Romakëve 14:1-23

  • Të mos e gjykojmë njëri-tjetrin (1-12)

  • Të mos bëhemi pengesë për të tjerët (13-18)

  • Të nxisim paqen dhe unitetin (19-23)

14  Pranojeni krahëhapur* atë që nuk është i fortë në besim,+ por pa e gjykuar vetëm ngaqë mendon ndryshe.*  Dikujt ia lejon besimi të hajë çdo gjë, por, kush është i dobët në besim, ha vetëm perime.  Kush ha, të mos e përçmojë atë që nuk ha, dhe kush nuk ha, të mos e gjykojë atë që ha,+ sepse Perëndia e ka pranuar krahëhapur edhe atë.  Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit?+ Në qëndroftë në këmbë a në rëntë, është punë për zotërinë e vet.+ Në të vërtetë, ai do të qëndrojë në këmbë, sepse Jehovai* mund ta bëjë të qëndrojë në këmbë.  Dikush e gjykon* një ditë më të mirë se një tjetër,+ kurse dikush tjetër e gjykon një ditë si gjithë të tjerat;+ gjithkush të jetë plotësisht i bindur për atë që mendon.  Ai që kremton një ditë, e kremton për Jehovain.* Edhe ai që ha, ha për Jehovain,* përderisa e falënderon Perëndinë;+ por edhe ai që nuk ha, nuk ha për Jehovain,* dhe prapëseprapë e falënderon Perëndinë.+  Në fakt, asnjë nga ne nuk jeton vetëm për veten+ dhe askush nuk vdes vetëm për veten,  sepse edhe nëse jetojmë, jetojmë për Jehovain,*+ edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain.* Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait,*+  sepse për këtë Krishti vdiq dhe u kthye përsëri në jetë: që të jetë Zotëri edhe i të vdekurve, edhe i të gjallëve.+ 10  Po ti, pse e gjykon vëllanë tënd?+ Ose, pse e përçmon vëllanë tënd? Të gjithë ne do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë,+ 11  sepse është shkruar: «Siç është e vërtetë që unë rroj,+—thotë Jehovai,*—çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do ta pranojë hapur Perëndinë.»+ 12  Kështu, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.+ 13  Prandaj të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin,+ përkundrazi jini të vendosur të mos bëni asgjë që do ta pengonte ose do ta largonte vëllanë nga udha e besimit.+ 14  Unë e di dhe jam i bindur, në unitet me Zotërinë Jezu, se asgjë në vetvete nuk është e papastër;+ vetëm kur dikush mendon se diçka është e papastër, atëherë ajo është e papastër për të. 15  Kështu, nëse vëllai yt ofendohet për shkak të ushqimit, ti nuk po ecën më në udhën e dashurisë.+ Mos e rrëno* vëllanë tënd për shkak të ushqimit, sepse Krishti vdiq për të.+ 16  Prandaj mos lër vend që të flitet keq për gjërat që për ty janë të mira, 17  sepse hyrja në Mbretërinë e Perëndisë nuk varet nga të ngrënët a nga të pirët,+ por nga drejtësia, paqja dhe gëzimi që vijnë falë frymës së shenjtë. 18  Ai që shërben si skllav i Krishtit në këtë mënyrë, ka pëlqimin e Perëndisë dhe miratimin e njerëzve. 19  Kështu, pra, le të bëjmë çmos t’i hapim rrugë paqes+ dhe të forcojmë* njëri-tjetrin.+ 20  Mos e shembni më veprën e Perëndisë vetëm për hir të ushqimit.+ Vërtet, të gjitha ushqimet janë të pastra, por s’është mirë* që dikush t’ia dobësojë besimin tjetrit* për shkak të asaj që ha.+ 21  Më mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh ndonjë gjë që e pengon vëllanë tënd.+ 22  Bindjet e tua të mbeten* mes teje dhe Perëndisë. Lum njeriu që nuk e dënon veten për vendimin që ka marrë! 23  Por, nëse ai ka dyshime e megjithatë ha, është dënuar tashmë, sepse ha pa besim. Në të vërtetë, gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat.

Shënime në fund të faqes

Ose «Mirëpriteni».
Një mundësi tjetër «ngaqë ka dyshime përbrenda».
Ose «e konsideron».
Ose «Mos e shkatërro».
Ose «të inkurajojmë; të ndërtojmë».
Ose «është e gabuar».
Ose «ta pengojë tjetrin».
Ose «Besimi që ke, të mbetet».