Libri i parë i Samuelit 11:1-15

  • Sauli mposht amonitët (1-11)

  • Sauli shpallet përsëri si mbret (12-15)

11  Më pas Nahashi, amoniti,+ u ngjit dhe e ngriti kampin kundër Jabeshit+ në Galad. Të gjithë burrat e Jabeshit i thanë Nahashit: «Bëj një besëlidhje* me ne, dhe do të të shërbejmë.»  Nahashi, amoniti, u tha: «Besëlidhjen do ta bëj vetëm me këtë kusht: t’i nxirret syri i djathtë secilit nga ju. Këtë do ta bëj për të poshtëruar gjithë Izraelin.»  Pleqtë e Jabeshit ia kthyen: «Na jep shtatë ditë kohë që të dërgojmë lajmëtarë në mbarë territorin e Izraelit. Pastaj, nëse nuk del ndonjë që të na shpëtojë, do të dorëzohemi te ti.»  Ndërkohë, lajmëtarët vajtën në Gibeahun+ e Saulit dhe ia thanë këto fjalë popullit, dhe gjithë populli ia dha të qarit.  Por Sauli që kthehej nga ara me kopenë, i pyeti: «Si është puna me popullin? Pse po qan?» Kështu i treguan çfarë kishin thënë burrat e Jabeshit.  Kur Sauli dëgjoi këto fjalë, fryma e Perëndisë i dha fuqi+ dhe atij iu ndez shumë zemërimi.  Kështu mori dy dema, i preu copa-copa dhe i dërgoi në tërë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, që thoshin: «Kështu do të bëhet me bagëtinë e kujtdo që nuk ndjek Saulin dhe Samuelin!» Populli u mbush me nderim të thellë për Jehovain,* ndaj u ngrit si një trup* i vetëm.  Pastaj Sauli i numëroi në Bezek dhe ishin 300.000 izraelitë e 30.000 burra të Judës.  Lajmëtarëve që kishin ardhur, u thanë: «Këtë duhet t’u thoni burrave të Jabeshit në Galad: ‘Nesër, në kohën kur nxeh dielli, do të shpëtoni.’» Kështu lajmëtarët vajtën e ua treguan këtë burrave të Jabeshit, të cilët fluturuan nga gëzimi. 10  Atëherë burrat e Jabeshit u thanë amonitëve: «Nesër do të dorëzohemi, dhe mund të bëni me ne si t’ju duket më mirë.»+ 11  Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tri njësi. Gjatë ndërresës së mëngjesit,* ata çanë rrugën për të hyrë në mes të kampit dhe i goditën amonitët+ deri në kulm të vapës. Ata që mbijetuan, u shpërndanë, kështu që nuk mbetën dy bashkë. 12  Pastaj populli i tha Samuelit: «Kush ka thënë: ‘Vallë Sauli do të jetë mbret mbi ne?’+ Dorëzojini ata burra, dhe do t’i vrasim.» 13  Megjithatë Sauli tha: «Këtë ditë nuk duhet të vritet asnjeri,+ sepse sot Jehovai ka shpëtuar Izraelin.» 14  Më vonë Samueli i tha popullit: «Ejani të shkojmë në Gilgal,+ që ta shpallim përsëri Saulin mbret.»+ 15  Kështu, i gjithë populli shkoi në Gilgal dhe atje e bënë Saulin mbret para Jehovait. Pastaj paraqitën flijime në bashkësi para Jehovait+ dhe Sauli bashkë me gjithë izraelitët festuan me gëzim të madh.+

Shënime në fund të faqes

Ose «një marrëveshje».
Fjalë për fjalë «e zuri frika nga Jehovai». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «si një njeri».
Domethënë, rreth orës 2 deri në 6 të mëngjesit.