Libri i parë i Samuelit 1:1-28

  • Elkanahu dhe gratë e tij (1-8)

  • Hana lutet për një djalë (9-18)

  • Hana lind Samuelin dhe ia jep Jehovait (19-28)

1  Ishte një burrë nga Ramataim-Zofimi*+ i rajonit malor të Efraimit,+ që quhej Elkanah.+ Ky ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut, bir i Zufit, një efraimit.*  Ai kishte dy gra; njëra quhej Hana, kurse tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Hana nuk kishte.  Vit për vit, ai shkonte nga qyteti i vet për në Shiloh që ta adhuronte* Jehovain e ushtrive e t’i bënte flijime.+ Atje shërbenin si priftërinj të Jehovait,+ dy djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi.+  Një ditë, kur paraqiti një flijim, Elkanahu i dha disa racione Peninës, gruas së vet, si edhe gjithë djemve e vajzave të saj,+  kurse Hanës i dha një racion të veçantë ngaqë e donte shumë, ndonëse Jehovai nuk i kishte dhënë asaj fëmijë.*  Për më tepër, Penina* e tallte pa pushim që ta lëndonte, meqë Jehovai nuk i kishte dhënë fëmijë.  Kështu bënte ajo vit për vit; sa herë që Hana shkonte në shtëpinë e Jehovait,+ ajo e tallte aq shumë, sa Hana qante e nuk hante.  Por Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Hana, pse qan e pse nuk ha? Pse je kaq e mërzitur?* Ti më ke mua. A nuk jam unë më mirë se dhjetë djem?»  Atëherë, pasi kishin ngrënë e kishin pirë në Shiloh, Hana u ngrit. Në atë kohë, prifti Eli po rrinte ulur në ndenjësen pranë portës së tempullit*+ të Jehovait. 10  Me shpirt të hidhëruar, Hana zuri t’i lutej Jehovait+ e të qante pa pushim. 11  Pastaj u zotua: «O Jehova i ushtrive, nëse do ta shohësh brengën e shërbëtores sate e do të më kujtosh, nëse nuk do ta harrosh shërbëtoren tënde e do t’i japësh një djalë,+ unë do të ta jap ty, o Jehova, derisa të ketë jetë, dhe në kokën e tij nuk do të kalojë brisku.»+ 12  Ndërkohë që ajo po i lutej gjatë Jehovait, Eliu po i shikonte me vëmendje gojën. 13  Hana po fliste me vete. I dridheshin vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej. Prandaj Eliu mendoi se ishte e dehur 14  dhe i tha: «Ç’bën këtu kaq e dehur? Të daltë vera!» 15  Atëherë Hana iu përgjigj: «Jo, imzot! Jam jashtë mase e stresuar* e nuk kam pirë as verë e as ndonjë pije tjetër alkoolike, por po i zbraz zemrën* Jehovait.+ 16  Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pavlerë, sepse deri tani u luta ngaqë jam tepër e hidhëruar dhe e brengosur.» 17  Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!»+ 18  Ajo ia ktheu: «Shërbëtorja jote fitoftë pëlqimin tënd!» Pastaj u largua, hëngri dhe nuk dukej më e dëshpëruar. 19  Të nesërmen ata u çuan herët dhe u përkulën para Jehovait, pastaj u kthyen në shtëpi, në Ramah.+ Elkanahu pati marrëdhënie me Hanën, të shoqen, dhe Jehovai i kushtoi vëmendje* asaj.+ 20  Brenda një viti* Hana mbeti shtatzënë, lindi djalë dhe ia vuri emrin+ Samuel,* sepse tha: «Ia kërkova Jehovait.» 21  Pas ca kohësh, Elkanahu me familjen e vet shkoi për t’i paraqitur Jehovait flijimin vjetor+ dhe blatimin e zotimit. 22  Por Hana nuk shkoi,+ sepse i tha të shoqit: «Sapo t’ia heq gjirin, do ta çoj djalin në shtëpinë e* Jehovait, dhe ai do të qëndrojë atje përgjithnjë.»+ 23  Atëherë Elkanahu, i shoqi, i tha: «Bëj si të të duket më mirë.* Rri në shtëpi derisa t’ia heqësh gjirin. Jehovai i plotësoftë fjalët e tua!» Kështu, gruaja ndenji në shtëpi dhe e mëndi të birin derisa ia hoqi gjirin. 24  Sapo ia hoqi gjirin, e çoi në Shiloh. Me vete kishte një dem trevjeçar, një efë* miell e një qyp të madh me verë.+ Ajo mbërriti me djalin e vogël në shtëpinë e Jehovait, në Shiloh.+ 25  Pastaj therën demin dhe e çuan djalin tek Eliu. 26  Atëherë ajo i tha: «Më fal, imzot. Të betohem,* o zotëria im, unë jam ajo gruaja që rrinte me ty në këtë vend për t’iu lutur Jehovait.+ 27  Për këtë djalë u luta, e Jehovai ma plotësoi kërkesën që i bëra.+ 28  Prandaj unë ia jap* Jehovait. Sa të ketë jetë, djali do t’i përkasë Jehovait.» Dhe ai* u përkul atje para Jehovait.

Shënime në fund të faqes

Ose «nga Ramahu, një zufit».
Elkanahu jetonte në Efraim, por ishte levit. Shih 1Kr 6:19, 22-28.
Ose «të përkulej para».
Fjalë për fjalë «ia kishte mbyllur barkun».
Ose «gruaja tjetër».
Ose «Pse brengoset zemra jote?»
Domethënë, të tabernakullit.
Ose «e brengosur».
Ose «shpirtin». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «e mbajti mend».
Një mundësi tjetër «Në kohën e duhur».
Do të thotë «emër i Perëndisë».
Fjalë për fjalë «do të paraqitet para».
Fjalë për fjalë «si të të duket mirë në sytë e tu».
Rreth 22 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «Siç është e vërtetë që ti rron».
Fjalë për fjalë «ia jap hua».
Ka të ngjarë t’i referohet Elkanahut.