Zanafilla 7:1-24

  • Hyjnë në arkë (1-10)

  • Përmbytja globale (11-24)

7  Pastaj Jehovai i tha Noesë: «Hyr në arkë ti dhe gjithë familja jote, sepse kam parë se mes këtij brezi ti je i drejtë në sytë e mi.+ 2  Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë,*+ mashkull dhe femër. Nga çdo kafshë të papastër merr vetëm dy, mashkullin dhe femrën. 3  Po ashtu, nga krijesat fluturuese të qiejve merr shtatë,* mashkull dhe femër, për t’i ruajtur gjallë pasardhësit e tyre në mbarë tokën,+ 4  sepse vetëm pas shtatë ditësh do të sjell shi+ mbi tokë për 40 ditë e 40 net+ dhe do të fshij nga faqja e dheut çdo qenie të gjallë që kam bërë.»+ 5  Kështu Noeja bëri gjithçka që i urdhëroi Jehovai. 6  Noeja ishte 600 vjeç kur u derdhën ujërat e përmbytjes në tokë.+ 7  Kështu Noeja, djemtë e tij, e shoqja dhe gratë e djemve, hynë në arkë para se të derdheshin ujërat e përmbytjes.+ 8  Kafshët e pastra dhe të papastra, krijesat fluturuese dhe çdo gjë që lëviz në tokë,+ 9  hynë në arkë te Noeja dy nga dy, mashkull e femër, pikërisht siç e urdhëroi Perëndia Noenë. 10  Shtatë ditë më vonë ujërat e përmbytjes u derdhën mbi tokë. 11  Vitin e 600-të të jetës së Noesë, muajin e dytë, ditën e 17-të të muajit, pikërisht atë ditë shpërthyen gjithë burimet e ujërave të thella e të paana dhe u hapën portat e qiejve.+ 12  Mbi tokë ra shi për 40 ditë e 40 net. 13  Po atë ditë Noeja hyri në arkë bashkë me djemtë, Semin, Kamin dhe Jafetin,+ të shoqen dhe tri gratë e djemve.+ 14  Bashkë me ta hyri edhe çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo kafshë e butë sipas llojit të vet, çdo kafshë zvarritëse sipas llojit të vet, çdo krijesë fluturuese sipas llojit të vet, çdo zog dhe çdo krijesë me krahë. 15  Të gjitha krijesat e gjalla që kishin frymën e jetës,* shkuan në arkë te Noeja dy nga dy; 16  hynë mashkull e femër nga çdo lloj krijese e gjallë, pikërisht ashtu siç e urdhëroi Perëndia Noenë. Pas kësaj Jehovai e mbylli derën. 17  Përmbytja vazhdoi për 40 ditë mbi tokë; niveli i ujërave ngrihej e ngrihej dhe ato nisën ta mbanin arkën lart, e cila pluskonte mbi ujëra të thella. 18  Ujërat u bënë gjithnjë e më të furishme dhe vazhduan të ngriheshin, kurse arka pluskonte mbi ujëra. 19  Ujërat e përmbytën tokën aq shumë, sa u mbuluan të gjitha malet e larta nën tërë qiejt.+ 20  Ujërat u ngritën deri në 15 kute* mbi male. 21  Kështu mori fund çdo krijesë e gjallë* që lëvizte në tokë:+ krijesat fluturuese, kafshët e buta, kafshët e egra dhe krijesat e vogla që rrinin në tufa,* si dhe të gjithë njerëzit.+ 22  Çdo gjë në tokë të thatë që kishte në vrimat e hundës frymën e jetës,* mori fund.+ 23  Ai fshiu nga faqja e dheut çdo qenie të gjallë: njerëzit, kafshët,* kafshët zvarritëse dhe krijesat fluturuese të qiejve. Të gjitha u fshinë nga faqja e dheut.+ Mbijetuan vetëm Noeja dhe ata që ishin me të në arkë.+ 24  Ujërat e përmbytën tokën për 150 ditë.+

Shënimet

^ Një mundësi tjetër «merr shtatë çifte».
^ Një mundësi tjetër «merr shtatë çifte».
^ Ose «forcën e jetës».
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Fjalë për fjalë «çdo mish».
^ Ka të ngjarë që kjo fjalë në hebraisht t’u referohet krijesave të vogla që rrinë në tufa të mëdha, të cilat gjenden në ajër, në ujë ose në tokë.
^ Ose «forcën e jetës».
^ Ose «kafshët katërkëmbëshe».