Libri i parë i Samuelit 4:1-22

  • Filistinët marrin Arkën (1-11)

  • Eliu dhe djemtë e tij vdesin (12-22)

4  Dhe fjala e Samuelit u përhap në tërë Izraelin. Atëherë Izraeli doli në betejë kundër filistinëve; ata e ngritën kampin pranë Ebenezerit, kurse filistinët kishin fushuar në Afek.  Filistinët u rreshtuan në formacion luftimi për t’u ndeshur me Izraelin, por beteja shkoi keq, dhe Izraeli u mund nga filistinët, të cilët vranë rreth 4.000 burra në fushën e betejës.  Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: «Pse lejoi Jehovai të na mundnin sot filistinët?*+ Le ta marrim me vete arkën e besëlidhjes së Jehovait nga Shilohu,+ që të na shpëtojë nga dora e armiqve tanë.»  Kështu populli dërgoi njerëz në Shiloh, të cilët morën që andej arkën e besëlidhjes së Jehovait të ushtrive, që rri ulur në fron mbi kerubinët.*+ Edhe dy djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi,+ ishin atje bashkë me arkën e besëlidhjes së Perëndisë së vërtetë.  Sapo arka e besëlidhjes së Jehovait erdhi në kamp, të gjithë izraelitët lëshuan britma të forta, aq sa toka u drodh.  Kur filistinët i dëgjuan, thanë: «Ç’është kjo britmë e fortë në kampin e hebrenjve?» Në fund morën vesh se në kamp kishte vajtur Arka e Jehovait.  Atëherë, të frikësuar, filistinët thanë: «Në kamp ka vajtur Perëndia!»+ Prandaj thanë: «Mjerë ne, sepse një gjë e tillë s’ka ndodhur kurrë më parë!  Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtij Perëndie të madhërishëm?! Ky është Perëndia që e goditi Egjiptin me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.+  Jini guximtarë dhe tregohuni burra, o filistinë, që të mos u shërbeni hebrenjve siç ju kanë shërbyer ata juve.+ Tregohuni burra dhe luftoni!» 10  Kështu, filistinët luftuan dhe Izraeli u mund,+ e secili ia mbathi në tendën e vet. Masakra ishte shumë e madhe: nga Izraeli ranë 30.000 këmbësorë. 11  Veç kësaj, Arka e Perëndisë u mor dhe dy djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.+ 12  Një burrë nga fisi i Beniaminit iku me vrap nga fusha e betejës dhe, po atë ditë, mbërriti në Shiloh me rroba të shqyera e me dhé në kokë.+ 13  Kur burri mbërriti, Eliu po rrinte ulur buzë rrugës në ndenjësen e tij dhe po shikonte, sepse i drithëronte zemra për Arkën e Perëndisë së vërtetë.+ Burri hyri në qytet për të dhënë lajmin, dhe gjithë qyteti nisi të klithte. 14  Kur dëgjoi klithmat, Eliu pyeti: «Ç’është kjo rrëmujë?» Burri nxitoi që t’i jepte lajmin Eliut. 15  (Eliu ishte 98 vjeç; nuk i lëvizte sytë, e as nuk shihte.)+ 16  Atëherë burri i tha Eliut: «Unë jam ai që erdhi nga fusha e betejës! Pikërisht sot ia mbatha nga fusha e betejës.» Me të dëgjuar këtë, Eliu e pyeti: «Çfarë ndodhi, biri im?» 17  Kështu lajmëtari i tregoi: «Izraeli ia mbathi nga filistinët dhe populli ka pësuar një humbje të madhe.+ Kanë vdekur edhe dy djemtë e tu, Hofni e Finehasi,+ dhe Arkën e Perëndisë së vërtetë e kanë marrë.»+ 18  Në çastin kur ai përmendi Arkën e Perëndisë së vërtetë, Eliu u rrëzua mbrapsht nga ndenjësja buzë portës. Iu thye qafa dhe vdiq, sepse ishte i moshuar dhe i rëndë. Ai e kishte gjykuar Izraelin për 40 vjet. 19  Nusja e djalit, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë dhe në prag të lindjes. Kur dëgjoi lajmin se kishin marrë Arkën e Perëndisë së vërtetë dhe se vjehrri e burri kishin vdekur, u kërrus nga dhembjet, sepse i filluan papritur dhembjet e lindjes, dhe lindi. 20  Teksa po vdiste, gratë që i rrinin pranë, i thanë: «Mos ki frikë, se ke lindur djalë.» Ajo nuk u përgjigj dhe as nuk u kushtoi vëmendje* fjalëve të tyre, 21  por e quajti djalin Ikabod*+ dhe tha: «Lavdia ka ikur nga Izraeli dhe e kanë çuar në mërgim.»+ Këtë e tha, sepse Arkën e Perëndisë së vërtetë e kishin marrë si plaçkë lufte dhe vjehrri e i shoqi kishin vdekur.+ 22  Ajo tha: «Lavdia ka ikur nga Izraeli dhe e kanë çuar në mërgim, sepse Arkën e Perëndisë së vërtetë e kanë marrë si plaçkë lufte.»+

Shënime në fund të faqes

Ose «Pse na mundi Jehovai sot me anë të filistinëve?»
Një mundësi tjetër «mes kerubinëve».
Fjalë për fjalë «nuk ua vuri zemrën».
Do të thotë «Ku është lavdia?»