Libri i parë i Samuelit 8:1-22
8 Kur u plak, Samueli emëroi djemtë e vet që të gjykonin Izraelin.
2 I parëlinduri quhej Joel, kurse i dyti Abijah;+ ata gjykonin në Ber-Shebë.
3 Por këta nuk ecën në gjurmët e të atit, sepse jepeshin pas fitimeve të pandershme,+ merrnin ryshfete+ dhe shtrembëronin drejtësinë.+
4 Pas ca kohësh, tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën dhe vajtën në Ramah te Samueli
5 e i thanë: «Shiko, ti je plakur dhe djemtë e tu nuk ecin në udhët e tua. Prandaj na cakto një mbret, si kanë tërë kombet e tjera, që të na gjykojë.»+
6 Por, kur ata thanë: «Na jep një mbret që të na gjykojë», kjo nuk i pëlqeu Samuelit.* Pastaj Samueli iu lut Jehovait,
7 dhe Jehovai i tha: «Dëgjo gjithçka që të thotë populli, sepse nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua si mbretin e tyre.+
8 Ata po veprojnë me ty ashtu si kanë bërë me mua që nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot; vazhdojnë të më braktisin+ dhe t’u shërbejnë perëndive të tjera.+
9 Dëgjoje kërkesën e tyre. Megjithatë duhet t’i paralajmërosh qartë për pasojat; tregoju ç’do të kërkojë me të drejtë mbreti që do të sundojë mbi ta.»
10 Kështu Samueli i tregoi popullit, që i kërkonte një mbret, të gjitha fjalët e Jehovait.
11 Ai tha: «Ja çfarë do të kërkojë me të drejtë mbreti që do të sundojë mbi ju:+ ai do t’jua marrë djemtë+ e do t’i vërë në karrocat e veta,+ do t’i bëjë kalorësit e vet+ e madje disa do të vrapojnë përpara karrocave të tij.
12 Do të caktojë për vete krerë të mijësheve+ e krerë të pesëdhjetësheve,+ dhe disa do të lërojnë tokën,+ do të mbledhin të korrat e tij+ e do të bëjnë armë për luftë dhe pajisje për karrocat e tij.+
13 Vajzat do t’jua marrë që të jenë përgatitëse pomadash,* kuzhiniere e bukëpjekëse.+
14 Do të marrë arat, vreshtat e ullishtet tuaja më të mira,+ dhe do t’ua japë shërbëtorëve të vet.
15 Do të marrë të dhjetën nga drithi i arave tuaja dhe nga vreshtat tuaj e do t’ua japë zyrtarëve të oborrit dhe shërbëtorëve të vet.
16 Do t’ju marrë shërbyesit, shërbyeset, tufat më të mira e gomarët, dhe do t’i përdorë për punën e vet.+
17 Do të marrë të dhjetën nga kopetë tuaja+ dhe ju do të bëheni shërbëtorët e tij.
18 Do të vijë dita kur do të thërritni e do të rënkoni për shkak të mbretit që e keni zgjedhur vetë,+ por atë ditë Jehovai nuk do t’ju përgjigjet.»
19 Megjithatë populli nuk pranoi ta dëgjonte atë që i tregoi Samueli dhe tha: «Jo, e kemi ndarë mendjen të kemi një mbret.
20 Atëherë do të jemi si tërë kombet e tjera, dhe mbreti ynë do të na gjykojë, do të na prijë dhe do të luftojë për ne.»
21 Pasi i dëgjoi të gjitha fjalët e popullit, Samueli ia tha ato Jehovait.
22 Atëherë Jehovai i tha Samuelit: «Dëgjoje popullin dhe cakto një mbret që të mbretërojë mbi të.»+ Pastaj Samueli u tha burrave të Izraelit: «Secili të kthehet në qytetin e vet.»