Libri i parë i Samuelit 25:1-44

  • Vdekja e Samuelit (1)

  • Nabali hedh poshtë njerëzit e Davidit (2-13)

  • Veprimi i mençur i Abigailës (14-35)

    • ‘Qesja e jetës’ e Jehovait (29)

  • Nabali i pamend goditet nga Jehovai (36-38)

  • Abigaila bëhet gruaja e Davidit (39-44)

25  Pas ca kohësh Samueli+ vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh që të mbante zi e ta varroste te shtëpia e tij në Ramah.+ Pastaj Davidi shkoi në shkretëtirën e Paranit. 2  Tani, në Maon+ ishte një burrë që punonte në Karmel.*+ Ai ishte shumë i pasur; kishte 3.000 dhen e 1.000 dhi, dhe në atë kohë po qethte dhentë në Karmel. 3  Ai quhej Nabal,+ kurse e shoqja Abigaila.+ Ajo ishte e matur dhe e bukur, kurse i shoqi, nga familja e Kalebit,+ ishte i ashpër dhe harbut.+ 4  Kur ndodhej në shkretëtirë, Davidi mori vesh se Nabali po qethte dhentë. 5  Kështu Davidi dërgoi dhjetë burra tek ai dhe u tha: «Shkoni në Karmel dhe, kur të takoni Nabalin, pyeteni nga ana ime si është me shëndet. 6  Pastaj thuajini: ‘Paç jetë të gjatë dhe qofsh mirë me shëndet!* Qoftë mirë shtëpia jote dhe gjithçka ke! 7  Mora vesh se po qeth dhentë. Kur barinjtë e tu ishin me ne, nuk u bëmë keq+ dhe nuk u humbi asgjë gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. 8  Pyeti vetë njerëzit e tu, dhe ata do të të tregojnë. Të lutem, priti mirë njerëzit e mi, sepse kemi ardhur në një kohë të gëzueshme.* Jepu të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç’të mundesh.’»+ 9  Kështu, njerëzit e Davidit vajtën e ia thanë të gjitha këto Nabalit në emër të Davidit. Kur shërbëtorët e Davidit mbaruan, 10  Nabali ua ktheu: «E kush është Davidi?! E kush është djali i Jeseut?! Sot shumë shërbëtorë i braktisin zotërinjtë e tyre.+ 11  E tani u dashka të marr bukën, ujin dhe mishin që kam therur për qethësit e mi e t’ua jap njerëzve që as nuk e di nga vijnë?!» 12  Atëherë njerëzit e Davidit u kthyen dhe ia raportuan të gjitha. 13  Menjëherë Davidi u tha njerëzve të vet: «Secili të ngjeshë shpatën!»+ Prandaj të gjithë ngjeshën shpatat, e po ashtu edhe Davidi. Rreth 400 burra shkuan bashkë me Davidin, kurse 200 qëndruan për të ruajtur plaçkat. 14  Ndërkohë, një nga shërbëtorët e Nabalit njoftoi Abigailën, gruan e tij: «Davidi dërgoi lajmëtarë nga shkretëtira që t’i uronte gjithë të mirat zotërisë tonë, por ai iu hakërrua atyre.+ 15  Ata njerëz u treguan shumë të mirë me ne; nuk na bënë kurrë keq dhe nuk na humbi as edhe një gjë gjatë gjithë kohës që ishim me ta në fusha.+ 16  Ata ishin si mur mbrojtës për ne, natë e ditë, gjatë gjithë kohës që ishim me ta kur kullotnim kopenë. 17  Tani vendos ç’do të bësh, sepse e kanë ndarë mendjen ta shkatërrojnë zotërinë tonë dhe gjithë shtëpinë e tij,+ dhe ai është kaq i lig,*+ sa asnjë nuk i thotë dot as gjysmë fjale.» 18  Kështu Abigaila+ mori shpejt 200 bukë, dy qypa të mëdhenj me verë, pesë dele të përgatitura, pesë sea* drithë të pjekur, 100 kuleç stafidhesh e 200 bukëfiqe dhe i ngarkoi të gjitha mbi gomarë.+ 19  Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Nisuni para. Unë do të vij pas jush.» Por të shoqit, Nabalit, nuk i tregoi gjë. 20  Ndërsa po zbriste me gomar përgjatë një shtegu të fshehur malor, tamam përballë saj po vinte Davidi me njerëzit e vet, dhe ajo u takua me ta. 21  Gjatë rrugës Davidi kishte thënë: «Kot ia ruajta në shkretëtirë gjithçka këtij njeriu. Nuk i humbi as edhe një gjë,+ e ky ma kthen të mirën me të keqe!+ 22  Perëndia i ndëshkoftë ashpër armiqtë e Davidit,* nëse lë gjallë deri në mëngjes qoftë edhe një mashkull!»* 23  Kur e pa Davidin, Abigaila zbriti menjëherë nga gomari dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij. 24  Pastaj i ra në gjunjë dhe i tha: «Mbi mua rëntë faji zotëria im! Të lutem, lejoje shërbëtoren tënde të të flasë dhe dëgjoji fjalët e shërbëtores sate. 25  Të lutem, të mos ia vërë veshin zotëria im këtij burri të lig, Nabalit,+ sepse është ashtu siç e ka emrin. Nabal* e ka emrin dhe i pamend është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë burrat që dërgoi zotëria im. 26  E tani, zotëria im, siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që ti rron, Jehovai po të ndalon+ që të mos bëhesh me faj gjaku+ dhe të mos hakmerresh me* duart e tua. U bëfshin si Nabali armiqtë e tu dhe ata që kërkojnë të keqen e zotërisë tim! 27  Tani, le t’u jepet njerëzve të zotërisë tim+ kjo dhuratë*+ që shërbëtorja jote i ka sjellë zotërisë tim. 28  Fale, të lutem, fajin e shërbëtores sate, sepse pa dyshim Jehovai do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim,+ ngaqë zotëria im po lufton për Jehovain,+ dhe te ti nuk është gjetur asnjë e keqe gjatë gjithë ditëve të tua.+ 29  Kur dikush të të vihet pas dhe të kërkojë jetën tënde, Jehovai, Perëndia yt, do ta mbështjellë mirë jetën e zotërisë tim e do ta ruajë në qesen e jetës, kurse jetën e armiqve të tu do ta flakë si flaken gurët nga hobeja. 30  E kur Jehovai t’i ketë bërë gjithë të mirat që i ka premtuar zotërisë tim dhe të të caktojë si prijës të Izraelit,+ 31  ty nuk do të të brejë ndërgjegjja dhe as nuk do të të vijë keq,* sepse nuk derdhe gjak kot dhe nuk more hak* me duart e tua!+ Kur Jehovai të të bekojë zotëria im, kujtoje shërbëtoren tënde.» 32  Atëherë Davidi i tha Abigailës: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar! 33  Bekuar qoftë maturia jote! Qofsh e bekuar që sot nuk më le të bëhesha me faj gjaku+ dhe të merrja hak me duart e mia, 34  sepse siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia i Izraelit, i cili më ndaloi që të mos të bëja keq,+ po të mos kishe ardhur shpejt për të më takuar,+ deri në mëngjes, Nabalit nuk do t’i kishte mbetur as edhe një mashkull.»*+ 35  Pasi tha këtë, Davidi pranoi gjërat që i kishte sjellë dhe i tha: «Shko në shtëpi në paqe. Siç e sheh, unë të dëgjova dhe do të ta plotësoj kërkesën.» 36  Më vonë Abigaila u kthye te Nabali, i cili po hante si mbret në shtëpinë e vet. Nabali* kishte ardhur në qejf dhe ishte bërë tapë. Ajo nuk i tregoi asgjë, derisa zbardhi. 37  Në mëngjes, kur Nabali ishte esëll, e shoqja ia tregoi të gjitha, dhe atij iu mpi zemra e mbeti i paralizuar si gur. 38  Rreth dhjetë ditë më vonë, Jehovai e goditi Nabalin, dhe ai vdiq. 39  Kur dëgjoi se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, që e mbrojti çështjen time+ e më çliroi nga poshtërimi që më solli Nabali,+ dhe që nuk e lejoi shërbëtorin e vet të bënte asnjë të keqe!+ Jehovai ia ka kthyer mbi kokë Nabalit të keqen që bëri.» Pastaj Davidi i çoi fjalë Abigailës që t’i kërkonte dorën për martesë. 40  Kështu, shërbëtorët e Davidit vajtën tek Abigaila në Karmel dhe i thanë: «Davidi na dërgoi se do që të të marrë për grua.» 41  Ajo u çua menjëherë dhe u përkul me fytyrë përtokë e tha: «Skllavja juaj është gati të bëhet shërbëtore që t’u lajë këmbët+ shërbëtorëve të zotërisë tim.» 42  Pastaj Abigaila+ u çua shpejt, hipi mbi gomar dhe, bashkë me pesë shërbëtore që ecnin nga pas, iku me lajmëtarët e Davidit dhe u bë gruaja e tij. 43  Davidi ishte i martuar edhe me Ahinoamin+ nga Jezreli,+ dhe të dyja u bënë gratë e tij.+ 44  Ndërkohë Sauli, Mikalën,+ vajzën e vet dhe gruan e Davidit, ia kishte dhënë për nuse Paltit,+ birit të Laishit nga Galimi.

Shënimet

^ Qytet në Judë; nuk është mali Karmel.
^ Ose «dhe paqja qoftë me ty!»
^ Fjalë për fjalë «në një ditë të mirë».
^ Ose «i pavlerë».
^ Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një mundësi tjetër «Davidin».
^ Fjalë për fjalë «një që urinon në mur». Në hebraisht kjo është një shprehje përçmuese për meshkujt.
^ Do të thotë «i pamend; budalla».
^ Ose «dhe që shpëtimi të mos vijë nga».
^ Fjalë për fjalë «ky bekim».
^ Fjalë për fjalë «nuk do të të merren këmbët, as nuk do të pengohesh».
^ Ose «dhe nuk e solle shpëtimin».
^ Fjalë për fjalë «një që urinon në mur». Në hebraisht kjo është një shprehje përçmuese për meshkujt.
^ Fjalë për fjalë «Zemra e Nabalit».