Josiu 22:1-34

  • Fiset në lindje kthehen në shtëpi (1-8)

  • Një altar ndërtohet në Jordan (9-12)

  • Shpjegohet domethënia e altarit (13-29)

  • Zgjidhet konflikti (30-34)

22  Pastaj Josiu thirri rubenitët, gaditët dhe gjysmën e fisit të Manaseut 2  e u tha: «Ju bëtë gjithçka që ju urdhëroi Moisiu,+ shërbëtori i Jehovait dhe iu bindët zërit tim në gjithçka që ju urdhërova.+ 3  Nuk i braktisët vëllezërit tuaj gjatë gjithë kësaj kohe e deri më sot,+ dhe zbatuat urdhërimin e Jehovait, Perëndisë tuaj.+ 4  Jehovai, Perëndia juaj, u dha vëllezërve tuaj prehje nga armiqtë, ashtu siç ju premtoi.+ Kështu, tani mund të ktheheni në tendat tuaja në vendin që Moisiu, shërbëtori i Jehovait, ju dha që ta zotëroni matanë* Jordanit.+ 5  Veç zbatoni me shumë kujdes urdhërimet dhe Ligjin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Jehovait,+ e duajeni Jehovain, Perëndinë tuaj,+ ecni në të gjitha udhët e tij,+ zbatoni urdhërimet e tij,+ qëndrojini besnikë+ dhe shërbejini+ me gjithë zemër e me gjithë shpirt.»*+ 6  Pastaj Josiu i bekoi dhe i nisi, e ata shkuan në tendat e tyre. 7  Gjysmës së fisit të Manaseut, Moisiu ia kishte dhënë trashëgiminë në Bashan,+ kurse gjysmës tjetër të fisit, Josiu i dha tokë në anën perëndimore të Jordanit,+ bashkë me vëllezërit e tyre. Veç kësaj, kur i dërgoi për në tendat e tyre, Josiu i bekoi 8  e u tha: «Kthehuni në tendat tuaja me shumë pasuri e bagëti, me argjend, ar, bakër, hekur dhe me shumë e shumë rroba.+ Ndajeni me vëllezërit plaçkën+ e armiqve tuaj.» 9  Pas kësaj rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut ikën nga pjesa tjetër e izraelitëve, nga Shilohu në vendin e Kananit, e u kthyen në Galad,+ në vendin që zotëronin e ku ishin vendosur me banim sipas urdhrit që kishte dhënë Jehovai nëpërmjet Moisiut.+ 10  Kur arritën në rajonet e Jordanit në vendin e Kananit, rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut ndërtuan pranë Jordanit një altar të madh e mbresëlënës. 11  Më vonë, pjesa tjetër e izraelitëve dëgjuan të thuhej:+ «Ja, rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut kanë ndërtuar një altar në kufi me vendin e Kananit, në rajonet e Jordanit, në krahun që na përket neve.» 12  Kur izraelitët e morën vesh këtë, tërë asambleja e izraelitëve u mblodh në Shiloh+ që të shkonin të luftonin kundër tyre. 13  Pastaj izraelitët dërguan Finehasin,+ birin e priftit Eleazar, te rubenitët, gaditët dhe te gjysma e fisit të Manaseut në vendin e Galadit. 14  Bashkë me të ishin edhe dhjetë prijës, një për çdo shtëpi atërore nga të gjitha fiset e Izraelit, ku secili ishte kreu i shtëpisë së vet atërore mes mijëra burrave* të Izraelit.+ 15  Kur arritën te rubenitët, gaditët dhe te gjysma e fisit të Manaseut në vendin e Galadit, u thanë: 16  «Ja ç’thotë tërë asambleja e Jehovait: ‘Ç’është kjo pabesi+ që keni bërë kundër Perëndisë së Izraelit? Sot i keni kthyer shpinën Jehovait e nuk po e ndiqni më, pasi keni ndërtuar një altar dhe jeni rebeluar kundër Jehovait.+ 17  Vallë, a nuk na mjaftoi faji që bëmë në Peor? E keni harruar plagën që ra mbi asamblenë e Jehovait? Edhe sot e kësaj dite po vuajmë pasojat e atij mëkati.+ 18  E ju sot do t’i kthenit shpinën Jehovait dhe nuk do ta ndiqnit më?! Nëse rebeloheni kundër Jehovait sot, atëherë ai do të zemërohet me tërë asamblenë e Izraelit nesër.+ 19  E tani, nëse e keni bërë këtë ngaqë vendi që zotëroni është i papastër, ejani në vendin që zotëron Jehovai,+ ku qëndron tabernakulli i Jehovait,+ dhe banoni mes nesh. Por mos u rebeloni kundër Jehovait e mos ndërtoni një altar tjetër përveç altarit të Jehovait, Perëndisë tonë,+ përndryshe edhe ne do të konsiderohemi rebelë. 20  Kur Akani,+ biri i Zerahut, u tregua i pabesë e nuk iu bind urdhrit për gjërat që duheshin shkatërruar,* a nuk u derdh zemërimi i Perëndisë kundër tërë asamblesë së Izraelit?+ Ai njeri nuk ishte i vetmi që vdiq për fajin e tij.’»+ 21  Atëherë rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut iu përgjigjën krerëve të mijëra burrave* të Izraelit:+ 22  «Perëndia i perëndive, Jehovai* e di! Po, Perëndia i perëndive, Jehovai+ e di pse vepruam kështu, madje edhe Izraeli do ta dijë. Nëse u rebeluam e u treguam të pabesë ndaj Jehovait, të mos na e kursejë jetën këtë ditë. 23  Nëse e ndërtuam këtë altar që t’i kthenim shpinën Jehovait e të mos e ndiqnim më dhe që të paraqitnim blatime të djegura, blatime në drithë e flijime në bashkësi, Jehovai le të na dënojë.+ 24  Përkundrazi, e bëmë ngaqë kishim një merak tjetër, sepse thamë: “Në të ardhmen bijtë tuaj do t’u thonë bijve tanë: ‘Ç’ju lidh ju me Jehovain, Perëndinë e Izraelit?! 25  Mes nesh dhe jush, rubenitëve e gaditëve, Jehovai ka vënë si kufi Jordanin. Ju nuk keni të bëni fare me Jehovain.’ E kështu, bijtë tuaj do t’i pengonin bijtë tanë që të adhuronin* Jehovain.” 26  Prandaj thamë: “Oburra, t’i futemi punës e të ndërtojmë një altar, jo për blatime të djegura ose për flijime, 27  por që të jetë si dëshmitar mes jush e nesh+ dhe mes pasardhësve tanë,* se do t’i bëjmë shërbim Jehovait me blatimet e djegura, me flijimet tona në bashkësi dhe me flijime të tjera,+ që në të ardhmen bijtë tuaj të mos u thonë bijve tanë: ‘Ju nuk keni të bëni fare me Jehovain.’” 28  Pastaj thamë: “Nëse në të ardhmen ata na thonë kështu neve dhe pasardhësve* tanë, do t’u themi: ‘Pa shihni altarin që paraardhësit tanë e bënë njësoj si altari i Jehovait, jo për blatime të djegura ose për flijime, por që të jetë si dëshmitar mes jush e nesh!’” 29  Kurrë nuk do të na shkonte ndër mend që të rebeloheshim kundër Jehovait, t’i kthenim shpinën sot Jehovait e të mos e ndiqnim më,+ duke ndërtuar një altar për blatime të djegura, për blatime në drithë dhe për flijime, përveç altarit të Jehovait, Perëndisë tonë, që gjendet para tabernakullit të tij!»+ 30  Kur dëgjuan çfarë thanë pasardhësit e Rubenit, të Gadit e të Manaseut, prifti Finehas, prijësit e asamblesë dhe krerët e mijëra burrave* të Izraelit që ishin me të, mbetën të kënaqur.+ 31  Kështu, Finehasi, biri i priftit Eleazar, u tha pasardhësve të Rubenit, të Gadit dhe të Manaseut: «Sot e dimë që Jehovai është mes nesh, sepse ju nuk e bëtë këtë pabesi kundër Jehovait. Sot i shpëtuat izraelitët nga dora e Jehovait.» 32  Pastaj Finehasi, biri i priftit Eleazar, dhe prijësit u kthyen nga rubenitët dhe nga gaditët në vendin e Galadit për në vendin e Kananit, e u treguan izraelitëve të tjerë gjithë sa ndodhi. 33  Izraelitët u kënaqën me raportin dhe pastaj lëvduan Perëndinë; ata nuk e zunë më në gojë që të luftonin kundër rubenitëve e gaditëve për të shkatërruar vendin ku ata banonin. 34  Kështu rubenitët dhe gaditët i vunë një emër altarit,* sepse thanë: «Ai është dëshmitar mes nesh që Jehovai është Perëndia i vërtetë.»

Shënimet

^ Domethënë, në anën lindore.
^ Ose «mes fiseve».
^ Ose «duheshin caktuar për shkatërrim». Shih Fjalorthin.
^ Ose «të fiseve».
^ Ose «Hyjnori, Perëndia, Jehovai».
^ Fjalë për fjalë «t’i frikësoheshin». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Fjalë për fjalë «brezave tanë pas nesh».
^ Fjalë për fjalë «brezave».
^ Ose «e fiseve».
^ Nga shpjegimi që jepet, ka shumë të ngjarë që altari të quhej Dëshmitar.