Zanafilla 29:1-35

  • Jakobi takon Rakelën (1-14)

  • Jakobi bie në dashuri me Rakelën (15-20)

  • Jakobi martohet me Lean dhe Rakelën (21-29)

  • Katër djemtë e Jakobit nga Lea: Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda (30-35)

29  Pastaj Jakobi vazhdoi udhën drejt vendit të popujve të Lindjes. 2  Ai pa në fushë një pus dhe pranë tij ishin shtrirë tri kope dhensh, sepse zakonisht nga ai pus u jepnin ujë kopeve; mbi grykën e pusit kishte një gur të madh. 3  Barinjtë e rrokullisnin gurin nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë kopeve kur i kishin mbledhur të gjitha atje, pastaj e vinin përsëri gurin në vend. 4  Atëherë Jakobi i pyeti: «Vëllezërit e mi, nga jeni?» Ata i thanë: «Nga Harani.»+ 5  Pastaj u tha: «A e njihni Labanin,+ nipin e Nahorit?»+ Ata ia kthyen: «E njohim.» 6  Ai i pyeti: «A është mirë?» Ata iu përgjigjën: «Mirë është, dhe ja ku është e bija, Rakela,+ që po vjen me dhentë.» 7  Ai vazhdoi: «Është ende mesi i ditës. S’është koha për t’i mbyllur tufat. Jepuni ujë dhenve e shkoni t’i kullotni.» 8  Ata i thanë: «S’duhet t’u japim ujë pa u mbledhur më parë të gjitha kopetë. Vetëm atëherë mund ta rrokullisim gurin nga gryka e pusit e t’u japim ujë dhenve.» 9  Ndërsa ai po fliste me ta, erdhi Rakela me dhentë e të atit, sepse ishte bareshë. 10  Sa e pa Rakelën, vajzën e Labanit, vëllait të nënës, bashkë me dhentë, Jakobi u afrua menjëherë, rrokullisi gurin nga gryka e pusit dhe u dha ujë dhenve të Labanit. 11  Pastaj Jakobi e puthi Rakelën, shpërtheu në lot 12  dhe i tha se ishte i afërm* i babait të saj e se ishte djali i Rebekës. Atëherë ajo iku me vrap t’ia thoshte të atit. 13  Sapo dëgjoi për Jakobin, djalin e së motrës, Labani+ vrapoi që ta takonte. E përqafoi, e puthi dhe e mori brenda në shtëpi, e Jakobi nisi t’i tregonte Labanit gjithçka. 14  Ky i tha: «Ti je vërtet gjaku im.»* Kështu Jakobi qëndroi me të plot një muaj. 15  Më pas Labani i tha Jakobit: «S’ke për të më shërbyer pa marrë asgjë, vetëm ngaqë je i afërmi* im!+ Më thuaj, ç’pagë do?»+ 16  Tani, Labani kishte dy vajza; e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.+ 17  Lea kishte sy të shuar, kurse Rakela ishte shumë e hijshme dhe e bukur. 18  Jakobi kishte rënë në dashuri me Rakelën, prandaj i tha Labanit: «Jam gati të të shërbej shtatë vjet për vajzën tënde të vogël, Rakelën.»+ 19  Labani iu përgjigj: «Më mirë të ta jap ty, se ndonjë tjetri. Vazhdo të banosh këtu tek unë.» 20  Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën,+ dhe nga dashuria që kishte për të, iu dukën vetëm pak ditë. 21  Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Më jep nusen time sepse ditët që duhej të të shërbeja, mbaruan, dhe më lër të kem marrëdhënie me të.» 22  Kështu Labani mblodhi gjithë njerëzit e vendit dhe bëri dasmë. 23  Mirëpo gjatë mbrëmjes, mori vajzën tjetër, Lean, dhe ia çoi Jakobit që të flinte me të. 24  Gjithashtu, Labani i dha Leas si shërbyese+ Zilpën, shërbyesen e tij. 25  Jakobi e kuptoi që ishte Lea vetëm në mëngjes, prandaj i tha Labanit: «Ç’është kjo që më bëre?! A nuk të shërbeva për Rakelën? Pse ma punove kështu?!»+ 26  Labani ia ktheu: «Në vendin tonë nuk e kemi zakon të japim të voglën para së madhes. 27  Kaloje javën e dasmës me vajzën e madhe, e pastaj do të të jap edhe vajzën e vogël, për të cilën do të më shërbesh edhe shtatë vite të tjera.»+ 28  Prandaj Jakobi bëri ashtu dhe e kaloi javën e dasmës me vajzën e madhe. Pastaj Labani i dha për nuse edhe vajzën tjetër, Rakelën. 29  Gjithashtu i dha Rakelës si shërbyese+ Belhanë,+ shërbyesen e tij. 30  Jakobi pati marrëdhënie edhe me Rakelën. Ai e deshi më shumë Rakelën se Lean, dhe shërbeu për të edhe shtatë vite të tjera.+ 31  Kur Jehovai pa se Jakobi e donte më pak* Lean, i dha asaj mundësi të mbetej shtatzënë,*+ kurse Rakela nuk lindte fëmijë.+ 32  Kështu Lea mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë që e quajti Ruben,*+ sepse tha: «Jehovai e pa brengën time+ dhe tani im shoq do të fillojë të më dojë më shumë.» 33  Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë tjetër e tha: «Jehovai dëgjoi që im shoq s’më donte, prandaj më dha edhe këtë fëmijë.» Kështu e quajti Simeon.*+ 34  Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi edhe një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të lidhet më shumë me mua, sepse i kam lindur tre djem.» Prandaj e quajtën Levi.*+ 35  Ajo mbeti prapë shtatzënë dhe lindi edhe një djalë tjetër e tha: «Këtë herë do të lëvdoj Jehovain.» Prandaj e quajti Judë.*+ Pas kësaj, ajo nuk lindi më për njëfarë kohe.

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «vëllai».
^ Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi im».
^ Fjalë për fjalë «vëllai».
^ Fjalë për fjalë «e urrente».
^ Fjalë për fjalë «ia çeli barkun».
^ Do të thotë «Ja, një djalë!»
^ Do të thotë «dëgjim».
^ Do të thotë «lidhje; bashkim».
^ Do të thotë «i lëvduar; objekt lëvdimi».