Eksodi 27:1-21

  • Altari i blatimeve të djegura (1-8)

  • Oborri (9-19)

  • Vaji për shandanin (20, 21)

27  Altarin do ta bëni me dru akacieje;+ duhet të jetë katror, pesë kute* i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë.+ 2  Bëjini brirë+ në të katër qoshet; brirët do të jenë një trup me altarin, të cilin do ta vishni me bakër.+ 3  Bëni kova për të hequr hirin,* si dhe lopata, legenë, pirunë dhe mbajtëse zjarri; të gjitha pajisjet e tij do t’i bëni prej bakri.+ 4  Bëni edhe një skarë për altarin, një rrjetë prej bakri, dhe katër unaza bakri që të vendosen në të katër qoshet, afër skarës. 5  Skarën vëreni brenda altarit, poshtë buzës së tij, aty nga mesi. 6  Bëni për altarin shufra me dru akacieje dhe vishini me bakër. 7  Shufrat të futen tek unazat, e kështu do të jenë në të dyja anët e altarit kur ta mbartni.+ 8  Do ta bëni altarin si një arkë dërrase të zgavërt; do ta bëni ashtu siç të tregova në mal.+ 9  Bëni oborrin+ e tabernakullit. Në anën jugore të oborrit do të varni perde prej liri të dredhur hollë; ajo anë e oborrit do të jetë 100 kute e gjatë,+ 10  do të ketë 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 11  Edhe në anën veriore do të varni perde; ajo anë do të jetë 100 kute e gjatë, do të ketë 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 12  Edhe në anën perëndimore do të varni perde; ajo anë do të jetë 50 kute e gjerë, do të ketë 10 shtylla dhe 10 bazamente me fole. 13  Gjerësia e oborrit në anën lindore do të jetë 50 kute 14  dhe atje do të varni 15 kute perde në njërën anë; për atë anë do të ketë tri shtylla dhe tri bazamente me fole.+ 15  Edhe në anën tjetër të saj do të varni 15 kute perde; për atë anë do të ketë tri shtylla dhe tri bazamente me fole. 16  Hyrja e oborrit do të ketë një perde të trashë, 20 kute të gjatë, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt,* me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë,+ si dhe katër shtylla e katër bazamente me fole.+ 17  Të gjitha shtyllat rreth e qark oborrit do të kenë lidhëse dhe grremça prej argjendi, kurse bazamentet me fole do të jenë prej bakri.+ 18  Oborri duhet të jetë 100 kute i gjatë,+ 50 kute i gjerë dhe 5 kute i lartë, i bërë me li të dredhur hollë dhe me bazamente bakri me fole. 19  Të gjitha pajisjet dhe mjetet që do të përdoren në shërbimet e tabernakullit, si edhe kunjat e tendës dhe të gjitha kunjat e oborrit, duhet të jenë prej bakri.+ 20  Do t’i urdhërosh izraelitët që të të sjellin për ndriçim vaj safi prej ullinjsh të shtypur, që llambat të rrinë vazhdimisht të ndezura.+ 21  Në tendën e takimit,* jashtë perdes që ndodhet pranë Dëshmisë,*+ Aroni dhe djemtë e tij do të sigurohen që llambat të jenë të ndezura para Jehovait,+ nga mbrëmja deri në mëngjes. Ky është një ligj i pandryshueshëm që izraelitët do ta zbatojnë brez pas brezi.+

Shënimet

Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «hirin e lyrosur», pra, hirin e lagur me yndyrën e flijimeve.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.