Sipas Mateut 14:1-36

  • Gjon Pagëzorit i pritet koka (1-12)

  • Jezui ushqen 5.000 burra (13-21)

  • Jezui ecën mbi ujë (22-33)

  • Bën shërime në Genesaret (34-36)

14  Në atë kohë Herodi, sundimtari i krahinës,* dëgjoi për Jezuin+ 2  dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+ 3  Herodi* e kishte arrestuar Gjonin, e kishte vënë nën vargonj dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait,+ 4  ngaqë ai i thoshte: «Nuk është e ligjshme ta kesh atë për grua.»+ 5  Megjithatë, edhe pse donte ta vriste, ai kishte frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+ 6  Mirëpo, kur po festohej ditëlindja+ e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë,+ 7  sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte. 8  Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: «Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+ 9  Edhe pse kjo s’i pëlqeu, mbreti urdhëroi t’i jepej koka e Gjonit për shkak të betimit që kishte bërë në sytë e atyre që po hanin* me të. 10  Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit. 11  Pastaj kokën e Gjonit e sollën në një tabaka dhe ia dhanë vajzës, e cila ia çoi së ëmës. 12  Më vonë, dishepujt e tij erdhën, morën kufomën dhe e varrosën; pastaj shkuan dhe njoftuan Jezuin. 13  Kur dëgjoi këtë, Jezui u largua me varkë në një vend të veçuar, që të qëndronte vetëm. Por kur e morën vesh, turmat u nisën nga qytetet e tyre dhe e ndoqën në këmbë.+ 14  Kur zbriti nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ prandaj i shëroi të sëmurët.+ 15  Por kur ra mbrëmja, dishepujt vajtën dhe i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tashmë është bërë vonë. Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër fshatra, që të blejnë diçka për të ngrënë.»+ 16  Megjithatë Jezui u tha: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» 17  Ata i thanë: «S’kemi asgjë këtu, përveç pesë bukëve dhe dy peshqve.» 18  Ai u tha: «M’i sillni këtu.» 19  Pastaj i tha turmës të shtrohej në bar. Mori pesë bukët e dy peshqit dhe falënderoi Perëndinë*+ duke ngritur sytë nga qielli. Pastaj theu bukët, ua dha dishepujve, dhe ata ia dhanë turmës. 20  Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: 12 shporta plot.+ 21  Dhe ata që hëngrën, ishin rreth 5.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve.+ 22  Atëherë, pa vonuar, ai u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, ndërkohë që ai niste turmat.+ 23  Pasi i nisi turmat, u ngjit vetëm në mal që të lutej.+ Kur ra mbrëmja, ai ishte atje vetëm. 24  Ndërkaq, varka ishte ende qindra metra* larg tokës dhe përplasej nga dallgët, sepse erën e kishin kundër. 25  Por në orët e para të mëngjesit,* ai vajti te dishepujt duke ecur mbi det. 26  Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata u trembën dhe thanë: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin nga frika. 27  Menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 28  Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» 29  Ai i tha: «Eja!» Prandaj Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit. 30  Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: «Zotëri, më shpëto!» 31  Menjëherë Jezui zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»+ 32  Pasi hipën në varkë, stuhia pushoi. 33  Atëherë ata që ishin në varkë, i bënë nderime* dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» 34  Pastaj kaluan në anën tjetër të detit dhe zbritën në Genesaret.+ 35  Sapo e dalluan kush ishte, njerëzit e atij vendi dërguan fjalë në gjithë zonën përreth dhe i çuan tërë të sëmurët. 36  Ata i përgjëroheshin që t’i preknin të paktën thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan plotësisht.

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «tetrarku».
^ Domethënë, Herod Antipa. Shih Fjalorthin.
^ Ose «që ishin shtruar në tryezë».
^ Ose «ndjeu keqardhje për ta».
^ Fjalë për fjalë «i bekoi».
^ Fjalë për fjalë «shumë stade». Një stad ishte i barabartë me 185 metra.
^ Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Domethënë, rreth orës 3 të mëngjesit deri kur lind dielli.
^ Ose «fanitje». Shih Fjalorthin, «Vegimi».
^ Ose «u përkulën para tij».