Gjykatësit 1:1-36

  • Pushtimet që bënë Juda dhe Simeoni (1-20)

  • Jebusitët qëndrojnë në Jerusalem (21)

  • Jozefi merr Bethelin (22-26)

  • Nuk u dëbuan të gjithë kananitët (27-36)

1  Pas vdekjes së Josiut,+ izraelitët* e pyetën Jehovain:+ «Cili prej nesh do të shkojë i pari të luftojë kundër kananitëve?»  Jehovai iu përgjigj: «Do të shkojë Juda.+ Ja, unë po ia jap* në dorë vendin.»  Atëherë Juda i tha të vëllait, Simeonit: «Eja me mua në territorin që m’u caktua,*+ për të luftuar kundër kananitëve. Pastaj do të vij unë me ty në territorin që të është caktuar.» Kështu Simeoni shkoi me të.  Kur Juda shkoi, Jehovai ia dha kananitët e perezitët në dorë,+ dhe ata mundën 10.000 burra në Bezek.  Atje gjetën Adon-Bezekun, luftuan kundër tij dhe mundën kananitët+ e perezitët.+  Kur Adon-Bezeku ia mbathi, ata e ndoqën, e kapën dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve e të këmbëve.  Atëherë Adon-Bezeku tha: «70 mbretër që u preva gishtërinjtë e mëdhenj të duarve e të këmbëve, mbledhin çfarë bie nga tryeza ime. Perëndia ma ktheu pikërisht si kam bërë.» Më pas e çuan në Jerusalem+ dhe aty vdiq.  Burrat e Judës luftuan edhe kundër Jerusalemit+ dhe e pushtuan; ata vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë zjarrin qytetit.  Pas kësaj burrat e Judës shkuan të luftonin kundër kananitëve që banonin në rajonin malor, në Negeb dhe në Shefelah.+ 10  Kështu Juda shkoi të luftonte kundër kananitëve që banonin në Hebron (i cili më parë quhej Kiriat-Arba) dhe vrau Sheshain, Ahimanin dhe Talmain.+ 11  Prej andej u nisën të luftonin kundër banorëve të Debirit+ (që më parë quhej Kiriat-Sefer).+ 12  Atëherë Kalebi+ tha: «Atij që sulmon Kiriat-Seferin dhe e pushton, do t’i jap për grua vajzën time, Aksën.»+ 13  Dhe qytetin e pushtoi Otnieli,+ biri i Kenazit,+ që ishte vëllai më i vogël i Kalebit, kështu që ai i dha për grua vajzën, Aksën. 14  Ndërsa po shkonte në shtëpinë e burrit, ajo i tha të shoqit t’i kërkonte babait të saj* një arë, dhe pastaj zbriti nga gomari.* Kalebi e pyeti: «Çfarë do?» 15  Ajo iu përgjigj: «Të lutem, më beko me një dhuratë, sepse toka që më dhe në jug* është e thatë, prandaj më jep edhe Gulot-Maimin.»* Kështu Kalebi i dha Gulotin e Sipërm dhe Gulotin e Poshtëm. 16  Pasardhësit e kenitit,+ vjehrrit të Moisiut,+ bashkë me popullin e Judës, u ngjitën nga qyteti i palmave+ në shkretëtirën e Judës, në jug të Aradit.+ Ata shkuan atje dhe u vendosën me banim mes popullit.+ 17  Kurse Juda bashkë me të vëllanë, Simeonin, shkuan dhe sulmuan kananitët që banonin në Zefat. Ata e caktuan qytetin për shkatërrim,*+ prandaj e quajtën Hormah.*+ 18  Pastaj Juda pushtoi Gazën+ me territorin e saj, Ashkelonin+ me territorin e tij dhe Ekronin+ me territorin e tij. 19  Jehovai ishte me Judën, prandaj ata shtinë në dorë rajonin malor, por nuk mundën t’i dëbonin banorët e rrafshinës,* sepse ata kishin karroca lufte me kosa të hekurta.*+ 20  Kalebit i dhanë Hebronin, si kishte premtuar Moisiu,+ dhe ai dëboi që andej tre bijtë e Anakut.+ 21  Por beniaminitët nuk i dëbuan jebusitët që banonin në Jerusalem, prandaj jebusitët banojnë edhe sot e kësaj dite në Jerusalem me beniaminitët.+ 22  Ndërkohë shtëpia e Jozefit+ shkoi për të luftuar kundër Bethelit, dhe Jehovai ishte me ta.+ 23  Ata dërguan njerëz për të vëzhguar Bethelin (qytet që më parë quhej Luz).+ 24  Vëzhguesit panë një burrë që po dilte nga qyteti dhe i thanë: «Të lutemi, na trego rrugën për t’u futur në qytet dhe ne do të jemi zemërmirë me ty.»* 25  Kështu ai ua tregoi rrugën dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, kurse atë dhe familjen e tij e lanë të ikte.+ 26  Ai shkoi në vendin e hititëve, ndërtoi një qytet dhe i vuri emrin Luz, të cilin e mban edhe sot e kësaj dite. 27  Manaseu nuk e shtiu në dorë Beth-Sheanin me fshatrat e tij, Tanakun+ me fshatrat e tij, Dorin me fshatrat e tij, Ibleamin me fshatrat e tij dhe Megidon me fshatrat e tij;+ kananitët me kokëfortësi nuk pranuan të largoheshin nga ky vend. 28  Kur Izraeli u bë më i fortë, i vuri kananitët në punë të detyruar,+ por nuk i dëboi të gjithë.+ 29  As Efraimi nuk i dëboi kananitët që banonin në Gezer, të cilët vazhduan të banonin mes tyre në Gezer.+ 30  Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe banorët e Nahalolit;+ kananitët vazhduan të banonin mes tyre dhe iu nënshtruan punës së detyruar.+ 31  Asheri nuk i dëboi banorët e Akos, banorët e Sidonit,+ të Ahlabit, të Akzibit,+ të Helbahut, të Afikut+ dhe të Rehobit.+ 32  Kështu asheritët vazhduan të banonin mes kananitëve që ishin në vend, ngaqë nuk i dëbuan. 33  Neftali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe banorët e Beth-Anatit,+ përkundrazi ata banuan mes kananitëve që ishin në vend.+ Banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anatit u bënë skllevërit e tyre për punë të detyruar. 34  Amoritët i detyruan danitët të jetonin në rajonin malor e nuk i lanë të zbritnin në rrafshinë.*+ 35  Amoritët me kokëfortësi nuk pranuan të largoheshin nga mali i Heresit, nga Ajaloni+ dhe nga Shalbimi.+ Por, kur fuqia* e shtëpisë së Jozefit u rrit,* ata u detyruan të bënin punë të rëndë. 36  Territori i amoritëve fillonte nga e përpjeta e Akrabimit+ dhe shtrihej nga Sela e lart.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
Ose «ia kam dhënë».
Fjalë për fjalë «në shortin tim».
Domethënë, Kalebit.
Një mundësi tjetër «përplasi duart ndërsa ishte mbi gomar».
Ose «Negeb».
Do të thotë «basene uji».
Do të thotë «i caktuar për shkatërrim».
Ose «e ultësirës».
Fjalë për fjalë «karroca hekuri».
Fjalë për fjalë «do të të tregojmë dashuri besnike».
Ose «ultësirë».
Fjalë për fjalë «dora».
Fjalë për fjalë «u bë e rëndë».