Eksodi 5:1-23
5 Më pas Moisiu dhe Aroni shkuan te faraoni dhe i thanë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të kremtojë një festë për mua në shkretëtirë.’»
2 Por faraoni tha: «E kush është Jehovai+ që u dashka t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë?!+ Unë s’e njoh fare Jehovain dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!»+
3 Por ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve ka folur me ne. Të lutemi, duam të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë dhe t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë.+ Përndryshe do të na godasë me ndonjë sëmundje ose do të na vrasë me shpatë.»
4 Mbreti i Egjiptit ua ktheu: «Moisi dhe ti, Aron, pse doni ta largoni popullin nga puna? Ikni tani dhe shtrojuni punës!»*+
5 Faraoni vazhdoi: «Shihni sa i madh është populli juaj, dhe ju doni që të largohen nga puna e të vijnë me ju?!»
6 Po atë ditë, faraoni u dha urdhër mbikëqyrësve të skllevërve dhe kryepunëtorëve:
7 «Mos i jepni më kashtë popullit që të bëjë tulla.+ Të shkojnë ta mbledhin vetë kashtën.
8 Megjithatë detyrojini të bëjnë po atë sasi tullash si më parë dhe mos ua ulni fare normën, sepse ata e marrin shtruar!* Prandaj kërkojnë me ngulm: ‘Duam të shkojmë, duam t’i bëjmë flijime Perëndisë tonë!’
9 Detyrojini të punojnë më shumë dhe mbajini të zënë që të mos ua vënë veshin gënjeshtrave.»
10 Kështu mbikëqyrësit+ e skllevërve dhe kryepunëtorët shkuan dhe i thanë popullit: «Ja çfarë thotë faraoni: ‘Nuk do t’ju jap më kashtë.
11 Shkoni, mblidheni vetë e gjejeni ku të doni! Puna nuk do t’ju pakësohet fare!’»
12 Prandaj populli u shpërnda nëpër gjithë vendin e Egjiptit që të mblidhte kërcej drithi të mbetur në arë në vend të kashtës.
13 Mbikëqyrësit e skllevërve i ngutnin dhe u thoshin: «Secili të mbarojë punën e vet, ditë për ditë, njësoj si atëherë kur ju jepnin kashtë.»
14 Madje rrahën kryepunëtorët izraelitë, që mbikëqyrësit e skllevërve të faraonit i kishin caktuar mbi izraelitët,+ dhe i pyetën: «Pse nuk e keni mbaruar as dje, as sot sasinë e tullave që bënit më parë?»
15 Prandaj kryepunëtorët izraelitë shkuan dhe iu ankuan faraonit: «Pse po i trajton kështu shërbëtorët e tu?
16 Kashtë nuk po na japin më, e prapë na thonë: ‘Bëni tulla!’ Dhe njerëzit e tu po na rrahin, por faktikisht fajin e kanë vetë.»
17 Ai ua ktheu: «Ju e merrni shtruar, e merrni me nge!*+ Prandaj thoni: ‘Duam të shkojmë, duam t’i bëjmë flijime Jehovait.’+
18 Ikni tani dhe shtrojuni punës! Kashtë nuk do t’ju jepet më dhe do të bëni të njëjtën sasi tullash!»
19 Atëherë kryepunëtorët izraelitë e panë se e kishin punën pisk për shkak të urdhrit: «Mos e ulni fare normën ditore të tullave.»
20 Pastaj, kur po ktheheshin nga faraoni, takuan Moisiun me Aronin që po i prisnin jashtë
21 dhe u thanë menjëherë: «Jehovai shikoftë dhe ju gjykoftë, sepse për fajin tuaj faraoni dhe shërbëtorët e tij na urrejnë,* dhe ju u keni vënë shpatën në dorë që të na vrasin.»+
22 Atëherë Moisiu iu drejtua Jehovait dhe tha: «O Jehova, pse e ke munduar këtë popull? Pse më ke dërguar?
23 Që kur shkova para faraonit për t’i folur në emrin tënd,+ ai e ka trajtuar edhe më keq popullin,+ dhe ti nuk e ke çliruar aspak popullin tënd.»+
Shënimet
^ Ose «Shkoni e bartni barrët tuaja!»
^ Ose «janë përtacë!»
^ Ose «Jeni përtacë, jeni përtacë!»
^ Ose «na keni bërë të pështirë në sy të faraonit dhe të shërbëtorëve të tij».