Numrat 16:1-50

  • Rebelimi i Korahut, i Datanit dhe i Abiramit (1-19)

  • Gjykohen rebelët (20-50)

16  Më pas, Korahu,+ biri i Izarit,+ biri i Kehathit,+ biri i Levit,+ u bashkua me Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit,+ e me Onin, birin e Pelethit, nga bijtë e Rubenit,+ 2  dhe u ngritën kundër Moisiut bashkë me 250 izraelitë, krerë të asamblesë, të zgjedhur të kongregacionit, burra të shquar. 3  Kështu u mblodhën kundër+ Moisiut dhe Aronit e u thanë: «Mjaft më me ju, sepse të gjithë janë të shenjtë,+ po, tërë asambleja, dhe Jehovai është mes tyre.+ Pse u dashka të dilni ju mbi kongregacionin e Jehovait?!» 4  Me ta dëgjuar këtë, Moisiu u përkul menjëherë me fytyrë përtokë. 5  Pastaj i tha Korahut dhe tërë përkrahësve të tij: «Në mëngjes Jehovai do të bëjë të njohur kush i përket atij,+ kush është i shenjtë dhe kush duhet t’i afrohet.+ Atë që do të zgjedhë,+ ai do t’i afrohet. 6  Bëni kështu: ti Korah dhe tërë përkrahësit e tu,+ merrni mbajtëse zjarri,+ 7  dhe nesër vini zjarr në to e hidhuni temjan para Jehovait. Ai që do të zgjedhë Jehovai+ është i shenjti. O bij të Levit,+ e kaluat cakun!» 8  Moisiu i tha prapë Korahut: «Dëgjoni, ju lutem, o bij të Levit! 9  Ju duket gjë e vogël që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë veç nga asambleja e Izraelit+ dhe ju ka lejuar t’i afroheni, që të bëni shërbim në tabernakullin e Jehovait e të qëndroni para asamblesë për t’i shërbyer asaj?+ 10  Të duket gjë e vogël që të ka afruar ty, Korah, bashkë me tërë vëllezërit e tu, bijtë e Levit? E tani kërkoni të shtini në dorë edhe priftërinë?!+ 11  Për këtë arsye, ti dhe tërë përkrahësit e tu, jeni mbledhur kundër Jehovait. Pastaj, kush është Aroni që të murmuritni kundër tij?!»+ 12  Më vonë Moisiu dërgoi të thërritnin Datanin dhe Abiramin,+ bijtë e Eliabit, por ata thanë: «Nuk vijmë! 13  S’të mjafton që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë për të na vrarë në shkretëtirë?!+ Tani do të bëhesh edhe zot mbi ne?!* 14  Faktikisht, nuk na ke sjellë në ndonjë vend ku rrjedh qumësht e mjaltë+ e as nuk na ke dhënë si trashëgimi ara e vreshta. Mos do t’u nxjerrësh edhe sytë këtyre burrave? Nuk vijmë, jo!» 15  Atëherë Moisiu u zemërua shumë dhe i tha Jehovait: «Mos e mirato blatimin e tyre në drithë. As edhe një gomar s’kam marrë prej tyre dhe as i kam bërë keq ndonjërit.»+ 16  Kështu Moisiu i tha Korahut: «Ti dhe tërë përkrahësit e tu, paraqituni nesër para Jehovait bashkë me Aronin. 17  Secili të marrë mbajtësen e vet të zjarrit, t’i hedhë temjan dhe të paraqitë mbajtësen e vet para Jehovait, gjithsej 250 mbajtëse zjarri, bashkë me ty dhe Aronin, secili me mbajtësen e vet.» 18  Kështu secili mori mbajtësen e vet të zjarrit, vuri zjarr e temjan mbi të dhe qëndroi në hyrje të tendës së takimit bashkë me Moisiun dhe Aronin. 19  Pasi Korahu mblodhi tërë përkrahësit+ kundër tyre në hyrje të tendës së takimit, lavdia e Jehovait iu shfaq tërë asamblesë.+ 20  Tani, Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 21  «Ndahuni veç nga ky grup që ta shfaros në çast.»+ 22  Menjëherë ata u përkulën me fytyrë përtokë dhe thanë: «O Perëndi, ti që u jep jetë të gjithëve,*+ do të indinjohesh me tërë asamblenë nga mëkati i një njeriu të vetëm?!»+ 23  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 24  «Thuaji asamblesë: ‘Largohuni nga tendat e Korahut, të Datanit dhe të Abiramit.’»+ 25  Pas kësaj, Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani e Abirami, dhe bashkë me të shkuan edhe pleqtë+ e Izraelit. 26  Ai i tha asamblesë: «Largohuni, ju lutem, nga tendat e këtyre njerëzve të ligj dhe mos prekni asgjë nga gjërat e tyre, që të mos shfaroseni për shkak të mëkatit të tyre.» 27  Ata u larguan menjëherë nga tendat e Korahut, të Datanit dhe të Abiramit, kurse Datani me Abiramin dolën e zunë vend në hyrje të tendave të tyre, bashkë me gratë, djemtë dhe të vegjlit. 28  Atëherë Moisiu tha: «Nga kjo do ta merrni vesh që Jehovai më ka dërguar të bëj gjithë këto gjëra dhe se nuk po i bëj me kokën* time: 29  nëse këta njerëz vdesin nga shkaqe natyrore si gjithë të tjerët dhe ndëshkohen si ndëshkohen të gjithë, atëherë mua nuk më ka dërguar Jehovai.+ 30  Por nëse Jehovai bën ndonjë gjë të jashtëzakonshme me ta dhe toka hapet* e i përpin me gjithë ç’kanë e ata zbresin të gjallë në Varr,* atëherë do ta merrni vesh mirë se këta burra kanë përbuzur Jehovain.» 31  Me të mbaruar tërë këto fjalë, toka nën këmbët e tyre u ça.+ 32  Ajo u hap* dhe i përpiu ata, familjet e tyre, tërë njerëzit që përkrahën Korahun+ dhe tërë zotërimet e tyre. 33  Kështu ata dhe tërë njerëzit që kishin shkuar pas tyre, zbritën të gjallë në Varr.* Toka i mbuloi e ata u zhdukën nga kongregacioni.+ 34  Me të dëgjuar klithmat e tyre, të gjithë izraelitët që gjendeshin rreth e përqark ia mbathën dhe thanë: «Kemi frikë se mos toka na përpin edhe ne!» 35  Pas kësaj, një zjarr erdhi nga Jehovai+ dhe përpiu të 250 burrat që po paraqitnin temjan.+ 36  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 37  «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, që të nxjerrë nga zjarri mbajtëset e zjarrit,+ sepse ato janë të shenjta; thuaji edhe ta shpërndajë zjarrin* pak më tutje. 38  Mbajtëset e zjarrit të njerëzve që humbën jetën ngaqë mëkatuan,* të bëhen petëza të holla metali për të veshur altarin,+ sepse ato u bënë të shenjta kur i paraqitën para Jehovait; duhet të shërbejnë si shenjë për izraelitët.»+ 39  Kështu prifti Eleazar mori mbajtëset e zjarrit prej bakri, që kishin paraqitur ata që i përpiu zjarri, dhe i rrahu e i ktheu në petëza që të vishte altarin, 40  siç i kishte thënë Jehovai me anë të Moisiut. Ky ishte një përkujtues për izraelitët që asnjeri i paautorizuar,* që s’ishte pasardhës i Aronit, të mos afrohej për të djegur temjan para Jehovait,+ dhe që asnjë të mos bëhej si Korahu dhe përkrahësit e tij.+ 41  Që të nesërmen, tërë asambleja e izraelitëve nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit,+ e të thoshte: «Ju të dy e keni vrarë popullin e Jehovait.» 42  Pasi asambleja ishte mbledhur kundër Moisiut dhe Aronit, ata u kthyen drejt tendës së takimit, dhe ja, reja e mbuloi dhe lavdia e Jehovait nisi të shfaqej.+ 43  Atëherë Moisiu dhe Aroni vajtën para tendës së takimit,+ 44  dhe Jehovai i tha Moisiut: 45  «Largohuni që të dy nga kjo asamble që ta shfaros në çast!»+ Ata u përkulën menjëherë me fytyrë përtokë.+ 46  Pastaj Moisiu i tha Aronit: «Merr mbajtësen e zjarrit, vër në të zjarr nga altari+ dhe temjan, shko shpejt tek asambleja dhe bëj shlyerjen për ta,+ sepse indinjata e Jehovait ka shpërthyer dhe plaga ka nisur.» 47  Aroni e mori menjëherë mbajtësen, siç i kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të kongregacionit, por plaga kishte nisur tashmë mes popullit. Prandaj ai vuri temjan në mbajtësen e zjarrit dhe nisi të bënte shlyerjen për popullin. 48  Ai qëndronte mes të vdekurve dhe të gjallëve, dhe avash-avash plaga u ndal. 49  Ata që vdiqën nga plaga, arritën deri në 14.700 veta, përveç atyre që vdiqën për shkak të Korahut. 50  Pasi plaga ishte ndalur, Aroni u kthye te Moisiu në hyrje të tendës së takimit.

Shënimet

^ Ose «sundimtar absolut mbi ne?!»
^ Fjalë për fjalë «Perëndia i frymës së çdo mishi».
^ Ose «iniciativën». Fjalë për fjalë «zemrën».
^ Fjalë për fjalë «hap gojën».
^ Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «hapi gojën».
^ Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Ka të ngjarë, prushin ose hirin që kishte mbetur brenda mbajtësve të zjarrit ose pranë tyre.
^ Ose «që mëkatuan kundër shpirtit të tyre».
^ Fjalë për fjalë «asnjë i huaj».