Josiu 7:1-26
7 Por izraelitët u treguan të pabesë e nuk iu bindën urdhrit për gjërat që duheshin shkatërruar, sepse Akani,+ bir i Karmit, bir i Zabdit, bir i Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa nga gjërat e caktuara për shkatërrim.*+ Prandaj Jehovait iu ndez zemërimi kundër izraelitëve.+
2 Ndërkohë Josiu dërgoi burra nga Jerikoja në Ai,+ që ndodhet afër Beth-Avenit e në lindje të Bethelit,+ dhe u tha: «Ngjituni dhe vëzhgoni vendin.» Atëherë burrat u ngjitën, e vëzhguan Ain,
3 dhe kur u kthyen te Josiu, i thanë: «Nuk ka nevojë të ngjitet i tërë populli. Mjaftojnë rreth 2.000 ose 3.000 burra për të mposhtur Ain, prandaj mos e lodh tërë popullin të shkojë, sepse atje ka pak banorë.»
4 Kështu u ngjitën rreth 3.000 burra, por atyre iu desh t’ia mbathnin nga burrat e Ait,+
5 të cilët vranë 36 izraelitë. Ata i ndoqën që nga porta e qytetit, vazhduan përgjatë të tatëpjetës e deri në Shebarim;* i sulmuan gjatë gjithë rrugës. Prandaj popullin e lëshoi zemra dhe iu bë gjaku ujë.*
6 Atëherë Josiu shqeu rrobat dhe u përkul me fytyrë përtokë përpara Arkës së Jehovait, e qëndroi ashtu deri në mbrëmje; kështu bënë ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hidhnin pluhur mbi kokë.
7 Pastaj Josiu tha: «Medet, o Zotëri Sovran Jehova! Pse e bëre këtë popull të kalojë gjithë këtë Jordan? Për të na lënë në dorë të amoritëve që të na shfarosin? Ah, sikur të kishim qëndruar matanë* Jordanit e të ishim kënaqur me aq!
8 Të më falësh, o Jehova, ç’mund të them tani që Izraeli është tërhequr* para armiqve të tij?!
9 Kur kananitët dhe të gjithë banorët e vendit të dëgjojnë për këtë, do të na rrethojnë e do të na e shuajnë emrin nga faqja e dheut. Ç’do të bëhet atëherë me emrin tënd të madh?»+
10 Jehovai iu përgjigj Josiut: «Ngrihu! Pse je përkulur me fytyrë përtokë?
11 Izraeli ka mëkatuar. Ata kanë shkelur besëlidhjen+ që u urdhërova të respektonin. Kanë marrë disa nga gjërat që ishin caktuar për shkatërrim,+ i kanë vjedhur+ dhe i kanë mbajtur të fshehura mes gjërave të tyre.+
12 Prandaj izraelitët nuk do t’u bëjnë dot ballë armiqve të tyre, por do t’ia mbathin nga ata, sepse janë bërë diçka e caktuar për shfarosje. Po të mos e zhdukni nga mesi juaj atë që duhet shfarosur, unë nuk do të jem më me ju.+
13 Ngrihu dhe shenjtëro popullin!+ Thuaju: “Nesër shenjtërohuni, sepse Jehovai, Perëndia i Izraelit, thotë kështu: ‘Gjëja e caktuar për shkatërrim është në mesin tënd, o Izrael. Ju nuk do t’u bëni dot ballë armiqve tuaj derisa ta hiqni atë nga mesi juaj.
14 Në mëngjes duhet të paraqiteni fis më fis, dhe fisi që do të zgjedhë Jehovai+ do të afrohet; familje më familje, dhe familja që do të zgjedhë Jehovai do të afrohet; shtëpi më shtëpi, dhe shtëpia që do të zgjedhë Jehovai do të afrohet, të gjithë burrat një për një.
15 Dhe ai që zbulohet se e ka gjënë e caktuar për shkatërrim, do të vritet e pastaj do të digjet në zjarr+ bashkë me çdo gjë që ka, sepse ka shkelur besëlidhjen+ e Jehovait dhe ka bërë një veprim të turpshëm në Izrael.’”»
16 Kështu, të nesërmen, Josiu u ngrit herët në mëngjes, afroi Izraelin fis më fis dhe u zgjodh fisi i Judës.
17 Afroi familjet e Judës dhe u zgjodh familja e zerahitëve.+ Më pas afroi edhe familjen e zerahitëve, burrat njëri pas tjetrit, dhe u zgjodh Zabdi.
18 Në fund, afroi shtëpinë e Zabdit, burrat njëri pas tjetrit, dhe u zgjodh Akani, që ishte bir i Karmit, bir i Zabdit, bir i Zerahut, nga fisi i Judës.+
19 Atëherë Josiu i tha Akanit: «Të lutem biri im, nderoje Jehovain, Perëndinë e Izraelit dhe rrëfeju atij. Të lutem, tregomë çfarë ke bërë. Mos ma fshih.»
20 Akani iu përgjigj Josiut: «Kam mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç’kam bërë:
21 kur pashë mes plaçkës një veshje të bukur zyrtare nga Shinari,+ 200 sikla* argjendi dhe një shufër ari që peshon 50 sikla, i lakmova dhe i mora. I kam fshehur në tokë, brenda tendës sime, dhe paratë janë nën të.»
22 Menjëherë Josiu dërgoi burra që vrapuan për te tenda, dhe atje, në tendën e tij, ishte fshehur veshja dhe, nën të, paratë.
23 Kështu i nxorën nga tenda, ia sollën Josiut e tërë izraelitëve dhe i vunë para Jehovait.
24 Pastaj Josiu dhe tërë Izraeli morën Akanin,+ birin e Zerahut, argjendin, veshjen zyrtare dhe shufrën e arit,+ bashkë me djemtë e vajzat e tij, gjedhët, gomarët, kopenë, tendën e tij dhe gjithçka që kishte, e i çuan në luginën* e Akorit.+
25 Pastaj Josiu tha: «Pse na fute në telashe?*+ Jehovai do të të futë ty në telashe.» Atëherë tërë Izraeli e vrau me gurë;+ e pasi vrau edhe të tjerët me gurë, i dogji në zjarr të gjithë.+
26 Mbi trupin e vdekur të Akanit ngritën një pirg të stërmadh me gurë, që gjendet atje edhe sot e kësaj dite. Pas kësaj Jehovait iu fashit zemërimi i zjarrtë.+ Ja pse ai vend quhet deri sot e kësaj dite lugina e Akorit.*
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Do të thotë «gurore».
^ Fjalë për fjalë «zemra e popullit u shkri dhe u bë si ujë».
^ Domethënë, në anën lindore.
^ Ose «është sprapsur».
^ Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «ultësirën».
^ Ose «Pse na e bëre këtë të keqe?»
^ Do të thotë «telash».