Josiu 24:1-33

  • Josiu tregon historinë e Izraelit (1-13)

  • Nxitja për t’i shërbyer Jehovait (14-24)

    • «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait» (15)

  • Besëlidhja e Josiut me Izraelin (25-28)

  • Vdekja dhe varrosja e Josiut (29-31)

  • Eshtrat e Jozefit varrosen në Sikem (32)

  • Vdekja dhe varrosja e Eleazarit (33)

24  Më pas, Josiu mblodhi tërë fiset e Izraelit në Sikem dhe thirri pleqtë e Izraelit—krerët, gjykatësit dhe të parët e tij+—të cilët qëndruan para Perëndisë së vërtetë.  Josiu i tha tërë popullit: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Shumë kohë më parë+ paraardhësit tuaj,+ mes të cilëve Terahu, i ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë Lumit* dhe u shërbenin perëndive të tjera.+  Pas ca kohësh, unë e mora Abrahamin,+ paraardhësin tuaj, nga matanë Lumit,* i thashë të përshkonte tërë vendin e Kananit dhe e shumova pasardhësin* e tij.+ I dhashë atij Isakun,+  pastaj Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun.+ Më vonë, Esaut i dhashë si pronë malin Seir,+ kurse Jakobi me bijtë e tij zbritën në Egjipt.+  Më vonë, dërgova Moisiun e Aronin+ dhe e godita me plagë Egjiptin,+ e pas kësaj ju nxora që andej.  Kur po nxirrja etërit tuaj nga Egjipti+ dhe ju arritët pranë detit, egjiptianët i ndoqën etërit tuaj me karroca lufte e me kalorës deri në Detin e Kuq.+  Etërit tuaj filluan t’i thërritnin Jehovait+ për ndihmë. Prandaj unë vura errësirën mes jush dhe egjiptianëve, hodha mbi ta detin që i mbuloi.+ Sytë tuaj e panë çfarë bëra në Egjipt.+ Pastaj për shumë vjet* ju banuat në shkretëtirë.+  Ju çova në vendin e amoritëve, të cilët banonin matanë* Jordanit, por ata luftuan kundër jush.+ Gjithsesi unë jua dhashë në dorë amoritët, që të merrnit në zotërim vendin e tyre, dhe i shfarosa para syve tuaj.+  Më pas Balaku, biri i Ziporit dhe mbreti i Moabit, u ngrit dhe luftoi kundër Izraelit. Prandaj ai thirri Balamin, birin e Beorit, që t’ju mallkonte.+ 10  Por unë nuk e dëgjova Balamin.+ Kështu, ai ju bekoi disa herë me radhë,+ dhe ju shpëtova nga duart e tij.+ 11  Pastaj kaluat Jordanin+ dhe arritët në Jeriko.+ Prijësit e Jerikosë,* amoritët, perezitët, kananitët, hititët, girgasitët, hivitët e jebusitët luftuan kundër jush, por unë jua dhashë në dorë.+ 12  Kështu bëra që t’i lëshonte zemra,* prandaj ia mbathën para syve tuaj,+ tamam si dy mbretërit e amoritëve. Kjo nuk ndodhi falë shpatës suaj, as falë harkut tuaj.+ 13  Kështu ju dhashë një vend për të cilin nuk ishit robtuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar,+ e ju u vendosët me banim në to, dhe po hani frytin e vreshtave e të ullishteve që nuk mbollët.’+ 14  Prandaj kini nderim të thellë për Jehovain* dhe shërbejini atij me integritet* e me besnikëri.*+ Hiqni perënditë që u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit* dhe në Egjipt,+ e shërbejini Jehovait. 15  E nëse ju duket gjë e keqe t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni:+ ose perëndive, të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit,*+ ose perëndive të amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni.+ Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» 16  Me të dëgjuar këto populli tha: «Nuk na ka shkuar kurrë ndër mend që të braktisim Jehovain e t’u shërbejmë perëndive të tjera. 17  Vetë Jehovai, Perëndia ynë, na nxori ne dhe etërit tanë nga Egjipti,+ nga shtëpia e skllavërisë.+ Vetë ai bëri këto shenja* të mëdha para syve tanë+ dhe na ruajti gjatë gjithë udhës që bëmë dhe midis tërë popujve mes të cilëve kaluam.+ 18  Jehovai dëboi tërë popujt, përfshirë amoritët që banonin në këtë vend para nesh. Prandaj edhe ne do t’i shërbejmë Jehovait, sepse ai është Perëndia ynë.» 19  Atëherë Josiu i tha popullit: «A do të mund t’i shërbeni vërtet atij? Jehovai është një Perëndi i shenjtë,+ një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.+ Ai nuk do t’i falë shkeljet* dhe mëkatet tuaja.+ 20  E nëse e braktisni Jehovain dhe u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet kundër jush e do t’ju shfarosë, edhe pse ju ka bërë të mira.»+ 21  Por populli i tha Josiut: «Kurrsesi! Ne do t’i shërbejmë vetëm Jehovait!»+ 22  Kështu Josiu i tha popullit: «Ju jeni dëshmitarë kundër vetes se zgjodhët vetë t’i shërbeni Jehovait.»+ Ata ia kthyen: «Jemi dëshmitarë.» 23  «Prandaj hiqini perënditë e huaja që janë mes jush dhe kthehuni me gjithë zemër te Jehovai, Perëndia i Izraelit.» 24  Populli i tha Josiut: «Do t’i shërbejmë Jehovait, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të tij!» 25  Kështu atë ditë Josiu bëri një besëlidhje me popullin dhe atje në Sikem nxori për ta një rregull dhe një vendim gjyqësor. 26  Pastaj Josiu i shkroi këto fjalë në librin e Ligjit të Perëndisë,+ mori një gur të madh+ dhe e ngriti në këmbë nën pemën e madhe që është pranë shenjtërores së Jehovait. 27  Pas kësaj Josiu i tha tërë popullit: «Ja, ky gur do të shërbejë si dëshmi kundër nesh,+ sepse dëgjoi gjithçka që na tha Jehovai, dhe do të shërbejë si dëshmi kundër jush, që të mos e mohoni Perëndinë tuaj.» 28  Me këto fjalë Josiu e nisi popullin, secilin në trashëgiminë e vet.+ 29  Pas këtyre gjërave, Josiu, biri i Nunit dhe shërbëtor i Jehovait, vdiq kur ishte 110 vjeç.+ 30  Atë e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timnat-Serah,+ që gjendet në rajonin malor të Efraimit, në veri të malit të Gashit. 31  Izraeli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë kohës që ishte gjallë Josiu dhe pleqtë që jetuan pas tij, të cilët i kishin parë tërë veprat që bëri Jehovai për Izraelin.+ 32  Eshtrat e Jozefit+ që izraelitët kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e fushës që Jakobi kishte marrë për 100 monedha+ nga bijtë e Hamorit,+ të atit të Sikemit; ajo u bë trashëgimi e bijve të Jozefit.+ 33  Edhe Eleazari, biri i Aronit, vdiq+ dhe e varrosën në Kodrën e Finehasit, birit të tij,+ e cila iu dha në rajonin malor të Efraimit.

Shënime në fund të faqes

Domethënë, Eufratit.
Domethënë, Eufratit.
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «ditë».
Domethënë, në anën lindore.
Një mundësi tjetër «Pronarët e tokave të Jerikosë».
Një mundësi tjetër «përhapa panik; tmerr».
Fjalë për fjalë «frikësojuni Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «në mënyrë të paqortueshme». Shih Fjalorthin.
Ose «sipas së vërtetës».
Domethënë, Eufratit.
Domethënë, Eufratit.
Ose «mrekulli».
Ose «rebelimet».