Sipas Mateut 27:1-66

  • Jezuin ia dorëzojnë Pilatit (1, 2)

  • Juda var veten (3-10)

  • Jezui para Pilatit (11-26)

  • E tallin para të gjithëve (27-31)

  • Gozhdohet në shtyllë në Golgotë (32-44)

  • Vdekja e Jezuit (45-56)

  • Varrimi i Jezuit (57-61)

  • Varri ruhet me roja (62-66)

27  Kur zbardhi dita, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit u mblodhën për të komplotuar kundër Jezuit që ta vritnin.+ 2  Pasi e vunë në vargonj, ata e morën dhe ia dorëzuan Pilatit, guvernatorit.+ 3  Atëherë Judën, që e tradhtoi, e breu ndërgjegjja kur pa se Jezui u shpall fajtor, prandaj u ktheu krerëve të priftërinjve e pleqve 30 monedhat e argjendit+ 4  e u tha: «Mëkatova, sepse tradhtova një njeri* të pafajshëm.» Ata ia kthyen: «Ç’na duhet neve? Punë për ty!» 5  Prandaj ai i hodhi monedhat e argjendit në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.+ 6  Por krerët e priftërinjve i morën monedhat e argjendit dhe thanë: «S’është e ligjshme t’i hedhim në thesarin e shenjtë, sepse janë çmim gjaku.» 7  Pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, i përdorën paratë për të blerë arën e poçarit si varrezë për të huajt. 8  Prandaj ara quhet deri më sot Ara e Gjakut.+ 9  Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia: «Ata morën 30 monedhat e argjendit, çmimin që ishte vënë për atë njeri, çmimin që disa nga bijtë e Izraelit kishin vënë për të, 10  dhe blenë me të arën e poçarit, sipas asaj që më kishte urdhëruar Jehovai.»*+ 11  Jezui qëndroi në këmbë përpara guvernatorit, që e pyeti: «A je ti Mbreti i judenjve?» Jezui ia ktheu: «Ti vetë po thua.»+ 12  Megjithatë, kur krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzonin, ai nuk kthente asnjë përgjigje.+ 13  Atëherë Pilati e pyeti: «A nuk e dëgjon sa shumë akuza po ngrenë kundër teje?» 14  Mirëpo ai nuk iu përgjigj dhe s’tha as gjysmë fjale, prandaj guvernatori u çudit shumë. 15  Tani, në çdo festë, guvernatori e kishte zakon të lironte një të burgosur, këdo që dëshironte turma.+ 16  Pikërisht në atë kohë, në burg mbahej një i burgosur famëkeq, që quhej Baraba. 17  Kështu, kur turma u mblodh, Pilati u tha: «Cilin doni t’ju liroj, Barabën apo Jezuin që thonë se është Krishti?» 18  Në fakt Pilati e dinte mirë që ata e kishin dorëzuar nga zilia. 19  Veç kësaj, ndërsa ai rrinte ulur në fronin e gjykimit, gruaja i dërgoi fjalë: «Mos u përziej fare me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.» 20  Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës të kërkonin Barabën,+ kurse Jezuin ta vritnin.+ 21  Atëherë, kur guvernatori i pyeti: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?», ata thanë: «Barabën.» 22  Pilati u tha: «Ç’duhet të bëj, pra, me Jezuin që thonë se është Krishti?» Të gjithë u përgjigjën: «Vëre në shtyllë!»*+ 23  Ai tha: «Pse? Ç’të keqe ka bërë?» Mirëpo ata vazhdonin të bërtisnin edhe më shumë: «Vëre në shtyllë!»+ 24  Kur pa se nuk arriti gjë, por përkundrazi, po bëhej trazirë, Pilati mori ujë, lau duart para turmës dhe u tha: «Unë jam i pafaj nga gjaku i këtij njeriu. Kjo është punë për ju.» 25  Atëherë gjithë populli iu përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!»*+ 26  Prandaj ai u liroi Barabën, kurse Jezuin urdhëroi ta rrihnin me kamxhik+ dhe ua dha ta ekzekutonin në shtyllë.+ 27  Atëherë ushtarët e guvernatorit e çuan Jezuin te pallati i guvernatorit dhe mblodhën rreth tij gjithë trupën e ushtarëve.+ 28  Pasi ia hoqën rrobat, i hodhën përsipër një mantel në të kuqe të ndezur.+ 29  Thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Pastaj ranë në gjunjë para tij dhe e tallnin duke i thënë: «Tungjatjeta,* o Mbret i judenjve!» 30  E pështynë,+ morën kallamin dhe nisën ta qëllonin në kokë me të. 31  Në fund, pasi u tallën, i hoqën mantelin, i veshën përsëri rrobat e tij të sipërme dhe e çuan që ta gozhdonin në shtyllë.+ 32  Kur po dilnin, gjetën një njeri nga Kirena, të quajtur Simon, dhe e detyruan* të mbartte shtyllën e torturës* të Jezuit.+ 33  Kur mbërritën në një vend të quajtur Gólgotha, domethënë te Vendi i Kafkës,+ 34  ata i dhanë Jezuit të pinte verë të përzier me vrer,*+ por, pasi e provoi, ai nuk pranoi ta pinte. 35  Mbasi e gozhduan në shtyllë, i ndanë rrobat e tij me short,+ 36  pastaj u ulën aty që ta ruanin. 37  Përveç kësaj, sipër kokës i vunë akuzën e shkruar kundër tij: «Ky është Jezui, Mbreti i judenjve.»+ 38  Pastaj vunë në shtyllë përkrah tij edhe dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë.+ 39  Ata që kalonin andej, e shanin,+ tundnin kokën+ 40  dhe thoshin: «Shpëto veten, ti që do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë!+ Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!»*+ 41  Po ashtu edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe pleqtë, nisën të talleshin me të e të thoshin:+ 42  «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot! Nëse është Mbret i Izraelit,+ le të zbresë tani nga shtylla e torturës,* dhe ne do të besojmë tek ai. 43  Ai e ka lënë veten në duart e Perëndisë, prandaj le ta shpëtojë Ai tani, nëse e miraton,+ sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë.’»+ 44  Edhe kusarët që ishin vënë në shtyllë përkrah tij, nisën ta poshtëronin në të njëjtën mënyrë.+ 45  Nga ora e gjashtë* deri në orën e nëntë,* gjithë vendin e mbuloi errësira.+ 46  Rreth orës së nëntë, Jezui thërriti me zë të lartë: «Éli, Éli, láma sabahtháni?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?»+ 47  Kur dëgjuan këtë, disa nga ata që ishin atje, filluan të thoshin: «Ky njeri po thërret Elijan.»+ 48  Menjëherë një prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e njomi me verë të thartë, e vuri në një kallam dhe ia dha që të pinte.+ 49  Por të tjerët i thanë: «Lëre! Të shohim nëse Elija do të vijë ta shpëtojë.» 50  Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha frymë.*+ 51  Kur ja, perdja* e shenjtërores+ u ça më dysh,+ nga maja deri në fund,+ dhe toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52  Varret* u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve,* që kishin rënë në gjumin e vdekjes, dolën jashtë* varreve, 53  dhe shumë veta i panë. (Pasi Jezui u ngrit nga të vdekurit, disa njerëz që po vinin nga varrezat, hynë në qytetin e shenjtë.) 54  Kur panë tërmetin dhe gjërat që ndodhën, centurioni* dhe ata që ishin me të duke ruajtur Jezuin patën shumë frikë dhe thanë: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.»+ 55  Atje ishin edhe shumë gra që po shikonin nga larg, të cilat e kishin shoqëruar Jezuin nga Galilea për t’i shërbyer.+ 56  Ndër to ishte Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit dhe e Jozeut, si dhe nëna e djemve të Zebedeut.+ 57  Tani, pasdite vonë, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, i quajtur Jozef, që ishte bërë dishepull i Jezuit.+ 58  Ky njeri vajti te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit,+ dhe Pilati urdhëroi t’ia jepnin.+ 59  Atëherë Jozefi e mori trupin, e mbështolli me një copë të pastër linoje cilësore+ 60  dhe e vuri në varrin e ri*+ që kishte gërmuar në shkëmb. Pasi rrokullisi një gur të madh te hyrja e varrit,* iku. 61  Por Maria-Magdalena dhe Maria tjetër qëndruan atje, të ulura përpara varrit.+ 62  Të nesërmen, pas Ditës së Përgatitjes,*+ krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën para Pilatit 63  dhe i thanë: «Imzot, na kujtohet se ai mashtruesi, kur ishte ende gjallë, tha: ‘Do të ngrihem pas tri ditësh.’+ 64  Prandaj jep urdhër të ruhet varri deri ditën e tretë, që dishepujt e tij të mos vijnë ta vjedhin+ dhe t’i thonë popullit: ‘Ai u ngrit nga të vdekurit!’ Përndryshe, ky mashtrim i fundit do të jetë më i keq se i pari.» 65  Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e ruajeni sa më mirë të mundeni.» 66  Atëherë ata shkuan, vulosën gurin dhe vunë rojat te varri.

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «gjak».
^ Ose «Ekzekutoje në shtyllë!»
^ Ose «Qofshim fajtorë ne dhe fëmijët tanë për vdekjen e tij!»
^ Ose «Qofsh lëvduar».
^ Fjalë për fjalë «e vunë të kryente shërbim të detyruar».
^ Një lëng i hidhur.
^ Domethënë, rreth orës 12 të drekës.
^ Domethënë, rreth orës 3 pasdite.
^ Ose «e vdiq».
^ Ose «Varret përkujtimore».
^ Fjalë për fjalë «u ngritën».
^ Komandant i 100 ushtarëve.
^ Ose «varrin e ri përkujtimor».
^ Ose «e varrit përkujtimor».