Gjykatësit 3:1-31

  • Jehovai vë në provë Izraelin (1-6)

  • Otnieli, gjykatësi i parë (7-11)

  • Gjykatësi Ehud vret mbretin e dhjamosur Eglon (12-30)

  • Gjykatësi Shamgar (31)

3  Këto janë kombet që Jehovai lejoi të qëndronin, për t’i vënë në provë të gjithë izraelitët që nuk kishin përjetuar asnjërën nga luftërat e Kananit+  (me qëllim që brezat e ardhshëm të izraelitëve, ata që më parë nuk kishin përjetuar gjëra të tilla, të përjetonin luftën).  Këto kombe përfshinin: pesë sundimtarët filistinë,+ tërë kananitët, sidonitët+ dhe hivitët+ që banonin në malet e Libanit,+ nga mali i Baal-Hermonit deri në Lebo-Hamath.*+  Ata shërbyen si mjet për ta vënë në provë Izraelin e për të parë nëse do t’u bindej urdhërimeve që Jehovai u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut.+  Kështu izraelitët banuan mes kananitëve,+ hititëve, amoritëve, perezitëve, hivitëve dhe jebusitëve.  Ata merrnin bijat e tyre për gra, dhe bijat e veta ua jepnin bijve të tyre, e si pasojë filluan t’u shërbenin perëndive të tyre.+  Kështu izraelitët bënë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. E harruan Jehovain, Perëndinë e tyre, dhe u shërbenin Baalëve+ e shtyllave të shenjta.*+  Atëherë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Izraelit dhe i shiti në duart e Kushan-Rishathaimit, mbretit të Mesopotamisë;* izraelitët i shërbyen Kushan-Rishathaimit për tetë vjet.  Kur izraelitët i thirrën Jehovait për ndihmë,+ Jehovai u dha një shpëtimtar,+ Otnielin,+ birin e Kenazit, vëllait më të vogël të Kalebit. 10  Fryma e Jehovait veproi mbi të+ dhe ai u bë gjykatës i Izraelit. Kur doli në betejë, Jehovai ia dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë,* kështu që ai fitoi ndaj Kushan-Rishathaimit. 11  Pas kësaj, vendi nuk pati trazira* për 40 vjet; me kohë, Otnieli, biri i Kenazit, vdiq. 12  Por izraelitët përsëri filluan të bënin atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.+ Kështu Jehovai lejoi që Egloni, mbreti i Moabit,+ të mposhtte Izraelin, sepse ata bënë ç’ishte e keqe në sytë e Jehovait. 13  Për më tepër, Egloni solli kundër tyre amonitët+ dhe amalekitët,+ të cilët sulmuan Izraelin dhe pushtuan qytetin e palmave.+ 14  Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për 18 vjet.+ 15  Pastaj i thirrën Jehovait për ndihmë,+ prandaj Jehovai u dha një shpëtimtar,+ birin e beniaminitit+ Gerá, Ehudin,+ që ishte mëngjarash.+ Kur erdhi koha për t’i çuar haraçin* Eglonit, mbretit të Moabit, izraelitët dërguan Ehudin. 16  Tani, Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, një kut* të gjatë. E ngjeshi poshtë rrobës nga ana e kofshës së djathtë 17  dhe pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i dhjamur. 18  Pasi ia dha haraçin, Ehudi u largua bashkë me njerëzit që kishin sjellë haraçin. 19  Por, pasi arritën te shëmbëlltyrat e gdhendura* në Gilgal,+ ai u kthye dhe tha: «Kam një mesazh sekret për ty, o mbret.» Prandaj mbreti tha: «Na lini vetëm!»* Atëherë tërë shërbëtorët e tij u larguan. 20  Kështu Ehudi i vajti afër, teksa ai rrinte ulur vetëm në dhomën e freskët në tarracë, dhe i tha: «Kam një mesazh për ty nga Perëndia.» E ai u ngrit nga froni. 21  Atëherë, me dorën e majtë, Ehudi nxori shpatën që kishte në kofshën e djathtë dhe ia nguli në bark. 22  Doreza u fut pas tehut dhe dhjami u mbyll pas tij, sepse ai nuk ia nxori shpatën nga barku dhe jashtëqitjet i dolën jashtë. 23  Ndërkohë Ehudi doli nga veranda,* i mbylli dhe i kyçi dyert e dhomës në tarracë. 24  Pasi u largua, shërbëtorët u kthyen dhe panë se dyert e dhomës në tarracë ishin të kyçura. Atëherë thanë: «Duhet të jetë duke kryer nevojat personale* në dhomën e brendshme.» 25  Pritën e pritën, por filluan të shqetësoheshin, dhe kur panë se ai ende nuk po i hapte dyert e dhomës në tarracë, morën çelësin, i hapën dhe panë se zotëria i tyre kishte rënë përtokë i vdekur! 26  Ndërsa ata ngurronin, Ehudi ia mbathi, kaloi shëmbëlltyrat e gdhendura*+ dhe mbërriti shëndoshë e mirë në Sejrah. 27  Me të mbërritur atje, i ra bririt+ në rajonin malor të Efraimit+ dhe izraelitët zbritën nga ai rajon bashkë me të në krye. 28  Atëherë ai u tha: «Ndiqmëni, sepse Jehovai jua ka dhënë në dorë moabitët, armiqtë tuaj.» Kështu ata e ndoqën, morën vaun* e Jordanit, që ishte pikë strategjike kundër moabitëve, dhe nuk lejuan asnjë moabit t’ia mbathte që atje. 29  Në atë kohë, vranë rreth 10.000 moabitë,+ që të gjithë burra të fuqishëm e trima; nuk shpëtoi as edhe një.+ 30  Prandaj, atë ditë, dora e Izraelit e mposhti Moabin dhe vendi nuk pati trazira* për 80 vjet.+ 31  Pas tij erdhi Shamgari,+ biri i Anathit, i cili vrau 600 filistinë+ me një hosten* qesh;+ edhe ai e shpëtoi Izraelin.

Shënime në fund të faqes

Ose «hyrje të Hamathit».
Fjalë për fjalë «Aram-Naharaimit».
Fjalë për fjalë «Aramit».
Ose «vendi pati paqe».
Ndoshta një kut i shkurtër rreth 38 cm. Shih Shtojcën B14.
Një mundësi tjetër «guroret».
Fjalë për fjalë «Heshtni!»
Një mundësi tjetër «e çara e ajrimit».
Fjalë për fjalë «duke mbuluar këmbët».
Një mundësi tjetër «kaloi guroret».
Ose «vendi pati paqe».
Shih Fjalorthin.