Levitiku 4:1-35

  • Blatimi për mëkatin (1-35)

4  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse dikush mëkaton pa dashje+ e bën ndonjë gjë që Jehovai urdhëroi të mos bëhet, ja ç’duhet bërë:  Nëse mëkaton+ prifti i mirosur,*+ e si pasojë edhe populli konsiderohet fajtor, ai duhet t’i paraqitë Jehovait një dem të ri e të shëndetshëm si blatim për mëkatin që ka kryer.+  Do ta çojë demin para Jehovait në hyrje të tendës së takimit,+ do të vërë dorën mbi kokën e demit dhe do ta therë para Jehovait.+  Pastaj prifti i mirosur+ do të marrë ca nga gjaku i demit dhe do ta çojë brenda tendës së takimit.  Prifti do ta ngjyejë gishtin në gjak+ dhe do të spërkatë me të shtatë herë tokën+ para Jehovait, përpara perdes* së vendit të shenjtë.  Prifti do të vërë edhe ca gjak te brirët e altarit të temjanit aromatik,+ që është para Jehovait, brenda tendës së takimit. Pjesën tjetër të gjakut të demit do ta derdhë rrëzë altarit të blatimeve të djegura,+ që është në hyrje të tendës së takimit.  Pastaj do të heqë gjithë dhjamin e demit që paraqitet si blatim për mëkatin, përfshirë dhjamin që vesh zorrët, gjithë dhjamin që është përreth tyre,  dy veshkat me dhjamin që i vesh ato afër ijëve, e bashkë me veshkat do të heqë edhe cipën e dhjamtë të mëlçisë.*+ 10  Prej tij do të marrë po atë që i merret demit të flijimit në bashkësi.+ Të gjitha këto prifti do t’i vërë të digjen e të nxjerrin tym mbi altarin e blatimeve të djegura. 11  Kurse lëkura dhe gjithë mishi i demit, si edhe koka, kërcinjtë, zorrët dhe bajgat,+ 12  pra gjithë pjesa tjetër e demit do të çohet në rrethinat e kampit, në një vend të pastër, aty ku hidhet hiri,* dhe prifti do ta djegë në zjarrin e druve;+ duhet djegur atje ku hidhet hiri. 13  Tani, nëse tërë asambleja e Izraelit është fajtore se ka bërë pa dashje një mëkat,+ por kongregacioni* nuk e kishte kuptuar që kishte bërë diçka që Jehovai kishte urdhëruar të mos bëhej,+ 14  dhe më pas e merr vesh se ka mëkatuar, kongregacioni do të paraqitë një dem të ri si blatim për mëkatin dhe do ta çojë para tendës së takimit. 15  Pleqtë e asamblesë do të vënë duart mbi kokën e demit para Jehovait, dhe demi duhet therur para Jehovait. 16  Pastaj prifti i mirosur do të çojë ca nga gjaku i demit brenda tendës së takimit. 17  Prifti do ta ngjyejë gishtin në gjak dhe do të spërkatë me të shtatë herë tokën para Jehovait, përpara perdes.+ 18  Pastaj do të vërë ca gjak te brirët e altarit+ që është para Jehovait, brenda tendës së takimit; pjesën tjetër të gjakut do ta derdhë rrëzë altarit të blatimeve të djegura, që është në hyrje të tendës së takimit.+ 19  Do t’i heqë demit gjithë dhjamin dhe do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym mbi altar.+ 20  Me këtë dem do të bëjë siç bëri me demin e parë të blatimit për mëkatin. Kështu do të veprojë prifti, i cili do të bëjë shlyerjen për popullin,+ dhe atyre do t’u falet mëkati. 21  Demi do të çohet në rrethinat e kampit, dhe prifti do ta djegë si dogji demin e parë.+ Ky është blatimi për mëkatin që paraqitet për kongregacionin.+ 22  Kur një prijës+ mëkaton pa dashje dhe bën ndonjë nga gjërat që Jehovai, Perëndia i tij, urdhëron të mos bëhen, e kështu bëhet fajtor, 23  ose nëse ka bërë një mëkat duke shkelur urdhërimin dhe e kupton më vonë që ka mëkatuar, ai duhet të sjellë si blatim një kec mashkull të shëndetshëm. 24  Ai do të vërë dorën mbi kokën e kecit dhe do ta therë para Jehovait, atje ku theren blatimet e djegura.+ Ky është një blatim për mëkatin. 25  Prifti do të marrë me gisht ca nga gjaku i blatimit për mëkatin e do ta vërë te brirët+ e altarit të blatimeve të djegura, kurse pjesën tjetër të gjakut do ta derdhë rrëzë altarit të blatimeve të djegura.+ 26  Gjithë dhjamin e kecit do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym mbi altar, siç vë dhjamin e flijimit në bashkësi.+ Prifti do të bëjë shlyerjen për mëkatin e tij, dhe atij do t’i falet mëkati. 27  Nëse dikush nga populli mëkaton pa dashje dhe bëhet fajtor duke bërë ndonjë nga gjërat që Jehovai urdhëron të mos bëhen,+ 28  ose nëse mëkaton dhe e kupton më vonë që ka mëkatuar, ai duhet të sjellë si blatim një kec femër e të shëndetshëm për mëkatin që ka kryer. 29  Ai do të vërë dorën mbi kokën e blatimit për mëkatin dhe do ta therë atë në të njëjtin vend ku theret blatimi i djegur.+ 30  Prifti do të marrë me gisht ca gjak e do ta vërë te brirët e altarit të blatimeve të djegura, kurse pjesën tjetër të gjakut do ta derdhë rrëzë altarit.+ 31  Do të heqë gjithë dhjamin,+ siç bëhet me flijimin në bashkësi,+ dhe do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym mbi altar, si aromë të këndshme* për Jehovain. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të, dhe atij do t’i falet mëkati. 32  Por nëse do të paraqitë një qengj si blatim për mëkatin, duhet të sjellë një qengj femër e të shëndetshëm. 33  Do të vërë dorën mbi kokën e blatimit për mëkatin dhe do ta therë si blatim për mëkatin, atje ku theren blatimet e djegura.+ 34  Prifti do të marrë me gisht ca nga gjaku i blatimit për mëkatin e do ta vërë te brirët e altarit të blatimeve të djegura,+ kurse pjesën tjetër të gjakut do ta derdhë rrëzë altarit. 35  Do të heqë gjithë dhjamin, siç i hiqet qengjit të flijimit në bashkësi, dhe do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym në altar mbi flijimet e bëra me zjarr për Jehovain.+ Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të, për mëkatin që ka kryer, dhe atij do t’i falet mëkati.+

Shënime në fund të faqes

I referohet kryepriftit. Shih Fjalorthin, «Miros».
Ose «rizën e mëlçisë».
Ose «hiri i lyrosur», pra, hiri i lagur me yndyrën e flijimeve.
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».