Libri i parë i Samuelit 14:1-52

  • Bëma e Jonatanit në Mikmash (1-14)

  • Perëndia mund armiqtë e Izraelit (15-23)

  • Betimi i nxituar i Saulit (24-46)

    • Ushtarët hanë mish me gjithë gjak (32-34)

  • Luftërat e Saulit; familja e tij (47-52)

14  Një ditë Jonatani,+ djali i Saulit, i tha shërbëtorit që i mbante armët: «Hajde, të shkojmë te pararoja e filistinëve në anën tjetër.» Por nuk i tregoi asgjë të atit. 2  Sauli po rrinte në rrethinat e Gibeahut,+ nën shegën që gjendet në Migron; me të ishin rreth 600 burra.+ 3  (Efodin+ e mbante veshur Akijahu, biri i Ahitubit,+ vëllait të Ikabodit,+ birit të Finehasit,+ birit të Eliut,+ priftit të Jehovait në Shiloh.)+ Ushtarët nuk e dinin që Jonatani kishte ikur. 4  Tani, midis shtigjeve që Jonatani po përpiqej të kalonte për të arritur te pararoja e filistinëve, gjendej një shkrep në formë dhëmbi nga njëra anë dhe një shkrep në formë dhëmbi nga ana tjetër; njëri e kishte emrin Bozez, kurse tjetri Seneh. 5  Njëri shkrep ngrihej si një shtyllë në veri, përballë Mikmashit, kurse tjetri në jug, përballë Gebës.+ 6  Kështu Jonatani i tha armëmbajtësit të tij: «Hajde, të shkojmë te pararoja e këtyre të parrethprerëve.+ Ndoshta Jehovai do të veprojë për ne, sepse Jehovain s’e pengon asgjë që të sjellë shpëtim, qoftë me shumë veta, qoftë me pak.»+ 7  Atëherë armëmbajtësi i tha: «Bëj si të të dojë zemra. Shko nga të duash, dhe unë do të vij me ty ngado që të shkosh.» 8  Pastaj Jonatani ia ktheu: «Do të shkojmë tek ata burra e do t’u dalim hapur. 9  Nëse na thonë: ‘Ndaluni derisa të vijmë te ju’, do të qëndrojmë aty ku jemi dhe nuk do të ngjitemi tek ata. 10  Por nëse na thonë: ‘Ngjituni të luftoni kundër nesh!’, do të ngjitemi, sepse kjo do të jetë shenja+ që Jehovai do të na i japë në dorë.» 11  Atëherë, që të dy i dolën hapur pararojës filistine, dhe filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku ishin fshehur.»+ 12  Kështu burrat e pararojës i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit të tij: «Ngjituni te ne dhe do t’jua ndreqim qejfin!»+ Menjëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, sepse Jehovai do t’i japë në dorë të Izraelit.»+ 13  Dhe Jonatani u ngjit me këmbë e me duar nëpër shkëmb, ndërsa armëmbajtësi ishte pas tij. Jonatani filloi të sulmonte filistinët, dhe ata që mbeteshin gjallë, i vriste armëmbajtësi. 14  Në sulmin e parë që ndërmorën, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë rreth 20 burra brenda pothuajse gjysmë brazde në gjysmë hektari tokë.* 15  Atëherë kampit në fushë dhe tërë ushtarëve të pararojës u hyri tmerri e madje edhe trupat sulmuese+ ishin të tmerruara. Toka nisi të dridhej, dhe më pas erdhi tmerri nga Perëndia. 16  Rojat e Saulit në Gibeah+ të Beniaminit panë se rrëmuja po përhapej anembanë kampit.+ 17  Sauli u tha ushtarëve që ishin me të: «Bëni numërimin dhe shikoni kush ka ikur!» Kur bënë numërimin, panë se Jonatani dhe armëmbajtësi i tij nuk ishin atje. 18  Atëherë Sauli i tha Akijahut:+ «Sille këtu Arkën e Perëndisë së vërtetë!» (Se në atë kohë* Arka e Perëndisë së vërtetë ishte me izraelitët.) 19  Dhe ndërsa Sauli i fliste priftit, rrëmuja në kampin e filistinëve sa vinte e bëhej më e madhe. Atëherë Sauli i tha priftit: «Ndalo! Mos vazhdo më.» 20  Kështu, Sauli dhe gjithë ushtarët që ishin me të, u mblodhën dhe vajtën në betejë, ku panë se filistinët i kishin kthyer shpatat kundër njëri-tjetrit dhe rrëmuja ishte shumë e madhe. 21  Edhe hebrenjtë që më parë kishin marrë anën e filistinëve dhe që ishin ngjitur me ta në kamp, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonatanin. 22  Tërë burrat e Izraelit që ishin fshehur+ në rajonin malor të Efraimit, morën vesh se filistinët ia kishin mbathur, prandaj edhe ata zunë t’i ndiqnin, e të merrnin pjesë në betejë. 23  Kështu, atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin+ dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.+ 24  Por burrat e Izraelit ishin të dërrmuar atë ditë, sepse Sauli i kishte vënë në këtë be: «Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë* përpara mbrëmjes, derisa të kem marrë hak kundër armiqve të mi!» Kështu asnjë nga ata nuk vuri bukë në gojë.+ 25  Të gjithë ushtarët* vajtën në pyll, dhe mbi tokë kishte mjaltë. 26  Kur hynë në pyll, panë që pikonte mjaltë, por askush nuk hëngri, sepse kishin frikë nga beja. 27  Mirëpo Jonatani nuk e kishte marrë vesh që i ati i kishte vënë ushtarët në be,+ prandaj e zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e zhyti në huall dhe pasi hëngri, mori fuqi.* 28  Atëherë njëri nga ushtarët tha: «Babai yt i vuri ushtarët në be të rëndë, duke thënë: ‘Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë sot!’+ Ja pse ushtarët janë kaq të lodhur.» 29  Por Jonatani tha: «Babai im ka sjellë shumë telashe* në vend. Shihni si mora fuqi ngaqë provova fare pak mjaltë. 30  Do të kishte qenë shumë më mirë sikur sot ushtarët të kishin ngrënë lirisht+ nga preja që gjetën tek armiqtë, sepse atëherë masakra kundër filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe.» 31  Atë ditë i sulmuan dhe i vranë filistinët nga Mikmashi deri në Ajalon,+ dhe ushtarët u lodhën shumë. 32  Prandaj ata u turrën me lakmi mbi prenë dhe morën dhen, gjedhë e viça dhe i therën përtokë; e hëngrën mishin me gjithë gjak.+ 33  Atëherë Saulin e njoftuan: «Ja, ushtarët po mëkatojnë kundër Jehovait, duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.»+ Sapo dëgjoi këtë, ai tha: «Ju keni vepruar pabesisht. Rrokullisni menjëherë një gur të madh këtu tek unë.» 34  Pastaj Sauli tha: «Shpërndahuni mes ushtarëve e u thoni: ‘Secili nga ju duhet të sjellë demin dhe delen e vet, t’i therë këtu dhe pastaj t’i hajë. Mos mëkatoni kundër Jehovait duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.’»+ Kështu, atë natë secili solli demin e tij dhe e theri atje. 35  E Sauli i ndërtoi një altar Jehovait.+ Ky ishte altari i parë që i ndërtoi Jehovait. 36  Më pas Sauli tha: «T’i ndjekim filistinët natën dhe t’i plaçkitim derisa të zbardhë dita. Nuk do të lëmë asnjë gjallë.» Atëherë ata ia kthyen: «Bëj si të të duket më mirë.» Pastaj prifti tha: «Le t’i afrohemi këtu Perëndisë së vërtetë.»+ 37  Dhe Sauli e pyeti Perëndinë: «Të zbres pas filistinëve?+ A do t’ia japësh në dorë Izraelit?» Por atë ditë Perëndia nuk iu përgjigj. 38  Prandaj Sauli tha: «Ejani këtu, të gjithë ju krerë të popullit, dhe zbuloni çfarë mëkati është bërë sot, 39  sepse siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili e shpëtoi Izraelin, edhe sikur të jetë djali im, Jonatani, ka për të vdekur.» Por askush nga populli nuk i përgjigjej. 40  Atëherë u tha izraelitëve: «Ju do të qëndroni në njërën anë, kurse unë dhe djali im, Jonatani, do të qëndrojmë në anën tjetër.» Ata iu përgjigjën Saulit: «Bëj si të të duket më mirë.» 41  Kështu Sauli i tha Jehovait: «O Perëndi i Izraelit, përgjigju me anë të Thumimit!»*+ Pastaj u zgjodhën Jonatani dhe Sauli, ndërsa të tjerët dolën të pafajshëm. 42  Tani Sauli tha: «Hidhni short*+ për të vendosur mes meje e djalit tim, Jonatanit.» Dhe u zgjodh Jonatani. 43  Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më trego, çfarë ke bërë?» Kështu Jonatani i tregoi: «Vetëm sa provova pak mjaltë me majën e bastunit që kam në dorë.+ Ja tek jam! Jam gati të vdes!» 44  Me të dëgjuar këtë, Sauli tha: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ti Jonatan nuk vdes!»+ 45  Por ushtarët i thanë Saulit: «A duhet të vdesë Jonatani, ai që i solli këtë fitore të madhe*+ Izraelit? As që bëhet fjalë! Siç është e vërtetë që Jehovai rron, atij s’duhet t’i bjerë përtokë as edhe një fije floku, sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.»+ Atëherë ushtarët e shpëtuan* Jonatanin, dhe ai nuk vdiq. 46  Kështu Sauli nuk i ndoqi më filistinët dhe këta shkuan në territorin e tyre. 47  Sauli siguroi pozitën e tij si mbret i Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve të vet nga çdo anë, kundër moabitëve,+ kundër amonitëve,+ kundër edomitëve,+ kundër mbretërve të Zobahut+ dhe kundër filistinëve.+ Ngado që shkonte, i mundte. 48  Dhe ai luftoi trimërisht, i mposhti amalekitët+ dhe e shpëtoi Izraelin nga dora e zhvatësve. 49  Djemtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu dhe Malki-Shuai.+ Ai kishte dy vajza; e madhja quhej Meraba,+ kurse e vogla, Mikala.+ 50  Gruaja e Saulit quhej Ahinoam, vajza e Ahimazit. Kreu i ushtrisë së tij quhej Abner,+ i cili ishte bir i Nerit dhe xhaxha i Saulit. 51  Babai i Saulit ishte Kishi,+ dhe Neri,+ babai i Abnerit, ishte biri i Abielit. 52  Lufta kundër filistinëve ishte e ashpër gjatë gjithë ditëve të Saulit.+ Kur Sauli shihte ndonjë burrë të fuqishëm a të guximshëm, e rekrutonte në shërbimin e tij.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «një pendë tokë», pra, sipërfaqja e tokës që një pendë ose një çift qesh mund të lërojnë në një ditë.
^ Fjalë për fjalë «në atë ditë».
^ Ose «ushqim».
^ Fjalë për fjalë «vendi».
^ Fjalë për fjalë «i shndritën sytë».
^ Fjalë për fjalë «ostracizëm».
^ Shih Fjalorthin, «Urimi dhe Thumimi».
^ Ka të ngjarë të lidhet me konsultimin e Thumimit.
^ Ose «shpëtim të madh».
^ Fjalë për fjalë «shpenguan».