Numrat 13:1-33

  • 12 vëzhguesit dërgohen në Kanan (1-24)

  • Raport negativ nga 10 vëzhgues (25-33)

13  Tani Jehovai i tha Moisiut: 2  «Dërgo disa burra që të vëzhgojnë* vendin e Kananit, të cilin po ua jap izraelitëve; dërgo një burrë nga çdo fis atëror, të gjithë të jenë prijës.»+ 3  Kështu Moisiu i nisi ata nga shkretëtira e Paranit+ me urdhër të Jehovait; të gjithë burrat ishin krerë të izraelitëve. 4  Këta janë emrat e tyre: Shamuai, biri i Zakurit, nga fisi i Rubenit; 5  Shafati, biri i Horit, nga fisi i Simeonit; 6  Kalebi,+ biri i Jefunehut, nga fisi i Judës; 7  Igali, biri i Jozefit, nga fisi i Isaharit; 8  Hoshea,+ biri i Nunit, nga fisi i Efraimit; 9  Palti, biri i Rafuit, nga fisi i Beniaminit; 10  Gadieli, biri i Sodit, nga fisi i Zabulonit; 11  Gadiu, biri i Susit, nga fisi i Jozefit,+ për fisin e Manaseut;+ 12  Amieli, biri i Gemalit, nga fisi i Danit; 13  Seturi, biri i Mikaelit, nga fisi i Asherit; 14  Nahbiu, biri i Vofsit, nga fisi i Neftalit; 15  Geueli, biri i Makiut, nga fisi i Gadit. 16  Këta ishin emrat e burrave që dërgoi Moisiu për të vëzhguar vendin. Moisiu e quajti Hoshenë, birin e Nunit, Josi.*+ 17  Kur po i dërgonte të vëzhgonin vendin e Kananit, Moisiu u tha: «Ngjituni që këtej në Negeb dhe pastaj në rajonin malor.+ 18  Shihni si është vendi+ dhe si janë njerëzit që banojnë në të: në janë të fortë a të dobët, shumë apo pak; 19  si është vendi, i mirë apo i keq; si janë qytetet ku banojnë, pa mure apo të fortifikuara; 20  si është toka, pjellore apo shterpë,*+ ka pemë apo s’ka. Duhet të jeni të guximshëm+ dhe të merrni ca fryte nga ai vend.» Në atë kohë piqej rrushi i hershëm.+ 21  Kështu ata u ngjitën dhe vëzhguan vendin nga shkretëtira e Zinit+ deri në Rehob,+ afër Lebo-Hamathit.*+ 22  U ngjitën në Negeb dhe më pas mbërritën në Hebron+ (i cili ishte ndërtuar shtatë vjet para Zoanit të Egjiptit), ku jetonin anakimët+ Ahiman, Sheshá dhe Talmá.+ 23  Kur mbërritën në luginën* e Eshkolit,+ prenë një degë me një bistak rrushi, të cilin u deshën dy burra që ta mbanin me një shkop; morën edhe ca shegë e ca fiq.+ 24  Ai vend u quajt lugina e Eshkolit,*+ nga bistaku që prenë atje izraelitët. 25  Në fund të 40 ditëve,+ ata u kthyen pasi kishin vëzhguar vendin. 26  Kështu u kthyen te Moisiu, te Aroni dhe tek asambleja e izraelitëve në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh;+ ata i sollën një raport tërë asamblesë dhe i treguan frytet e vendit. 27  Ja çfarë i raportuan Moisiut: «Ne shkuam në vendin ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë+ dhe këto janë frytet e tij.+ 28  Megjithatë, njerëzit që banojnë në atë vend janë të fortë dhe qytetet e fortifikuara janë shumë të mëdha. Atje pamë edhe anakimët.+ 29  Amalekitët+ banojnë në Negeb.+ Hititët, jebusitët+ dhe amoritët+ banojnë në rajonin malor. Ndërsa kananitët+ banojnë afër detit+ dhe përgjatë Jordanit.» 30  Atëherë Kalebi u përpoq ta qetësonte popullin që qëndronte para Moisiut, me këto fjalë: «Ejani të ngjitemi menjëherë dhe keni për të parë po s’e shtimë në dorë, sepse pa diskutim jemi në gjendje ta pushtojmë.»+ 31  Mirëpo burrat që kishin qenë me të thanë: «Ne nuk sulemi dot kundër atij populli, se ata janë më të fortë se ne.»+ 32  E kështu vazhduan t’u jepnin izraelitëve një raport negativ+ për vendin që kishin vëzhguar: «Vendi që përshkuam për ta vëzhguar është një vend që i përpin banorët e vet. Veç kësaj, të gjithë njerëzit që pamë atje, janë burra me shtat të jashtëzakonshëm.+ 33  Po, atje pamë gjigantët,* bijtë e Anakut,+ pasardhësit e nefilimëve. Para tyre na u duk vetja si karkaleca, e po kështu iu dukëm edhe ne atyre.»

Shënimet

^ Ose «si zbulues në».
^ Ose «Jehosi», që do të thotë «Jehovai është shpëtim».
^ Fjalë për fjalë «e ligët».
^ Ose «hyrjes së Hamathit».
^ Ose «vadin». Shih Fjalorthin.
^ Do të thotë «bistak rrushi».
^ Fjalë për fjalë «nefilimët».