Gjykatësit 9:1-57

  • Abimeleku bëhet mbret në Sikem (1-6)

  • Shëmbëlltyra e Jotamit (7-21)

  • Sundimi i dhunshëm i Abimelekut (22-33)

  • Abimeleku sulmon Sikemin (34-49)

  • Një grua plagos Abimelekun; ai vdes (50-57)

9  Më vonë, Abimeleku,+ biri i Jerubaalit, shkoi në Sikem te dajat e tij dhe u tha atyre e tërë familjes së gjyshit të tij:*  «Ju lutem, pyetni të gjithë prijësit e Sikemit:* ‘Si është më mirë për ju: të sundojnë mbi ju 70 djemtë e Jerubaalit+ apo vetëm një? Dhe mos harroni se unë jam gjaku juaj.’»*  Kështu vëllezërit e nënës së vet ua thanë këto fjalë prijësve të Sikemit në emër të tij, dhe atyre iu mbush mendja* të shkonin pas Abimelekut, sepse thanë: «Është vëllai ynë.»  Pastaj i dhanë atij 70 monedha argjendi nga tempulli* i Baal-Beritit,+ dhe Abimeleku i përdori për të paguar njerëz të pacipë e që sorollateshin kot, që t’i shkonin pas.  Pas kësaj shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah+ dhe vrau mbi një gur vëllezërit e tij,+ 70 djemtë e Jerubaalit. Mbijetoi vetëm Jotami, djali i vogël i Jerubaalit, sepse u fsheh.  Atëherë, tërë prijësit e Sikemit dhe i gjithë Beth-Miloja u mblodhën dhe e bënë mbret Abimelekun+ pranë pemës së madhe, pranë shtyllës në Sikem.  Kur i treguan Jotamit, ai shkoi menjëherë dhe qëndroi në majë të malit Gerizim+ dhe tha me zë të lartë: «Dëgjomëni, o prijës të Sikemit, dhe pastaj Perëndia do t’ju dëgjojë ju:  Njëherë na ishin ca pemë që u nisën për të mirosur* një mbret që të mbretëronte mbi to. Kështu i thanë ullirit: ‘Mbretëro mbi ne.’+  Por ulliri u tha: ‘A duhet të heq dorë nga vaji im,* të cilin e përdorin për t’i dhënë lavdi Perëndisë dhe njerëzve, që të shkoj e të mbretëroj* mbi pemët e tjera?’ 10  Atëherë pemët i thanë fikut: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’ 11  Por fiku iu përgjigj: ‘A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia dhe nga fryti im i mirë që të shkoj e të mbretëroj mbi pemët e tjera?’ 12  Pastaj pemët i thanë hardhisë: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’ 13  Hardhia ua ktheu: ‘A duhet të heq dorë nga vera ime e re që gëzon Perëndinë dhe njerëzit që të shkoj e të mbretëroj mbi pemët e tjera?’ 14  Në fund tërë pemët i thanë ferrës: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’+ 15  Si i dëgjoi, ferra u tha pemëve: ‘Nëse vërtet po më mirosni si mbretëreshën tuaj, ejani e kërkoni strehë nën hijen time. Përndryshe daltë zjarr nga ferra e përpiftë cedrat e Libanit!’ 16  Tani, a vepruat me pastërti dhe siç duhet duke e bërë mbret Abimelekun?+ A u treguat të mirë me Jerubaalin e me shtëpinë e tij dhe a e trajtuat siç e meriton? 17  Kur im atë luftoi për ju,+ vuri jetën në rrezik që t’ju çlironte nga duart e Midianit.+ 18  Kurse ju sot u ngritët kundër shtëpisë së atit tim dhe vratë mbi një gur 70 djemtë e tij.+ Pastaj mbi prijësit e Sikemit bëtë mbret Abimelekun, të birin e skllaves së tij,+ vetëm sepse është vëllai juaj. 19  Pra, nëse sot po veproni me pastërti e siç duhet me Jerubaalin dhe me shtëpinë e tij, e gëzofshi Abimelekun e gëzoftë edhe ai me ju! 20  Por nëse jo, daltë zjarr nga Abimeleku e përpiftë prijësit e Sikemit e të Beth-Milos,+ dhe daltë zjarr nga prijësit e Sikemit e të Beth-Milos dhe e përpiftë Abimelekun!»+ 21  Atëherë Jotami+ ia mbathi e iku në Ber dhe banoi atje sepse kishte frikë nga i vëllai, Abimeleku. 22  Abimeleku sundoi* në Izrael për tre vjet. 23  Pastaj Perëndia lejoi që të zhvillohej armiqësi* mes Abimelekut dhe prijësve të Sikemit, e ata vepruan pabesisht me Abimelekun. 24  Kjo ndodhi që të merrej hak për vrasjen e dhunshme të 70 djemve të Jerubaalit, që përgjegjësia për gjakun e tyre të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre që i vrau,+ dhe mbi prijësit e Sikemit që e ndihmuan të vriste vëllezërit e vet. 25  Kështu, prijësit e Sikemit vunë njerëz në pritë në majat e maleve, dhe këta grabitnin këdo që kalonte nga ajo rrugë. Pas ca kohësh, për këtë njoftuan Abimelekun. 26  Pastaj Gali, biri i Ebedit, bashkë me vëllezërit e tij, kaloi në Sikem+ dhe fitoi besimin e prijësve të Sikemit. 27  Ata dolën në arë, volën rrush në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë një festë. Pas kësaj, shkuan në shtëpinë e perëndisë së tyre,+ hëngrën e pinë dhe mallkuan Abimelekun. 28  Atëherë Gali, biri i Ebedit, tha: «Kush është Abimeleku dhe kush është Sikemi,* që ne duhet t’u shërbejmë? A nuk është ai biri i Jerubaalit+ dhe Zebuli përfaqësuesi i tij? Përkundrazi, shërbejuni djemve të Hamorit, të atit të Sikemit. Pse duhet t’i shërbejmë Abimelekut? 29  Po ta kisha nën urdhrat e mi këtë popull, do ta rrëzoja Abimelekun.» Pastaj i tha Abimelekut: «Përforcoje ushtrinë e më dil përpara!» 30  Kur Zebuli, princi i qytetit, dëgjoi fjalët e Galit, birit të Ebedit, iu ndez zemërimi. 31  Kështu, fshehurazi* dërgoi lajmëtarë tek Abimeleku për t’i thënë: «Ja, Gali, biri i Ebedit, dhe vëllezërit e tij janë në Sikem dhe po e nxitin qytetin kundër teje. 32  Prandaj hajde natën bashkë me njerëzit e tu dhe zër pritë në fushë. 33  Në mëngjes, sapo të lindë dielli, çohu herët e sulmo qytetin. Kur ai dhe njerëzit e tij të dalin kundër teje, bëj të pamundurën për ta mposhtur.»* 34  Kështu Abimeleku dhe tërë njerëzit që kishte me vete u çuan që me natë dhe zunë pritë jashtë Sikemit, të ndarë në katër grupe. 35  Kur Gali, biri i Ebedit, doli dhe qëndroi në hyrje të portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që kishte me vete. 36  Kur i pa, Gali i tha Zebulit: «Shiko! Nga majat e maleve po zbresin njerëz.» Por Zebuli ia ktheu: «Sheh hijet e maleve e të duken si njerëz.» 37  Më vonë, Gali i tha: «Shiko! Nga mesi i vendit po zbresin njerëz dhe një grup po vjen nga rruga e pemës së madhe të Meonenimit.» 38  Zebuli ia ktheu: «Ku i ke tani fjalët që u mburre: ‘Kush është Abimeleku që duhet t’i shërbejmë?’+ A nuk janë këta njerëzit që hodhe poshtë? Tani, dil e lufto kundër tyre.» 39  Kështu Gali doli në krye të prijësve të Sikemit dhe luftoi kundër Abimelekut. 40  Abimeleku e ndoqi dhe Gali ia mbathi përpara tij. Shumë u vranë dhe të vdekurit arrinin deri në hyrje të portës së qytetit. 41  Abimeleku u kthye të banonte në Arumah, kurse Zebuli+ dëboi nga Sikemi Galin dhe vëllezërit e tij. 42  Të nesërmen populli doli në fushë, dhe këtë ia thanë Abimelekut. 43  Prandaj Abimeleku i ndau njerëzit e tij në tri grupe dhe zuri pritë në fushë. Kur pa njerëzit që po dilnin nga qyteti, ai i sulmoi dhe i vrau. 44  Abimeleku dhe grupet që ishin me të u sulën dhe zunë vend në hyrje të portës së qytetit, ndërkohë që dy grupe sulmuan tërë ata që ishin në fushë dhe i vranë. 45  Abimeleku luftoi kundër qytetit tërë atë ditë dhe e pushtoi. Ai vrau njerëzit që ishin në të, rrëzoi qytetin+ dhe hodhi atje kripë. 46  Kur e dëgjuan këtë, të gjithë prijësit e kullës së Sikemit shkuan menjëherë në bodrumin* e tempullit* të El-Beritit.+ 47  Sapo i treguan se të gjithë prijësit e kullës së Sikemit ishin mbledhur bashkë, 48  Abimeleku dhe tërë burrat që ishin me të u ngjitën në malin e Zalmonit. Ai mori një sëpatë, preu një degë peme, e vuri mbi sup dhe u tha atyre që ishin me të: «Shpejt! Bëjeni edhe ju atë që bëra unë!» 49  Të gjithë burrat prenë degët dhe shkuan pas Abimelekut. Pastaj i mbështetën pas bodrumit dhe i vunë zjarrin. Kështu vdiqën të gjithë njerëzit e kullës së Sikemit, rreth 1.000 burra e gra. 50  Pastaj Abimeleku shkoi në Tebez, ngriti kampin për të luftuar kundër Tebezit dhe e pushtoi. 51  Në mes të qytetit ishte një kullë e fortë, dhe që të gjithë, burrat, gratë e prijësit e qytetit ia mbathën për atje. Ata u mbyllën aty dhe u ngjitën në tarracën e kullës. 52  Atëherë Abimeleku shkoi drejt kullës, e sulmoi dhe iu afrua hyrjes së kullës për t’i vënë zjarrin. 53  Mirëpo një grua hodhi mbi kokën e Abimelekut gurin e sipërm të mullirit dhe ia theu kafkën.+ 54  Ai thirri shpejt shërbëtorin që i mbante armët dhe i tha: «Zhvishe shpatën e më vrit, që të mos thonë: ‘E vrau një grua.’» Kështu shërbëtori ia nguli shpatën tejpërtej dhe ai vdiq. 55  Kur panë që Abimeleku vdiq, tërë burrat e Izraelit u kthyen në shtëpi. 56  Në këtë mënyrë, Perëndia ia ktheu Abimelekut të keqen që i kishte bërë të atit duke vrarë 70 vëllezërit e vet.+ 57  Gjithashtu Perëndia bëri që tërë e keqja e burrave të Sikemit të binte mbi kokën e tyre. Kështu mallkimi i Jotamit,+ birit të Jerubaalit,+ ra mbi ta.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «familjes së shtëpisë së babait të nënës së vet».
Një mundësi tjetër «pronarët e tokave të Sikemit».
Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi juaj».
Fjalë për fjalë «dhe zemra e tyre ishte e prirur».
Fjalë për fjalë «shtëpia».
Ose «prodhimi im».
Fjalë për fjalë «të tundem».
Ose «veproi si një princ».
Fjalë për fjalë «dërgoi një frymë të keqe».
Mund t’i referohet Zebulit, përfaqësuesit të Sikemit.
Ose «me dinakëri».
Ose «bëj me të ç’të kesh në dorë».
Ose «fortesën».
Fjalë për fjalë «shtëpisë».