Libri i parë i Samuelit 30:1-31

  • Amalekitët sulmojnë, plaçkitin dhe djegin Ziklagun (1-6)

    • Davidi merr forcë nga Perëndia (6)

  • Davidi mund amalekitët (7-31)

    • Davidi rimerr robërit (18, 19)

    • Rregulli i Davidit për plaçkën e luftës (23, 24)

30  Ditën e tretë, kur Davidi dhe njerëzit e tij erdhën në Ziklag,+ amalekitët+ kishin sulmuar në jug* dhe në Ziklag; ata e kishin sulmuar Ziklagun dhe i kishin vënë zjarrin.  Kishin marrë rob gratë+ dhe të gjithë ata që gjendeshin atje, nga më i madhi te më i vogli. Nuk kishin vrarë asnjë, por i kishin marrë me vete dhe kishin ikur.  Kur Davidi bashkë me njerëzit e tij erdhi në qytet, pa që e kishin djegur, kurse gratë, djemtë dhe vajzat e tyre i kishin marrë rob.  Kështu Davidi dhe burrat që ishin me të, ia plasën të qarit derisa s’patën më fuqi.  Kishin marrë robinja edhe dy gratë e Davidit, Ahinoamin nga Jezreli, dhe Abigailën nga Karmeli, vejushën e Nabalit.+  Davidi ishte shumë i shqetësuar, sepse burrat që ishin me të, thoshin që ta vritnin me gurë, ngaqë të gjithëve u ishte helmuar shpirti se kishin humbur djemtë e vajzat. Por Davidi mori forcë falë Jehovait, Perëndisë së tij.+  Atëherë Davidi i tha priftit Abiatar,+ birit të Ahimelekut: «Të lutem, ma sill këtu efodin.»+ Kështu Abiatari ia çoi efodin.  Davidi pyeti Jehovain:+ «A duhet t’i shkoj pas kësaj bande plaçkitësish? A do t’i arrij?» Ai iu përgjigj: «Ndiqi këmba-këmbës, sepse me siguri do t’i arrish, dhe do t’i çlirosh të gjithë e do të rimarrësh gjithçka.»+  Menjëherë Davidi u nis bashkë me 600 burrat+ që ishin me të. Ata shkuan deri te vadi* i Besorit, ku qëndruan disa prej tyre. 10  Davidi me 400 burra vazhduan t’i ndiqnin, kurse 200 burrat që ishin të rraskapitur për të kaluar matanë vadit të Besorit, qëndruan aty.+ 11  Në fushë gjetën një egjiptian; e çuan te Davidi dhe i dhanë të pinte ujë e të hante bukë, 12  si edhe një copë bukëfiqe dhe dy kuleç stafidhesh. Pasi hëngri, i erdhi shpirti në vend, sepse për tri ditë e tri net as kishte ngrënë dhe as kishte pirë. 13  Davidi e pyeti: «I kujt je dhe nga vjen?» Ai iu përgjigj: «Jam një shërbëtor egjiptian, skllav i një amalekiti, por zotëria im më la, sepse tri ditë më parë u sëmura. 14  Ne sulmuam jugun* e keretitëve,+ territorin e Judës dhe jugun* e Kalebit,+ kurse Ziklagut i vumë zjarrin.» 15  Atëherë Davidi e pyeti: «A do të më çosh te kjo bandë plaçkitësish?» Egjiptiani ia ktheu: «Nëse më betohesh për Perëndinë se nuk do të më vrasësh dhe se nuk do të më dorëzosh në duart e zotërisë tim, unë do të të çoj te kjo bandë plaçkitësish.» 16  Kështu e çoi Davidin tek ata. Amalekitët ishin shpërndarë nëpër tërë vendin, hanin, pinin dhe festonin për gjithë plaçkën e madhe që kishin marrë nga vendi i filistinëve dhe nga vendi i Judës. 17  Atëherë Davidi i goditi që pa zbardhur e deri në mbrëmje.* Nuk shpëtoi asnjë,+ përveç 400 burrave që ia mbathën me deve. 18  Davidi rimori gjithçka që i kishin marrë amalekitët;+ çliroi edhe dy gratë e veta. 19  Nuk mungonte askush, nga më i madhi te më i vogli. Ata i çliruan djemtë e vajzat dhe rimorën plaçkën;+ Davidi i mori prapë të gjitha. 20  Mori gjithë kopetë dhe tufat e amalekitëve, të cilat i vunë të ecnin para bagëtisë së tyre dhe thoshin: «Kjo është plaçka e Davidit.» 21  Pastaj Davidi u kthye te 200 burrat që kishin qenë të rraskapitur për të shkuar bashkë me të dhe kishin qëndruar te vadi i Besorit.+ Ata dolën të takonin Davidin dhe njerëzit që ishin me të. Kur iu afrua burrave, Davidi i pyeti si ishin. 22  Mirëpo të gjithë burrat e këqij e zemërngushtë ndër ata që kishin shkuar me Davidin, thanë: «Meqë ata nuk erdhën me ne, nuk kemi për t’u dhënë asgjë nga plaçka e luftës që rimorëm. Secili të marrë gruan e fëmijët e vet dhe të ikë.» 23  Megjithatë, Davidi u tha: «Vëllezërit e mi, mos bëni kështu me atë që na ka dhënë Jehovai. Ai na mbrojti dhe na dha në dorë bandën e plaçkitësve që erdhi kundër nesh.+ 24  Mendoni se do t’jua vërë kush veshin për këtë që thoni?! Do të marrin të gjithë njësoj, si ai që zbriti në betejë, edhe ai që ndenji pranë plaçkave.+ Të gjithë do të kemi pjesën tonë.»+ 25  Që nga ajo ditë, ai e mbajti këtë si rregull dhe si ligj për Izraelin deri sot e kësaj dite. 26  Kur u kthye në Ziklag, Davidi u dërgoi një pjesë të plaçkës së luftës pleqve të Judës, miqve të tij, me këto fjalë: «Kjo është një dhuratë* për ju nga plaçka që u morëm armiqve të Jehovait.» 27  Ua dërgoi dhuratën atyre që ishin në Bethel,+ atyre në Ramotin e Negebit,* atyre në Jatir,+ 28  atyre në Aroer, atyre në Sifmot, atyre në Eshtemoa,+ 29  atyre në Rakal, atyre në qytetet e jerahmelitëve,+ atyre në qytetet e kenitëve,+ 30  atyre në Hormah,+ atyre në Borashan, atyre në Atak, 31  atyre në Hebron+ dhe në të gjitha vendet ku kishte shkuar Davidi me njerëzit e tij.

Shënime në fund të faqes

Ose «në Negeb».
Ose «Negebin».
Ose «Negebin».
Ose «mbrëmjen tjetër».
Fjalë për fjalë «bekim».
Ose «e jugut».