Zanafilla 16:1-16

  • Agara dhe Ismaeli (1-16)

16  Mirëpo Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte lindur fëmijë,+ megjithatë kishte një shërbyese egjiptiane që quhej Agara.+ 2  Kështu Saraja i tha Abramit: «Më dëgjo, të lutem! Jehovai nuk më ka lejuar të lind fëmijë, prandaj të lutem, ki marrëdhënie me shërbyesen time, se mbase mund të kem fëmijë nga ajo.»+ Kështu Abrami e dëgjoi Sarajën. 3  Pasi Abrami kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kananit, Saraja, gruaja e tij, mori Agarën, shërbyesen e saj egjiptiane, dhe ia dha për grua të shoqit, Abramit. 4  Kështu ai pati marrëdhënie me Agarën, që mbeti shtatzënë. Kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi ta përbuzte të zonjën. 5  Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti e ke fajin për të keqen që më ra! Unë e lashë shërbyesen time në krahët e tu,* por kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi të më përbuzte. Jehovai gjykoftë mes meje e teje!» 6  Kështu Abrami i tha Sarajës: «Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde. Bëj me të si të të duket më mirë.» Atëherë Saraja filloi ta ulte e ta trajtonte ashpër, prandaj Agara ia mbathi. 7  Më vonë, engjëlli i Jehovait e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, te burimi që ishte rrugës për në Sur.+ 8  Ai i tha: «Agarë, shërbyese e Sarajës, nga vjen dhe ku po shkon?» Ajo ia ktheu: «Po ia mbath prej Sarajës, zonjës sime.» 9  Atëherë engjëlli i Jehovait i tha: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» 10  Pastaj engjëlli i Jehovait i tha: «Do t’i shtoj aq shumë pasardhësit* e tu, sa nuk do të numërohen dot.»+ 11  Engjëlli i Jehovait shtoi: «Ti je shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Ismael,* sepse Jehovai e dëgjoi rënkimin tënd. 12  Ai do të jetë si një gomar i egër.* Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij; ai do të banojë përballë gjithë vëllezërve të vet.»* 13  Atëherë ajo i thuri lavde emrit të Jehovait që po i fliste: «Ti je një Perëndi që sheh»,+ sepse ajo tha: «Këtu e kam parë vërtet atë që më sheh.» 14  Ja pse pusi u quajt Ber-Lahai-Roi.* (Ai ndodhet mes Kadeshit dhe Beredit.) 15  Kështu Agara i lindi Abramit një djalë, dhe ai e quajti Ismael.+ 16  Abrami ishte 86 vjeç kur Agara lindi Ismaelin.

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «në gjirin tënd».
^ Fjalë për fjalë «farën».
^ Do të thotë «Perëndia dëgjon».
^ Disa mendojnë se bëhet fjalë për një zebër. Ka shumë të ngjarë t’i referohet një karakteri të pavarur.
^ Një mundësi tjetër «ai do të jetë në armiqësi me gjithë vëllezërit e vet».
^ Do të thotë «pusi i të Gjallit që më sheh».