Zanafilla 41:1-57

  • Jozefi interpreton ëndrrat e faraonit (1-36)

  • Faraoni lartëson Jozefin (37-46a)

  • Jozefi administron ushqimin (46b-57)

41  Plot dy vjet më vonë faraoni pa në ëndërr+ sikur po rrinte pranë lumit Nil. 2  Nga lumi po vinin shtatë lopë të shëndetshme e të majme që po kullotnin pranë lumit,+ 3  e pas tyre po vinin edhe shtatë lopë të tjera, të ligshta dhe kockë e lëkurë, që zunë vend përbri lopëve të majme, buzë lumit Nil. 4  Pastaj lopët e ligshta dhe kockë e lëkurë i përlanë shtatë lopët e shëndetshme e të majme; atëherë faraoni u zgjua. 5  Pastaj e zuri përsëri gjumi dhe pa një ëndërr tjetër. Shtatë kallinj gruri të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell i vetëm;+ 6  pas tyre u rritën shtatë kallinj gruri të tjerë që ishin të hollë e të zhuritur nga era e lindjes. 7  Pastaj kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e plotë e të mirë; atëherë faraoni u zgjua dhe e kuptoi që kishte qenë në ëndërr. 8  Mirëpo në mëngjes, faraoni* ishte i tëri i turbulluar, prandaj thirri gjithë priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji dhe gjithë njerëzit e ditur. Pastaj u tregoi ëndrrat, por asnjë nuk ia interpretoi dot. 9  Atëherë kryekupëmbajtësi i tha faraonit: «Sot po rrëfej mëkatet e mia. 10  Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij, me mua dhe kryebukëpjekësin, prandaj na futi në burgun që e mbikëqyrte kreu i rojave.+ 11  Pas kësaj, secili nga ne pa nga një ëndërr në të njëjtën natë, dhe secila kishte interpretimin e vet.+ 12  Bashkë me ne ishte një i ri hebre, shërbëtor i kreut të rojave.+ Kur ia treguam ëndrrat,+ ai ia interpretoi secilit ëndrrën e vet, 13  dhe ndodhi pikërisht si na i kishte interpretuar ai; mua më kthyen në detyrën time, kurse tjetrin e varën.»+ 14  Prandaj faraoni dërgoi njerëz që ta sillnin Jozefin,+ dhe ata e nxorën menjëherë nga burgu.*+ Jozefi u rruajt, ndërroi rrobat dhe doli para faraonit. 15  Atëherë faraoni i tha: «Kam parë një ëndërr, por s’ka njeri që ta interpretojë. Kam marrë vesh se ti, me ta dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh.»+ 16  Jozefi iu përgjigj faraonit: «S’ka rëndësi çfarë them unë. Perëndia do të flasë për të mirën e faraonit, e jo unë.»+ 17  Kështu faraoni i tha Jozefit: «Në ëndrrën që pashë, po rrija buzë lumit Nil. 18  Nga lumi Nil po vinin shtatë lopë të shëndetshme e të majme, që nisën të kullotnin pranë lumit,+ 19  e pas tyre po vinin edhe shtatë lopë të tjera, të katandisura si mos më keq, të ligshta dhe kockë e lëkurë. Aq të shëmtuara s’kam parë në gjithë Egjiptin. 20  Pastaj lopët kockë e lëkurë dhe të ligshta i përlanë shtatë lopët e majme, 21  por edhe pse i hëngrën, s’dallohej fare sepse dukeshin po aq të ligshta sa në fillim; atëherë u zgjova. 22  Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj gruri të plotë e të mirë që dilnin nga një kërcell i vetëm,+ 23  e pas tyre pashë të rriteshin shtatë kallinj gruri të fishkur, të hollë e të zhuritur nga era e lindjes. 24  Pastaj kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova këtë priftërinjve që merren me magji,+ por asnjë s’ma shpjegonte dot.»+ 25  Kështu Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit kanë një kuptim të vetëm. Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që do të bëjë.+ 26  Shtatë lopët e mira janë shtatë vjet; edhe shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat kanë një kuptim të vetëm. 27  Shtatë lopët kockë e lëkurë dhe të ligshta që vinin pas tyre, janë shtatë vjet; edhe shtatë kallinjtë bosh e të zhuritur nga era e lindjes, janë shtatë vjet: do të vijnë shtatë vjet zi buke. 28  Është tamam siç i thashë faraonit: Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që do të bëjë. 29  Në gjithë vendin e Egjiptit do të ketë shtatë vjet me bollëk të madh. 30  Por pas tyre do të vijnë shtatë vjet zi buke dhe gjithë bollëku në vendin e Egjiptit do të harrohet krejt, dhe zia e bukës do ta shkretojë mbarë vendin.+ 31  Bollëku i dikurshëm i vendit nuk do të kujtohet më, sepse zia e bukës që po vjen, do të jetë shumë e rëndë. 32  Ëndrra iu përsërit dy herë faraonit, sepse Perëndia i vërtetë e ka vendosur një herë e mirë këtë gjë dhe Perëndia i vërtetë do ta bëjë këtë së shpejti. 33  Prandaj faraoni të kërkojë një njeri të matur e të mençur dhe ta caktojë në krye të vendit të Egjiptit. 34  Faraoni të marrë masa e të emërojë mbikëqyrës në mbarë vendin që të mbledhin një të pestën e prodhimit të vendit të Egjiptit gjatë shtatë viteve të bollëkut.+ 35  Gjatë këtyre viteve të mbara, nën autoritetin e faraonit, të mblidhet gjithë ushqimi, të grumbullohet drithi nëpër depo në qytete dhe të ruhet atje.+ 36  Ushqimi do të shërbejë si rezervë për vendin gjatë shtatë viteve të zisë së bukës që do të pllakosë Egjiptin, që vendi të mos shuhet nga zia e bukës.»+ 37  Ky sugjerim i pëlqeu faraonit dhe gjithë shërbëtorëve të tij, 38  prandaj faraoni tha: «Ku mund të gjendet një njeri tjetër kaq i zotë, që ka frymën e Perëndisë?» 39  Pastaj i tha Jozefit: «Meqë Perëndia ta ka treguar gjithë këtë, s’ka asnjë tjetër kaq të matur e të mençur sa ti. 40  Ti personalisht do të jesh në krye të shtëpisë sime dhe gjithë populli do të të bindet pa diskutim.+ Unë do të jem më i madh se ti vetëm në rolin tim si mbret.»* 41  Faraoni shtoi: «Ja, po të caktoj në krye të të gjithë vendit të Egjiptit.»+ 42  Pastaj faraoni hoqi nga dora unazën e tij me vulë dhe ia vuri në dorë Jozefit, e veshi me rroba linoje cilësore dhe i vuri në qafë një varëse floriri. 43  Veç kësaj e hipi në karrocën e dytë të nderit që kishte, dhe para tij thërritnin: «Avrékh!»* Kështu e caktoi në krye të të gjithë vendit të Egjiptit. 44  Faraoni i tha më tej Jozefit: «Faraoni jam unë, por pa lejen tënde askush nuk mund të lëvizë as gishtin* në gjithë vendin e Egjiptit.»+ 45  Pastaj faraoni i vuri Jozefit emrin Zafenat-Paneah dhe i dha për grua Asenatën,+ vajzën e Potiferait, priftit të Onit.* Kështu Jozefi filloi të mbikëqyrte* vendin e Egjiptit.+ 46  Jozefi ishte 30 vjeç+ kur filloi t’i shërbente* faraonit, mbretit të Egjiptit. Atëherë Jozefi u largua nga faraoni dhe i ra kryq e tërthor gjithë vendit të Egjiptit. 47  Gjatë shtatë viteve të begatisë, vendi dha prodhime me bollëk. 48  Ai e mblodhi gjithë ushqimin e atyre shtatë viteve në vendin e Egjiptit dhe e grumbulloi në qytete. Në çdo qytet vendosi nëpër depo ushqimin e arave përreth. 49  Jozefi grumbulloi një sasi shumë të madhe drithi, sa rëra e detit, aq sa në fund nuk e mbajtën më llogari, sepse ishte e pallogaritshme. 50  Përpara se të vinte viti i zisë së bukës, Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit,* i lindi Jozefit dy djem.+ 51  Jozefi e quajti të parëlindurin Manase,*+ sepse thoshte: «Perëndia më ka bërë t’i harroj gjithë telashet dhe gjithë shtëpinë e tim eti.» 52  Të dytin e quajti Efraim,*+ sepse thoshte: «Perëndia më ka bërë të frytshëm në vendin e vuajtjeve të mia.»+ 53  Pastaj shtatë vitet e bollëkut në vendin e Egjiptit mbaruan+ 54  dhe filluan shtatë vitet e zisë së bukës, tamam si kishte thënë Jozefi.+ Zia e bukës u përhap në të gjitha vendet, kurse në mbarë Egjiptin kishte bukë.*+ 55  Me kalimin e kohës, edhe vendi i Egjiptit vuajti nga zia e bukës, dhe populli filloi t’i përgjërohej faraonit për bukë.+ Atëherë faraoni u tha egjiptianëve: «Shkoni te Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai.»+ 56  Zia e bukës vazhdoi të përhapej në mbarë faqen e dheut.+ Atëherë Jozefi filloi të hapte depot dhe t’ua shiste drithin egjiptianëve,+ ngaqë zia e bukës e kishte mbërthyer mirë vendin e Egjiptit. 57  Për më tepër, në Egjipt vinin njerëz nga të gjitha vendet për të blerë drithë te Jozefi, sepse gjithë toka dergjej nën kthetrat e zisë së bukës.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «fryma e tij».
^ Fjalë për fjalë «sterna; gropa».
^ Ose «vetëm për fronin».
^ Me sa duket një urdhër për të nderuar dikë.
^ Fjalë për fjalë «të ngrejë as dorën, as këmbën».
^ Domethënë, të Heliopolit.
^ Ose «të përshkonte».
^ Ose «kur doli përpara».
^ Domethënë, të Heliopolit.
^ Do të thotë «një që të bën harraq; një që të bën të harrosh».
^ Do të thotë «dyfish i frytshëm».
^ Ose «ushqim».