Zanafilla 3:1-24

  • Origjina e mëkatit të njeriut (1-13)

    • Gënjeshtra e parë (4, 5)

  • Jehovai shpall gjykimin e tij ndaj rebelëve (14-24)

    • Parathuhet pasardhësi i gruas (15)

    • Dëbimi nga Edeni (23, 24)

3  Gjarpri+ ishte më dinaku* nga të gjitha kafshët e egra që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai i tha gruas: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?»+ 2  Gruaja iu përgjigj gjarprit: «Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit.+ 3  Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit,+ Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.’» 4  Atëherë gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak.+ 5  Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»+ 6  Si rrjedhim, gruaja pa që pema ishte e mirë për ushqim dhe e dëshirueshme për sytë, po, pema të kënaqte syrin. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri.+ Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.+ 7  Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe kuptuan se ishin lakuriq. Prandaj lidhën gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë.*+ 8  Më vonë dëgjuan zërin e Perëndisë Jehova ndërsa ai po ecte në kopsht kur frynte flladi i pasdites, dhe burri e gruaja u fshehën nga Perëndia Jehova mes pemëve të kopshtit. 9  Perëndia Jehova i thërriste burrit: «Ku je?» 10  Më në fund ai iu përgjigj: «Dëgjova zërin tënd në kopsht, por pata frikë, sepse isha lakuriq, prandaj u fsheha.» 11  Perëndia ia ktheu: «Kush të tha se ishe lakuriq?+ Mos ke ngrënë nga pema për të cilën të urdhërova të mos haje?»+ 12  Burri tha: «Gruaja që më dhe për shoqe, ajo më dha nga fryti i pemës, prandaj hëngra.» 13  Atëherë Perëndia Jehova i tha gruas: «Ç’ke bërë kështu?» Gruaja iu përgjigj: «Gjarpri më mashtroi, prandaj hëngra.»+ 14  Pastaj Perëndia Jehova i tha gjarprit:+ «Meqë ke bërë këtë, je i mallkuar ndër të gjitha kafshët e buta dhe kafshët e egra. Do të ecësh me bark dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. 15  Unë do të vë armiqësi+ mes teje+ dhe gruas,+ mes pasardhësit* tënd+ dhe pasardhësit* të saj.+ Ai do të ta shtypë* kokën,+ dhe ti do ta godasësh* në thembër.»+ 16  Gruas i tha: «Do të t’i shtoj së tepërmi dhembjet e shtatzënisë dhe me dhembje do të sjellësh në jetë fëmijë; do të digjesh nga dëshira për tët shoq dhe ai do të sundojë mbi ty.» 17  Adamit* i tha: «Meqë dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga fryti i pemës, për të cilën të urdhërova:+ ‘Mos ha prej saj’, toka është e mallkuar për fajin tënd;+ me dhembje do të hash frytin e saj gjithë ditët e jetës sate.+ 18  Toka do të rritë për ty gjemba e gjembaçë, ndërsa ti do të ushqehesh me bimësinë e fushës. 19  Do të hash bukë* me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, prej të cilit u formove,+ sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.»+ 20  Pas kësaj Adami e quajti gruan e tij Evë,* sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve.+ 21  Perëndia Jehova bëri rroba të gjata prej lëkure kafshësh për Adamin dhe gruan e tij që të visheshin.+ 22  Pastaj Perëndia Jehova tha: «Ja, njeriu është bërë si një prej nesh, se njeh të mirën dhe të keqen.+ Tani, që të mos zgjatë dorën e të marrë edhe nga fryti i pemës së jetës,+ dhe të hajë e të jetojë përgjithnjë . . .» 23  Atëherë Perëndia Jehova e nxori jashtë kopshtit të Edenit,+ që të kultivonte tokën nga e cila ishte formuar.+ 24  Kështu ai e dëboi njeriun dhe, për të ruajtur udhën për te pema e jetës, vuri në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët+ dhe një shpatë flakëruese që rrotullohej vazhdimisht.

Shënimet

^ Ose «më i kujdesshmi; më tinëzari».
^ Ose «për të mbuluar ijët».
^ Ose «do ta plagosësh».
^ Ose «do të të plagosë; do të të godasë».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Do të thotë «njeri i bërë nga toka; njerëzim; racë njerëzore».
^ Ose «ushqim».
^ Do të thotë «e gjallë».