Sipas Gjonit 7:1-52

  • Jezui në Festën e Tabernakujve (1-13)

  • Jezui mëson gjatë festës (14-24)

  • Opinione të ndryshme rreth Krishtit (25-52)

7  Pas kësaj, Jezui vazhdoi udhëtimin nëpër Galile, sepse nuk donte të shkonte në Jude ngaqë judenjtë po kërkonin ta vritnin.+  Ndërkohë ishte afruar Festa judeje e Tabernakujve.*+  Prandaj vëllezërit e tij+ i thanë: «Ik që këtej e shko në Jude, që edhe atje dishepujt e tu të shohin veprat që bën,  pasi askush nuk bën gjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht. Nëse i bën këto gjëra, bëji në sytë e gjithë botës.»  Por faktikisht, vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai.+  Prandaj Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende,+ kurse për ju çdo moment është i përshtatshëm.  Bota nuk ka arsye t’ju urrejë ju, por më urren mua, sepse dëshmoj hapur që veprat e saj janë të liga.+  Shkoni ju në festë; unë nuk po shkoj tani, sepse koha ime nuk ka ardhur ende.»+  Kështu u tha këto fjalë dhe qëndroi në Galile. 10  Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe ai, jo haptas, por fshehtas. 11  Prandaj judenjtë filluan ta kërkonin në festë e të pyetnin: «Ku është ai njeri?» 12  Dhe shumë flitnin nën zë për të. Disa thoshin: «Është njeri i mirë.» Të tjerë thoshin: «Jo, ai mashtron njerëzit.»+ 13  Sigurisht, asnjeri nuk guxonte të fliste hapur për të nga frika e judenjve.+ 14  Kur kishte kaluar gjysma e festës, Jezui shkoi në tempull dhe nisi të mësonte, 15  dhe judenjtë të habitur thoshin: «Si ka mundësi që ky njeri ka kaq shumë njohuri për Shkrimet*+ kur nuk ka studiuar në shkolla?!»*+ 16  Jezui u tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.+ 17  Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, do ta kuptojë nëse mësimi vjen nga Perëndia+ apo nëse flas nga vetja. 18  Ai që flet nga vetja, kërkon lavdinë e vet, por kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi,+ është i besueshëm dhe jo mashtrues. 19  A nuk jua dha Moisiu Ligjin?+ Por as edhe një nga ju nuk i bindet Ligjit. Pse kërkoni të më vritni, atëherë?»+ 20  Turma ia ktheu: «Ti ke një demon. E kush po kërkon të të vrasë?!» 21  Jezui u përgjigj: «Një mrekulli bëra në Sabat, e ju të gjithë habiteni. 22  Por mendoni: Moisiu ju dha ligjin për rrethprerjen+—jo se ai ligj erdhi nga Moisiu, por nga patriarkët+—dhe ju e rrethpritni dikë në Sabat. 23  Përderisa dikush rrethpritet edhe në Sabat që të mos shkelet Ligji i Moisiut, si mund të tërboheni me mua ngaqë shërova një njeri në Sabat?+ 24  Mos gjykoni më nga ajo që duket,* por gjykoni me drejtësi.»+ 25  Atëherë disa banorë të Jerusalemit nisën të thoshin: «A nuk është ky ai që po kërkojnë të vrasin?+ 26  E prapëseprapë, ai flet në sytë e të gjithëve dhe ata nuk i thonë gjë. Mos janë të sigurt krerët se ky është Krishti? 27  Përkundrazi, ne e dimë fare mirë nga është ky njeri.+ Por, kur të vijë Krishti, askush s’ka për ta ditur nga është.» 28  Prandaj, ndërsa po mësonte në tempull, Jezui tha me zë të lartë: «Ju më njihni dhe e dini nga jam. Unë nuk erdha me nismën* time,+ por ai që më dërgoi, është real dhe ju nuk e njihni.+ 29  Unë e njoh atë,+ sepse jam përfaqësues i tij dhe pikërisht Ai më dërgoi.» 30  Prandaj ata kërkonin ta kapnin,+ por askush nuk e preku me dorë, sepse ora e tij nuk kishte ardhur ende.+ 31  Megjithatë, shumë veta nga turma treguan besim tek ai+ dhe thoshin: «Kur të vijë Krishti, mos do të kryejë më shumë mrekulli* nga sa ka bërë ky njeri?!» 32  Farisenjtë e dëgjuan turmën tek fliste kështu nën zë për të, dhe krerët e priftërinjve me farisenjtë dërguan disa roja për ta arrestuar.* 33  Atëherë Jezui tha: «Edhe për pak kohë jam me ju, para se të shkoj tek Ai që më dërgoi.+ 34  Ju do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni, e atje ku jam unë, ju nuk vini dot.»+ 35  Prandaj judenjtë i thanë njëri-tjetrit: «Ku ka ndër mend të shkojë ky njeri që ne nuk do ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë që jetojnë mes grekëve e të mësojë grekët? 36  Ç’do të thotë me fjalët, ‘ju do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni, e atje ku jam unë, ju nuk vini dot’?» 37  Ditën e fundit, ditën e madhe të festës,+ Jezui u çua dhe tha me zë të lartë: «Kush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë!+ 38  Siç thotë shkrimi: ‘Lumenj me ujin e jetës* do të rrjedhin nga thellësia e zemrës’ së atij që tregon besim tek unë.»+ 39  Mirëpo Jezui po fliste për frymën e shenjtë, të cilën do të merrnin pas pak ata që tregonin besim tek ai. Faktikisht ata ende nuk e kishin marrë frymën,+ meqë Jezui ende nuk kishte marrë lavdi.+ 40  Disa nga turma që i dëgjuan këto fjalë, nisën të thoshin: «Ky është pa dyshim Profeti.»+ 41  Të tjerë thoshin: «Ky është Krishti.»+ Por disa thoshin: «Vallë nga Galilea do të vijë Krishti?+ 42  A nuk thonë shkrimet se Krishti do të vijë nga pasardhësit* e Davidit+ dhe nga Betlehemi,+ fshati i Davidit?»+ 43  Kështu turma u përça për shkak të tij, 44  dhe disa nga ata donin ta arrestonin,* por askush nuk e preku me dorë. 45  Atëherë rojat u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë. Këta i pyetën: «Pse nuk e sollët?» 46  Rojat u përgjigjën: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.»+ 47  Farisenjtë ua kthyen: «Mos u mashtruat edhe ju? 48  As edhe një nga krerët a nga farisenjtë nuk ka treguar besim tek ai, apo jo?+ 49  Por kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» 50  Njëri prej tyre, Nikodemi, që kishte vajtur më parë te Jezui, u tha: 51  «Ligji ynë nuk e gjykon një njeri, po të mos e dëgjojë më parë atë vetë e po të mos marrë vesh çfarë ka bërë, apo jo?»+ 52  Ata ia kthyen: «Mos je edhe ti nga Galilea? Shqyrto Shkrimet dhe shiko se nga Galilea nuk ka për të dalë asnjë profet.»*

Shënime në fund të faqes

Ose «Festa e Kasolleve».
Fjalë për fjalë «shkronjat».
Domethënë, në shkollat rabinike.
Ose «përciptas; nga pamja e jashtme».
Ose «iniciativën».
Fjalë për fjalë «shenja».
Ose «për ta kapur».
Fjalë për fjalë «ujin e gjallë».
Ose «familja».
Ose «ta kapnin».
Disa dorëshkrime të lashta e të besueshme i heqin vargjet nga 53 deri në vargun 11 të kapitullit 8.