Gjykatësit 21:1-25

  • Shpëtojnë fisin e Beniaminit (1-25)

21  Tani, burrat e Izraelit kishin bërë këtë betim në Mizpah:+ «Asnjë nga ne nuk do t’ia japë vajzën e tij për grua një burri nga Beniamini.»+  Prandaj, populli vajti në Bethel+ dhe u ul përpara Perëndisë së vërtetë deri në mbrëmje, dhe qanë me të madhe e me hidhërim,  dhe thoshin: «O Jehova, Perëndi i Izraelit, pse ndodhi kjo në Izrael? Pse të shuhet sot një fis në Izrael?»  Të nesërmen populli u çua herët dhe ndërtoi atje një altar që të ofronte blatime të djegura e blatime në bashkësi.+  Pastaj populli i Izraelit tha: «Nga të gjitha fiset e Izraelit, cili nuk doli kur u mblodhëm para Jehovait?» Ata kishin bërë një betim solemn se kushdo që nuk do të dilte para Jehovait në Mizpah do të vritej patjetër.  Kështu popullit të Izraelit i erdhi keq për atë që i kishte ndodhur vëllait të vet, Beniaminit, dhe tha: «Sot një fis u pre nga degët e Izraelit.  Si t’ia bëjmë që t’u gjejmë gra atyre që mbetën, tani që u betuam për Jehovain+ se nuk do t’u japim për grua asnjërën nga vajzat tona?»+  Prandaj pyetën: «Cilët nga fiset e Izraelit nuk doli përpara Jehovait në Mizpah?»+ Doli se asnjë nga Jabesh-Galadi nuk kishte vajtur në kamp atje ku ishte kongregacioni.  Kur numëruan popullin, kuptuan se nuk ishte asnjë nga banorët e Jabesh-Galadit. 10  Prandaj, asambleja dërgoi atje 12.000 nga burrat më të fuqishëm dhe i urdhëroi: «Nisuni dhe vritini me shpatë banorët e Jabesh-Galadit, madje edhe gratë, edhe fëmijët.+ 11  Ja ç’duhet të bëni: të gjithë meshkujt, si edhe të gjitha gratë që kanë pasur marrëdhënie me një mashkull, duhet t’i caktoni për shfarosje.»* 12  Mirëpo mes banorëve të Jabesh-Galadit, gjetën 400 virgjëresha, që nuk kishin pasur kurrë marrëdhënie. Kështu i sollën ato në kampin e Shilohut,+ që gjendet në vendin e Kananit. 13  Atëherë tërë asambleja u dërgoi fjalë beniaminitëve që ishin në shkrepin e Rimonit+ dhe i ftuan të bënin paqe. 14  Kështu, beniaminitët u kthyen, dhe asambleja u dha gratë e Jabesh-Galadit që kishin lënë gjallë,+ por nuk gjetën për të gjithë. 15  Dhe popullit i erdhi keq për atë që i kishte ndodhur Beniaminit,+ sepse Jehovai kishte bërë një ndarje mes fiseve të Izraelit. 16  Pleqtë e asamblesë thanë: «Si t’ia bëjmë që t’u gjejmë gra burrave që mbetën, meqë të gjitha gratë e Beniaminit u shfarosën?» 17  Ata thanë më tej: «Të mbijetuarit nga Beniamini duhet të vazhdojnë të kenë trashëgimi, që të mos shuhet një fis në Izrael. 18  Por neve nuk na lejohet t’u japim për gra vajzat tona, sepse populli i Izraelit u betua: ‘Mallkuar qoftë ai që i jep grua Beniaminit!’»+ 19  Në fund, ata thanë: «Vit për vit bëhet një festë për Jehovain në Shiloh,+ që është në veri të Bethelit, në lindje të rrugës kryesore që ngjitet nga Betheli në Sikem dhe në jug të Lebonahut.» 20  Atëherë i urdhëruan burrat e Beniaminit: «Shkoni e zini pritë në vreshta. 21  E kur të shikoni të rejat* e Shilohut që dalin e hedhin valle, secili të dalë nga vreshtat e të rrëmbejë një vajzë për grua nga të rejat e Shilohut. Pastaj kthehuni në vendin e Beniaminit. 22  Nëse etërit apo vëllezërit e tyre vijnë që të ankohen kundër nesh, do t’u themi: ‘Bëjeni këtë të mirë për hatrin tonë, sepse nuk u gjetëm dot gra të gjithëve gjatë luftës+ dhe ju nuk mund t’ua jepnit vetë, pa u bërë fajtorë.’»+ 23  Atëherë burrat e Beniaminit bënë pikërisht ashtu, dhe secili mori një grua nga të rejat që kërcenin. Pas kësaj u kthyen në trashëgiminë e tyre dhe rindërtuan qytetet+ e banuan në to. 24  Në atë kohë, izraelitët u shpërndanë secili në fisin dhe në familjen e vet. Ata u larguan prej andej që të ktheheshin secili në trashëgiminë e vet. 25  Ato ditë nuk kishte mbret në Izrael.+ Secili bënte çfarë i dukej e drejtë në sytë e vet.*

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «bijat».
Ose «çfarë mendonte se ishte e drejtë».