligji i besimit, 28  sepse ne jemi të mendimit se njeriu shpallet i drejtë me anë të besimit e jo falë veprave të ligjit.+ 29  Apo mos vallë ai është vetëm Perëndi i judenjve?+ A s’është edhe i njerëzve të kombeve?*+ Po, është edhe i njerëzve të kombeve.+ 30  Meqë Perëndia është një i vetëm,+ ai do t’i shpallë të drejtë të rrethprerët+ falë besimit të tyre, dhe të parrethprerët+ nëpërmjet besimit të tyre. 31  A e shfuqizojmë ne ligjin nëpërmjet besimit tonë? Kurrsesi! Përkundrazi, ne e mbështetim ligjin.+

Shënime në fund të faqes

Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Fjalë për fjalë «asnjë mish».
Ose «dhuratë falas».
Ose «një blatim shlyes».
Ose «me durim».