Levitiku 15:1-33

  • Sekrecione të papastra nga organet gjinore (1-33)

15  Jehovai u tha akoma Moisiut dhe Aronit:  «Thuajuni izraelitëve: ‘Nëse dikush ka sekrecione nga organi gjinor,* kjo e bën të papastër.+  Ai është i papastër për shkak të sekrecioneve, edhe nëse ato vazhdojnë të rrjedhin nga organi gjinor, edhe nëse bllokohen në të.  Çdo shtrat në të cilin shtrihet ai që ka sekrecione do të jetë i papastër, dhe çdo gjë në të cilën ulet, do të jetë e papastër.  Kushdo që prek shtratin e tij, duhet të lajë rrobat, të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+  Kushdo që ulet atje ku ishte ulur ai që ka sekrecione, duhet të lajë rrobat, të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.  Kushdo që prek trupin e atij që ka sekrecione, duhet të lajë rrobat. Ai do të lahet me ujë dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.  Nëse ai që ka sekrecione pështyn dikë të pastër, ky duhet të lajë rrobat, të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.  Çdo samar në të cilin hipën ai që ka sekrecione do të jetë i papastër. 10  Kushdo që prek ndonjë gjë në të cilën ishte ulur ai, do të jetë i papastër deri në mbrëmje, dhe kush e lëviz atë gjë, do të lajë rrobat, do të lahet me ujë e do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 11  Nëse ai që ka sekrecione+ prek dikë pa i larë duart me ujë, ky duhet të lajë rrobat, të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 12  Enën e baltës që prek ai që ka sekrecione duhet ta bëjnë copë-copë, kurse enën e drurit duhet ta lajnë me ujë.+ 13  Kur sekrecionet ndalojnë dhe personi pastrohet, ai do të llogaritë shtatë ditë për pastrimin. Pastaj duhet të lajë rrobat, të lajë trupin me ujë burimi, e kështu do të jetë i pastër.+ 14  Ditën e tetë ai duhet të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash,+ duhet të vijë para Jehovait në hyrje të tendës së takimit dhe t’ia japë priftit. 15  Prifti do ta paraqitë njërin si blatim për mëkatin, kurse tjetrin si blatim të djegur, dhe do të bëjë shlyerjen para Jehovait, për shkak të sekrecioneve të tij. 16  Nëse një burrë ka lëshim fare, ai duhet të lajë tërë trupin me ujë dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 17  Duhet të lajë çdo rrobë ose lëkurë në të cilën ka rënë fara, dhe ato do të jenë të papastra deri në mbrëmje. 18  Kur një burrë fle me një grua dhe ka lëshim fare, ata duhet të lahen me ujë dhe do të jenë të papastër deri në mbrëmje.+ 19  Nëse një grua ka rrjedhje gjaku, ajo do të mbetet e papastër nga menstruacionet për shtatë ditë,+ dhe kushdo që e prek, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 20  Gjithçka në të cilën shtrihet kur është e papastër nga menstruacionet, do të jetë e papastër, dhe gjithçka në të cilën ulet, do të jetë e papastër.+ 21  Kushdo që prek shtratin e saj, duhet të lajë rrobat dhe të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 22  Kushdo që prek ndonjë gjë në të cilën ishte ulur ajo, duhet të lajë rrobat dhe të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 23  Nëse ajo ishte ulur në shtrat ose në ndonjë gjë tjetër, kush i prek ato do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 24  Nëse një burrë fle me të dhe ndotet nga menstruacionet e saj,+ ai do të jetë i papastër për shtatë ditë, dhe çdo shtrat në të cilin shtrihet ai, do të jetë i papastër. 25  Nëse një gruaje i zgjat rrjedhja e gjakut për shumë ditë+ kur nuk është me menstruacionet,+ ose nëse fluksi i menstruacioneve zgjat më shumë se zakonisht, ajo do të jetë e papastër në të gjitha këto ditë, njësoj si në ditët kur është e papastër nga menstruacionet. 26  Çdo shtrat në të cilin shtrihet gjatë ditëve që ka rrjedhje gjaku, do të jetë si shtrati ku shtrihet kur është e papastër nga menstruacionet.+ Çdo gjë në të cilën ulet do të jetë e papastër, siç janë të papastra menstruacionet e saj. 27  Kushdo që i prek ato gjëra, do të jetë i papastër; ai duhet të lajë rrobat e të lahet me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 28  Por, kur t’i ndalojë rrjedhja e gjakut, ajo do të llogaritë shtatë ditë, e pastaj do të jetë e pastër.+ 29  Ditën e tetë duhet të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash+ e do t’ia çojë priftit në hyrje të tendës së takimit.+ 30  Prifti do ta paraqitë njërin si blatim për mëkatin, kurse tjetrin si blatim të djegur, dhe do të bëjë shlyerjen para Jehovait për papastërtinë e saj, për shkak të rrjedhjes së gjakut.+ 31  Kështu mbajini izraelitët larg papastërtisë, që të mos vdesin në papastërtinë e tyre duke ndotur tabernakullin tim, i cili gjendet mes tyre.+ 32  Ky është ligji për burrin që ka sekrecione, për burrin që ka lëshim fare e si pasojë është i papastër,+ 33  për gruan që është e papastër nga menstruacionet,+ për çdo burrë a grua që ka rrjedhje nga trupi+ dhe për një burrë që fle me një grua të papastër.’»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «mishi i tij».