Romakëve 2:1-29

  • Gjykimi i Perëndisë kundër judenjve dhe grekëve (1-16)

    • Si funksionon ndërgjegjja (14, 15)

  • Judenjtë dhe Ligji (17-24)

  • Rrethprerja e vërtetë bëhet në zemër (25-29)

2  Prandaj, cilido qofsh ti,+ o njeri, nuk ke justifikim nëse gjykon, sepse kur gjykon tjetrin, ti dënon veten, përderisa ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra.+  Tani, ne e dimë se gjykimi i Perëndisë, që është në përputhje me të vërtetën, është kundër atyre që bëjnë gjëra të tilla.  Si ta merr mendja, o njeri, se duke gjykuar ata që bëjnë gjëra të tilla, ndërkohë që edhe ti vetë i bën, do të shpëtosh nga gjykimi i Perëndisë?!  Apo e përbuz bollëkun e mirësisë,+ të vetëpërmbajtjes+ dhe të durimit të tij,+ ngaqë nuk e kupton se Perëndia po përpiqet me zemërmirësi të të çojë në pendim?!+  Në fakt, prej kokëfortësisë dhe zemrës sate të papenduar, të pret zemërimi i furishëm i Perëndisë ditën kur do të tregohet qartë gjykimi i tij i drejtë.+  Po, ai do ta shpërblejë secilin sipas veprave:+  jetë të përhershme atyre që, duke ngulmuar të bëjnë të mirën, synojnë të kenë nder, lavdi dhe një trup që nuk shkatërrohet,+  dhe furi e zemërim atyre që ndezin grindje e që nuk i binden së vërtetës, por padrejtësisë.+  Këdo që bën të keqen, do ta mbulojnë vuajtjet* e hallet; më parë judeun e po ashtu edhe grekun. 10  Por, kushdo që bën të mirën, do të mbulohet me nder, lavdi dhe paqe; më parë judeu+ e po ashtu edhe greku,+ 11  sepse Perëndia nuk është i anshëm.+ 12  Në fakt, të gjithë ata që kanë mëkatuar pa pasur ligj, do të marrin fund pa ligj;+ por të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligj, do të gjykohen nga ligji,+ 13  sepse në sytë e Perëndisë nuk janë të drejtë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë ligjin—këta do të shpallen të drejtë.+ 14  Kur njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj,+ bëjnë nga natyra gjërat e ligjit, ata janë ligj për vetveten, edhe pse nuk kanë ligj. 15  Pikërisht këta tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemër kur ndërgjegjja e tyre jep dëshmi bashkë me ta dhe kur mendimet e tyre i akuzojnë ose i shfajësojnë. 16  Kjo do të ndodhë ditën kur, nëpërmjet Krishtit Jezu, Perëndia të gjykojë të fshehtat e njerëzve,+ në përputhje me lajmin e mirë që po shpall unë. 17  Nëse me emër je jude,+ mbështetesh te ligji, krenohesh me Perëndinë, 18  e njeh vullnetin e tij, i miraton gjërat e shkëlqyera ngaqë të kanë mësuar* nga Ligji,+ 19  je i bindur se je udhërrëfyes i të verbërve, dritë për ata që janë në errësirë, 20  korrigjues i të paarsyeshmëve, mësues i fëmijëve dhe i kupton aspektet bazë të njohurisë e të së vërtetës, të cilat gjenden në Ligj . . . 21  ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten?!+ Ti që predikon «mos vidh»,+ vjedh për vete?! 22  Ti që thua «mos kryej kurorëshkelje»,+ kryen kurorëshkelje* për vete?! Ti që i ke neveri idhujt, vjedh tempujt?! 23  Ti që krenohesh me Ligjin, e çnderon Perëndinë duke shkelur Ligjin?! 24  «Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet* mes kombeve», tamam siç është shkruar.+ 25  Në të vërtetë, rrethprerja+ sjell dobi vetëm nëse zbatohet ligji.+ Por, në qoftë se shkelet ligji, rrethprerja bëhet parrethprerje. 26  Prandaj, nëse një i parrethprerë+ zbaton kërkesat e drejta të Ligjit, a nuk konsiderohet i rrethprerë edhe pse është i parrethprerë?!+ 27  Kështu, ai që është fizikisht i parrethprerë, por zbaton Ligjin, do të të gjykojë ty që e shkel ligjin, edhe pse e ke të shkruar kodin ligjor dhe je i rrethprerë. 28  Vërtet, nuk është jude kush është i tillë nga jashtë,+ e as është rrethprerje ajo që bëhet në mish.+ 29  Por është jude kush është i tillë nga brenda,+ dhe rrethprerja e vërtetë bëhet në zemër,+ nëpërmjet frymës* e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.+ Lëvdimi i këtij vjen nga Perëndia e jo nga njerëzit.+

Shënime në fund të faqes

Ose «shtrëngimet».
Ose «të kanë mësuar gojarisht».
Ose «tradhti bashkëshortore».